Kërko

Euromoot scout d'Europa Euromoot scout d'Europa  

Një javë me ngjarjet në Vatikan, në Kishën katolike, në botë

Rijetojmë ngjarjet e javës së kaluar në Vatikan, në Kishën katolike e nëpër botë, nga takimi i Papës me skautët në Romë, për të kaluar në Poloni, 3 vjet pas Shtegtimit Apostolik të Françeskut, në Afrikë, në Siri e vise të tjera të botës, që kanë nevojë për një dalazotës!

Euromoot - 27 korrik: 5000 grupet Scolte e Rover të Skautëve të Evropës – FSE mblidhën në Romë, e, më 3 gusht, do të takohen me Papën Françesku

Papa, me skautët, më 3 gusht, në emër të vëllazërimit

Në zhargon, fjala Euromoot tregon një mbledhje ndërkombëtare të Scolte e Rover, skaut, djem e vajza nga 16 deri më 21 vjeç.

Kjo ngjarje do t’u krijojë mundësinë mijëra të rinjve, ardhur nga vende të ndryshme, të takohen e të lidhin miqësi personale, përmes zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme. Do të njihen, kështu, e do të rizbulojnë rrënjët e përbashkëta kulturore e shpirtërore. Gjatë javës së udhës, me kalimin e ditëve, do të zbulojnë se pasuria më e çmuar, që trashëgojnë nga Evropa, është aftësia për të jetuar së bashku në paqe e vëllazërim, rreth vlerave të përbashkëta, me një objektiv po kaq të përbashkët, që është Krishti.

Tri, fazat e shtegtimit Skaut

Tri, fazat e kësaj jave kaq të rëndësishme: 27 korrik deri më 1 gusht, “Kampi i Lëvizshëm”; më 1 e 2 gusht,  arritja në katër pika të ndryshme, në portat e Kryeqytetit e, së fundi më 3 gusht, caku përfundimtar, Roma dhe Bazilika e Shën Pjetrit.

Në Shën Pjetër, me Papën

Më 3 gusht, në Romë, të gjithë pjesëmarrësit, duke u nisur nga të katër   portat  e kryeqytetit, do të mblidhen, së pari, në Sallën Nervi, për të jetuar takimin me Papën Françesku, 25 vjet pas një takimi tjetër, atij me Shën Gjon Palin II e për të kaluar, më pas, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të marrin pjesë në Meshën përfundimtare, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali Bagnasco. Falë Euromoot-it, Skautët e Evropës-FSE krijojnë frymën e vëllazërimit evropian e edhe një rrjet miqësie e solidariteti në mbarë Evropën, edhe më tutje.

3 vjet nga Shtegtimi Apostolik i Papës Françesku në Poloni

Françeku ishte në atdheun e Gjon Palit II me rastin e Ditës së 31-të Botërore të Rinisë (27-31 gusht 2016)

“U preka thellë nga forca e fesë suaj, nga shpresa e pamposhtur, që e keni ruajtur, pavarësisht nga vështirësitë dhe tragjeditë, si dhe nga  dashuria e krishterë, që e frymëzon udhën tuaj njerëzore e kristiane” – i pati shkruar Françesku imzot Stanisaw Gądeckit, duke rikujtuar takimet me Kishën polake: “Ruaj një kujtim të thellë, të dashur – pati vijuar - nga kremtimi solemn eukaristik në Shenjtëroren e Çestokovës, në 1050-vjetorin e Pagëzimit të Polonisë, ashtu si dhe nga ndalesa thellësisht prekëse në kampin e përqendrimit të Auschwitz. Mbushem plot me gëzim duke kujtuar, pastaj, takimet me të rinjtë e ardhur nga kombe të ndryshme”.

Dashuria për Gjon Palin II

Edhe në mesazhin drejtuar kardinalit Dziwisz, kryeipeshkëv i Krakovit. Ati i Shenjtë kujtonte entuziazmin e fesë të turmës së pafundme të të rinjve, ardhur nga të pesë kontinentet në këtë festë të madhe të rinisë, festë feje e lutjeje. “E gjithë kjo – pati kometuar - është shenjë dashurie për Kishën, në hullinë e dashurisë së paharrueshme e të devoçme ndaj Shën Gjon Palit II”.

