Kërko

Jezusi nis dishepujt e vet Jezusi nis dishepujt e vet 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Në të dielën e 14-të të vitit kishtar, Ungjilli i ditës na fton të bëhemi si 72 nxënësit e Krishtit, të cilët i dërgoi dy e nga dy, në të gjithë botën, për të predikuar ardhjen e Mbretërisë së Zotit. Është marrë nga kapitulli i 10-të i shën Lukës:

R.SH. - Vatikan

1 Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë dhe i dërgoi dy e nga dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë,  do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër! 8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ 10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 11’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”  17 Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” 18 Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Shejtani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Veç mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!” (Lk 10,1-12.17-20).

Të lutemi së bashku

Mision i rrezikshëm, por emocionues, o Jezus

ai, që Ti u beson 72 dishepujve.

Duket sikur i dërgon në mes të rrezikut

pa asnjë garanci,

pa parë më larg:

pikërisht “si qengja në mesin e ujqërve”.

Pa valixhe, madje, pa një strajcë të vogël:

peshë të kota për atë, që bart

një lajm të mirë, për t’u thënë menjëherë.

Madje, s’kanë me vete as ç’u duhet për udhën,

as më të paktën e domosdoshme:

një palë sandale,

ndonjë rrobë për t’u ndërruar.

E s’mund të humbasin kohë

duke u falur e duke folur

me njerëzit, që takojnë rrugës.

Të paarmatosur e çarmatosës,

të varfër, pa asnjë mbështetje,

të vendosur e me mendjen te Ungjilli:

kështu i do dishepujt e tu.

Duket si marrëzi,

kjo ndërmarrje e tyre, ndoshta, edhe dështon,

mund të kalojë dramatikisht nga një mossukses në tjetrin.

Por jo, kthehen të 72

plot gëzim në zemër e në sy.

Kthehen pasi kanë qenë dëshmitarë

për gjithçka mund të realizojë Ungjilli.

Kthehen, duke pranuar, të lumtur,

se së keqes mund t’i vijë fundi.

Është histori, që përsëritet, o Jezus,

prej dymijë vitesh: sa herë që Kumti i Ungjillit

mbërrin tek burrat e gratë

jo me forcën a me fuqinë e mjeteve,

por përmes dishepujve të varfër, plot besim në Ty.

06 korrik 2019, 10:24