Kërko

 Sulmet e fundit në Nigeri Sulmet e fundit në Nigeri 

Nigeri: sulm në veri-perëndim të vendit, rreth 40 viktima

Më se 37 vetë u vranë në një sulm, organizuar nga njerëz të armatosur në tre fshatra, në veri-perëndim të Nigerisë. Sulmi shkaktoi shqetësim të thellë, nga që hamendësohet se edhe në këtë zonë, deri tani të shpëtuar nga sulmet e milicëve të Boko Haram, mund të kenë hyrë grupet islamike.

R. SH. - Vatikan

Të mërkurën e kaluar Nigeria u gjakos përsëri. Një masakër e re e tronditi gjithë vendin. Disa hajdutë sulmuan tre fshatra, u vunë zjarrin arave e rrëmbyen të gjitha bagëtitë e provincës Sokoto, në veri-përendim të vendit, një zonë krejt e prapambetur, prej nga lajmi mundi të arrijë vetëm sot.  Edhe Marco Cochi, gazetar i Nigricisë e analist i think thenk (grupit) të gjeopolitikës “Nyja e Gordios”, konfirmon variantin e komunikuar nga qeveria nigeriane. “Nuk besoj - pohon - se këtu kishte gisht drejtpëdrejt  Boko Haram, i cili nuk ka bërë asnjë sulm që nga viti 2012 në këtë zonë, prandaj mendoj se duhet të jetë vepër e cubave, që e kanë zanat plaçkitjen e bagëtive”.

Hija e Islamit radikal

Por - pohon më pas Cochi - në këtë ngjarje ka shumë mundësi që Boko Haram, i cili synon prej kohe ta shtrijë veprimtarinë e vet kriminale edhe në perëndim të vendit, të ketë gjetur një rrugë të re. Muajin e kaluar u regjistruan sulme edhe në dy zona të tjera të Sokoto-s- ku u vranë 43 vetë. “Analistët nigerianë hamendësojnë depërtimin e integralistëve islamikë në bandat e cubave, që jetojnë duke grabitur në gjithë zonën. Sulmet e fundit, që ndodhën edhe në dy kazerma të policisë, e thellojnë shqetësimin e banorëve, të cilët druhen se situata në zonë mund të ndërlikohet shumë më tepër seç është sot. E sot është aq e vështirë, sa qeveria nigeriane mezi arrin ta  përballojë.

Edhe më e vështirë,  gjendja e të krishterëve

Para kësaj ngjarjeje e “pavarësisht nga ridimensionimi i Boko Haram nga forca multinacionale, për kë beson në një fe tjetër, të ndryshme nga ajo islamike, jeta mbetet krejt e pasigurt. Gjendja e të krishterëve në zonë - vë në dukje Cochi - mbetet gjithnjë e vështirë. Të krishterët sulmohen prej shumë vitesh, prandaj edhe ipeshkvi i Sokoto-s ndërhyu për të sensibilizuar popullsinë të sillet më njerëzisht me pakicën e krishterë. Fjalë për t’u thënë, me shpresën se do të dëgjohen, në një vend ku sulmet kundër të krishterëve vazhdojnë, duke i vënë ndjekësit e Krishtit në provën e Kryqit.

22 korrik 2019, 17:52