Papa ipeshkvijve të Afrikës: “Vijoni shërbimin në ndihmë të Kishave”

Ftesë për të qenë “Shërbim i çmuar për Kishat afrikane, në të gjithë Kontinentin e zi”. Kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh, dërguar më 22 korrik, përmes sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, Simpoziumit të Konferencave ipeshkvnore  të Afrikës e Madagaskarit (Secam), që po kremton Jubileun e artë (21-28 korrik).

Papa i përshëndet të gjithë pjesëmarrësit në ngjarje - 40 delegacione, përfaqësuese të këtij realiteti - duke falënderuar Zotin për “hiret e shumta, marrë nga Secam”.

 Françesku lutet që anëtarët e Secam “të mund të marrin forca të reja në veprimtarinë e tyre si dishepuj misionarë, për punën e madhe ungjillëzuese, duke u përpjekur që Ungjilli të depërtojë në çdo aspekt të jetës, për ta pasur të gjithë në zemër”, siç pati nënvizuar në fjalimin  drejtuar përfaqësuesve të Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit, më 7 shkurt 2015.

Një Nobel për Kiminë, anëtar të Akademisë Papnore të Shkencave

Papa Françesku emëroi, të hënën, më 22 korrik, anëtar të Akademisë Papnore të Shkencave, Stefan Walter Hell, drejtor i Max Planck Institute for Biophysicall Chemistry në Gotingen dhe drejtor i Max Planck Institute for Medical Research në Heidelberg (Gjermani).

Siri: kard. Parolin: “Papa kërkon ta ndalojë katastrofën humanitare"  

“Mbrojtje e jetës së civilëve, stop katastrofës humanitare në zonën e Idlib, nisma konkrete për rikthimin, në kushte të sigurta, të të shpërngulurve, lirim i të burgosurve politikë. E akoma, thirrje për rifillimin e dialogut e të bisedimeve, me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare”. Janë këto, shqetësimet dhe kërkesat konkrete, që përmban një letër, të cilën Papa Françesku ia drejtoi presidentit sirian Bashar Hafez al-Assad, ndërsa  në zonën e Idlib vijojnë veprimtaritë luftarake dhe bombardimet në dëm të civilëve të pambrojtur e shumica e strukturave shëndetësore janë të rrënuara. Letrën e Papës, datuar më 28 qershor, e dorëzoi kardinali Turkson, Prefekt i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor.

“Papa - lexohet në një intervistë të Vatican News me kardinalin Pietro Parolin, botuar në ‘L’Osservatore Romano’ - e ndjek me vëmendje e dhimbje të thellë fatin dramatik të popullsive civile, posaçërisht të fëmijëve, që jetojnë në mes të ndeshjeve të përgjakshme. Prandaj Ati i Shenjtë i kërkon Presidentit të bëjë ç’është e mundur për ta ndaluar këtë katastrofë humanitare e për ta shpëtuar popullsinë e pambrojtur e të pafajshme, posaçërisht më të ligshtit, duke respektuar të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare”. Kjo nismë e Papës nuk është “politike”, por humanitare, saktëson kardinali Parolin.

Siria, ACS: “Papa i kujton botës se lufta nuk ka marrë fund"

Ndërmjet liderëve botërorë, si zakonisht, është Papa Françesku ai që shqetësohet më shumë për dramën e popullit sirian e të Lindjes së Mesme në përgjithësi” Kështu shkruhet në një komunikatë të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan” (Acs), që e priti me gëzim lajmin e takimit,  në Damask, të kardinali Turkson, Prefekt i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, shoqëruar nga kardinali Mario Zenari, nunc apostolik në Siri, me Bashar Hafez-al-Assad. Siç njofton Selia e Shenjtë “gjatë takimit, kardinali Turkson ia dorëzoi presidentit sirian letrën e Papës, përmes së cilës shprehet shqetësimi për situatën humanitare në Siri, me theks të veçantë mbi kushtet dramatike të popullsisë civile në Idlib”.

 Me maturinë, që karakterizon veprimtaritë diplomatike, Papa i tërheq vëmendjen kreut të shtetit  sirian për vuajtjet e tmerrshme të popullit  të tij e, njëkohësisht, u kujton liderëve botërorë se konflikti në Siri nuk ka përfunduar.“Pavarësisht nga vëmendja, që i kushtuan mediat ndërkombëtare dhe opinioni publik në përgjithësi, pas tetë vjet lufte, situata mbetet dramatike. E nëse në shumë zona heshtën armët, britma e mjerimit nuk pushon! “Nga bombat mund të shpëtojë ndokush, ndërsa nga varfëria e skajshme, askush. Për këtë varfëri - theksojnë përfaqësuesit e Kishave vendase - janë fajtore sidomos masat ndëshkimore ekonomike ndërkombëtare, imponuar Sirisë”.

