Sekreti i rrëfimit është i paprekshëm! Sekreti i rrëfimit është i paprekshëm! 

SHBA: “Sekreti i rrëfimit nuk preket! Kisha shpreh kënaqësinë!”.

Në SHBA u tërhoq propozimi i ligjit, paraqitur nga senatori Jerry Hill, përmes të cilit kërkohej mosrespektimi i sekretit të rrëfimit, posaçërisht në rastet e abuzimit. Kryeipeshkvi i Los Angeles: rrëfimi është i shenjtë!

R. SH. - Vatikan

U deshën 140 mijë letra dhe e-mail-e e dhe qindra telefonata për ta bindur Komitetin për sigurimin publik të Asamblesë Shtetërore të Kalifornisë, në SHBA-të, që të tërhiqej propozimi për ligjin, paraqitur nga senatori Jerry Hill, përmes të cilit kërkonte heqjen e sekretit të rrëfimit, posaçërisht për rastet e abuzimeve. Norma, e quajtur SB 360 qe miratuar nga Senati i Kalifornisë dhe synote ta modifikonte komunikimin pendestar, në mënyrë që rrëfyesi të detyrohej ta sinjalizonte menjëherë rastin e abuzimit pranë autoriteteve gjyqësore, posaçërish nëse do të ishte fjala për ndonjë meshtar ose njeri të angazhuar në Kishë.

Kërcënim për ndërgjegjen e çdo amerikani

“SB 360 ishte kërcënim për ndërgjegjen e çdo amerikani - deklaroi kryeipeshkvi i Los Angeles, Peter Gomez, që kryesoi mobilizmin. - Nëse çdo ligjvënës mund t’i detyrojë besimtarët t’i rrëfejnë mendimet e tyre e ndjenjat e  tyre më intime, që ia rrëfejnë vetëm Zotit përmes sakramentit, atëhere mund të thuash me plot gojën se asnjë skutë e jetës njerëzore nuk është më e lirë e nuk mund t’i shpëtojë kontrollit të qeverisë!”. E kjo quhet mungesë e plotë lirie.

Edhe besimtarët e feve të tjera, kundër ligjit!

Siç njofton agjencia Sir, edhe liderët fetarë myslimanë, ortodoksë, lurteranë, anglikanë, batistë, përfaqësuesit e riteve katolike lindore e të kishave historike afro-amerikane, ishin kundër këtij ligji, qëndrim që e shprehën përmes një dokumenti, në të cilin pohojnë se liria fetare është  themel i demokracisë! E se rrëfimi është i paprekshëm, sepse shenjt!

Nota e Pendetarsisë Apostolike

Kujtojmë se pas kursit mbi Sakramentin e Rrëfimit, zhvilluar në marsin e kaluar, në Pallatin e Kancelarisë, në Romë, dhe audiencës së Papës në përfundim, me më se 700 pjesëmarrësit, Pendestaria Apostolike botoi një notë mbi rëndësinë e ndërgjegjes dhe pacënueshmërinë e vulës sakramentore, miratuar nga Françesku e nënshkruar nga Kryependestari, kardinali Mauro Piacenza dhe nga mëkëmbësi, imzot Krzysztof Nykiel.

Në paraqitjen e dokumentit, kardinali Piacenza shpjegon se vetë Papa na kujton natyrën e shenjtë të botës së brendshme, duke pohuar, kështu, natyrën e padhunueshme e të pacënueshme të vulës sakramentore.  

Nota kujton, në përfundim, se “mbrojtja e vulës sakramentore dhe e shenjtërisë së rrëfimit, nuk mund të jetë kurrë  formë e bashkëjetesës me të keqen, duke nënvizuar se i përket vetë strukturës së Sakramentit të Rrëfimit, që ka si kusht për vlefshmërinë e tij, pendimin e sinqertë, njëherësh me premtimin për të mos e përsëritur kurrë më të keqen e kryer”.

 

17 korrik 2019, 12:50