San Gabriele dell' Addolorata San Gabriele dell' Addolorata 

Shenjtërorja e Shën Gabrielit pikë referimi shpirtëror për mijëra besimtarë

Të shtunën, më 13 korrik, rreth pesë mijë besimtarë do të shkojnë në Shenjtëroren e Shën Gabrielit, në Teramo të Italisë, për edicionin e 26-të të festivalit të shtegtarit, që çdo vit kujton ardhjen e Shën Gabrielit në Isola del Gran Sasso (Teramo), më 10 korrik të vitit 1859, sivjet bie 160 përvjetori.

R.SH. - Vatikan

Të shtunën, më 13 korrik, rreth pesë mijë besimtarë do të mbërrijnë në Shenjtëroren e Shën Gabrielit, në Teramo të Italisë,  për edicionin e 26-të të festivalit të shtegtarit, konceptuar e organizuar nga atë Domenico Lanci, rregulltar pasionit, i cili dëshiron të kujtojë çdo vit ardhjen e Shën Gabrielit në Isola del Gran Sasso (Teramo), më 10 korrik të vitit 1859 (sivjet bie 160 përvjetori) dhe gjithashtu t’i kujtojë shtegtimet e lashta të besimtarëve, të cilët në këmbë, nga të katër anët e Italisë e edhe të Evropës, shtegtonin në Shenjtëroren  e shën Gabrielit. Kujtojmë se shtegtime u përhapën shumë ndër besimtarë kudo deri në vitet 1950.

Pjesëmarrësit, kryesisht nga Abruzzo, Molise, Lazio, Marche, Emilia Romagna, Puglia dhe Calabria, do të mblidhen në Isola del Gran Sasso; nga këtu, në orën 7.30, pas përshëndetjes së kryebashkiakut, shtegtarët do të nisen në procesion drejt Shenjtërores së Shën Gabrielit, ku do të zhvillohet riti i pritjes. Shumë shtegtarë do të jenë me veshje tradicionale dhe sipas traditës mbajnë me vete shporta plot me dhurata për shenjtin, në shenjë nderimi e mirënjohjeje.

Pas procesionit në orën 10.30 do të kremtohet Mesha solemne nga At Ciro Benedettini, zëvendës epror i përgjithshëm i rregulltarëve Passionistë. Pasdite shtegtarët, pas një momenti folkloristik rekreativ, do të bëjnë homazhe para Shën Gabrielit me lutje, këngë dhe dëshmi nga personat që kanë fituar bekime e përjetuar mrekulli, me ndërmjetësimin e këtij Shenjti pranë Jezu Krishtit Zot.

Figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes” është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin dhe në lutje të vazhdueshme me Mësuesin e Jetës, Krishtin.

Shenjti pajtor i krahinës Italiane Abruzzo, Francesco Possenti, lindi në Asizi më 1 mars 183. Kur ishte katër vjeç, i vdiq e ëma. Më vonë ndoqi vëllezërit dhe babain, guvernator i Shtetit papnor, nëpër vende të ndryshme. Pastaj u vendos në Spoleto, ku frekuentoi Vëllezërit e shkollave kristiane dhe Jezuitët.

Në moshën 18 vjeçare filloi rishtarinë pranë rregulltarëve Pasionistë në Morrovale ( Maçeratë), duke marrë emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. U quajt Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, sepse pati vegime të vazhdueshme mistike, në të cilat i dukej pikërisht Zoja e Dhimbshme. Vdiq në vitin 1862, 24 vjeç, në Izola del Gran Saso, kur kishte marrë vetëm urdhrat e vegjël të jetës rregulltare, pra pa u bërë rregulltar me kushte të përjetshme, as meshtar. 

Në Gran Saso nderohet shumë, në shenjtëroren që mban emrin e tij, cak shtegtimesh, sidomos të të rinjve. Është shpallur shenjt në vitin 1920.  Shën Gabrieli u dallua për një jetë të përkushtuar plotësisht Mundimeve të Jezu Krishtit, dhurimit të plotë të vetes pa rezerva, të shpirtit të uratës e të pendesës, në mënyrë të posaçme kishte një përshpirtëri ndaj të Shenjtënueshmes Zojë të Dhimbshme.

Shën Gabrieli, ashtu si Maria,  e kishte kuptuar misionin e tij: studionte, ndiqte mjediset e kohës, u shërbente vëllezërve, që kalonin çaste të vështira, kishte etje për formimin e krishterë. Ishte i ri, si gjithë bashkëmoshtarët, ndonëse jeta e tij qe e lidhur ngushtë, në një mënyrë krejt të veçantë, me vetë Zotin.

11 korrik 2019, 13:30