Porto Rico

U kremtua, në Porto Rico, Dita e lutjes për paqen,  shpallur nga Konferenca ipeshkvnore portorikane (Cep), pas situatës së protestës e të tensionit krijuar në një vend, ku popullsia kërkon dorëheqjen e guvernatorit Ricardo Rossellò, pas përhapjes së disa chat private, në të cilat politikani, duke komunikuar me bashkëpunëtorët e tij, shpreh gjykime të  padrejta e të palejueshme për kundërshtarët, që e fyejnë rëndë mbarë popullin portorikan. Sipas Komunikatës, përhapur dje, “24 orët me Jezusin për paqen” u kremtuan në Shenjtëroren kombëtare mariane të Provanisë Hyjnore, për të vijuar me Adhurimin Eukaristik gjatë gjithë natës.

Toka Shenjte

Përfaqësues të lëvizjes së risimit në Shpirtin Shenjt shtegtojnë në Tokën Shenjte. Tetë ditë, kaluar me meditime endacake, shkruar nga Salvatore Martinez, me temë: “Feja në Perëndim ka nevojë për ujë të ri burimi: në Tokën Shenjte janë gurrat tona”.

Më se 250 shtegtarë po e jetojnë këtë përvojë të thellë shpirtërore, duke ecur në gjurmët e Jezusit, nga “zënia”, në Nazaret- tek “përmbushja e premtimit”, në Jeruzalem. Po takohen edhe me bashkësitë e krishtera vendase e po marrin pjesë në kremtimet eukaristike, kryesuar, ndërmjet tjerëve, edhe nga imzot Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i patriarkatit latin të Jeruzalemit.

3 vjetori i vrasjes së Atë Jacque Hamel

Të premten e kaluar u përkujtua 3 vjetori i vrasjes së Atë Jacque Hamel. Meshtari u vra më 26 korrik, gjatë atenetatit terrorist kryer në Kishën e Shën Shtjefnit të Saint-Etienne-du-Rouvray, pranë Rouen. E therën në fyt, pikërisht kur po kremtonte Meshën. Në mars 2019 përfundoi procesi dioqezan për çështjen e lumnimit të tij.

Mbushen 6 vjet nga rrëmbimi i atit Paolo Dall’Oglio SI.

Gjurmët e jezuitit humbën në Raqqa, më 29 korrik  2013. Që asokohe  Papa ka bërë disa herë thirrje për lirimin e tij, me shpresë se është ende gjallë, peng diku, në duart e forcave të errëta, që vijojnë të trondisin Lindjen e Mesme. “T’i kthehet liria atë Paolo Dall’Oglio-s dhe të rrëmbyerve të tjerë në Siri!”. Kjo, thirrja e përsëritur e Françeskut. E pritur me mirënjohje të thellë nga Familja Dall’ Oglio si burim i madh ngushëllimi e, në të njëjtën kohë, edhe emocioni e shprese.  Ashtu si Papa, edhe familja Dall’Oglio është shumë pranë familjarëve të të gjithë të rrëmbyerve në Siri, e jo vetëm atje, por kudo janë e vuajnë, në pritje që t’u rikthehet liria.

Edhe besimtarët vietnamezë  e nderojnë thellësisht Nënë Terezën

Fama e shenjtërisë së Shën Nënë Terezës së Kalkutës ka arritur prej kohe   në Vietnam, para se Shenjtorja shqiptare të lartohej në nderimet e Altarit. Kujtojmë se në famullinë e Thanh Da, në rrethinat e Ho Chi Minh City, dy herë në javë kremtohet një meshë në kujtim të Themelueses së Motrave të Bamirësisë. Në përfundim të kremtimit, pastaj, të gjithë shkojnë me procesion për të puthur reliket e shenjtores, sjellë në famulli nga Misionaret e Bamirësisë, ndër rregulltaret e para që shkelën në këtë vend, kur kufijtë e tij ishin të mbyllur për përfaqësuesit e Krishtit.

27 korrik 2019, 15:14