Kërko

Vatican News
 Euromoot scout  e Europës Fse për udhë Euromoot scout e Europës Fse për udhë 

Scout-tët e Evropës: 5 mijë vetë drejt Romës, nëpër udhët e Shenjtorëve

Nisi sot Euromoot, shtegtimi i të rinjve skaut katolikë të Fse, me moshë 16 deri në 21 vjeç, nga 21 vende të Evropës. Më 3 gusht do të jenë në Romë e në Vatikan, për t’u takuar me Papën Françesku në Sallën e Palit VI, 25 vjet pas audiencës me Shën Gjon Palin II.

R. SH. - Vatikan

“Gjë e bukur, udha pranë vëllezërve të mi evropianë, duke jetuar së bashku çaste të gëzueshme e duke shkëmbyer opinione e përvoja”. Matteo, 17 vjeç, romak, me këmishën e shaminë tipike të grupit të vet të Skautëve të Evropës, është njëri nga 5 mijë të rinjtë e mbarë botës, por sidomos, të Evropës, të cilët që sot janë protagonistë të Euromoot, shtegtimit prej pesë ditësh që, duke u nisur nga Umbria, Abruzo, Toskana e Lazio, do t’i sjellë në Romë. Në grupe prej 30-50 të rinjsh, nga mosha 16 deri në 21 vjeç, rover e scolte të Lëvizjes Skaut, themeluar në vitin 1907 nga anglezi Robert Baden-Powell, do të përshkojnë udhët historike, Udhën Francigene, Udhën e Shën Benediktit e atë të Shën Françeskut. Janë të rinj, që ecin mbi gjurmët e Shenjtorëve më të mëdhenj të Kishës Katolike.

Katolikë, por edhe reformatë e ortodoksë

Uigse-Fse, organizata ndërkombëtare, që i përfshin të gjitha shoqatat e  Prijësve dhe Skautëve të Evropës, themeluar më 1956, në Këln, numëron 70 mijë anëtarë në gjithë botën. Më 2003 u njoh nga Këshilli Papnor për Laikët, si shoqatë private besimtarësh të së drejtës papnore. Në të bëjnë pjesë kryesisht shoqata katolike por, duke pasur frymë të thellë ekumenike,  mirëpret edhe shoqata ungjillore (në Kanada e Gjermani) si edhe  ortodokse (në Rumani e Rusi).

Nuk do të flasin për Evropën, do ta bëjnë!

5 mijë të rinj e të reja, të ardhur nga të katër anët, do të jenë bashkë për pesë ditë. Pasi të kenë ndjekur udhën e katër shenjtorëve më të rëndësishëm të Evropës: Shën Françeskut, Shën Benediktit, Shën Katerinës nga Siena e Shën Palit, do të jenë në Romë, me Papën. Janë protagonistë të ardhmërisë së Evropës. Hapi i tyre është ugurbardhë, hap i bërë për të lënë pas një botë më të mirë se ajo që e gjetën - siç thoshte themeluesi i skautizmit, Baden Powell.

Do të kenë mundësi jo vetëm të flasin për Evropën, ta studiojnë Evropën, por edhe ta bëjnë Evropën, duke ndenjur gju më gju, duke ecur krah për krah, duke u gëzuar sy më sy!

“Jeni të thirrur - u pati thënë 25 vjet më parë Papa Wojtyła 7500  skautëve, gjatë takimit historik në Shën Pjetër - për të marrë pjesë me gjithë afshin rinor, në ndërtimin e Evropës së popujve, që çdo njeriu t’i njihet dinjiteti i birit të dashur të Zotit e të ndërtohet një shoqëri, e bazuar mbi solidaritetin e dashurinë vëllazërore”.

Në Shën Pjetër, me Papën

Më 3 gusht, në Romë, të gjithë pjesëmarrësit, duke u nisur nga të katër   portat  e kryeqytetit, do të mblidhen, së pari, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, për të jetuar takimin me Papën Françesku, 25 vjet pas një takimi tjetër, atij me Shën Gjon Palin II e për të kaluar, më pas, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të marrin pjesë në Meshën përfundimtare, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali Bagnasco. Falë Euromont-it, Skautët e Evropës-FSE krijojnë frymën e vëllazërimit evropian e edhe një rrjet miqësie e solidariteti në mbarë Evropën, edhe më tutje.

 

27 korrik 2019, 13:54