Kërko

 Shenjtërimi i Nënë Terezës Shenjtërimi i Nënë Terezës 

Nënë Tereza: “Duaje jetën, nëse dëshiron që edhe ajo të të dojë!".

Nënë Tereza na la trashëgim një nga thesaret më të pasura në botë: pasuri të pallogaritshme frazash, citimesh, aforizmash e edhe poezish, tashmë të përkthyera në të gjitha gjuhët. Janë himn, që i këndohet gëzimit të jetës, ëmbëlsisë, mëshirës, përvujtërisë, e, mbi të gjitha, dashurisë.

R. SH. - Vatikan

“Njerëzit e sotëm kanë etje e uri për dashuri. E natyrshme. Zoti e krijoi çdo njeri për të dashur e për t’u dashur.  Nuk ka varfëri më të madhe, se të mos kesh dashuri për të dhuruar. S’ka pikë rëndësie ajo që bëjmë. Rëndësi ka dashuria me të cilën e bëjmë gjithçka.

Prandaj mos e shiko tjetrin në është i mirë a i keq: “Duaje!”. Foli me sy, nëse nuk je i zoti t’i flasësh me gojë. Gjithçka varet nga dashuria. Dashuria është e vetmja përgjigje, që mund t’i jepet vetmisë e varfërisë. Të të gjitha natyrave. Në disa vende njerëzit kanë uri për bukë, në të tjera, vuajnë nga vetmia. Vetmi e tmerrshme. Urrejtje e tmerrshme. Sepse njeriu e ndjen veten i padëshiruar, i tepërt, i pashpresë. Harron të buzëqeshë. Nuk e ka të lehtë t’i dojë njerëzit, që i shikon çdo ças e i ka pranë. Aq më pak, të largtit. E harron bukurinë e çikjes njerëzore, pikërisht kur ka nevojë që dikush t’i afrohet, ta prekë, ta dojë. Dashuria e bën njeriun të ndjehet i gjallë. Kur më pyesin “Cila është gjëja më e bukur në botë?”, përgjigjem: “Dashuria!”. Kur e kemi zemrën plot, goja flet e mendja mendon! Duaj pra! Duaje Familjen tënde, edhe pse nuk është ashtu si do ta kishe dashur! Duaje jetën, edhe pse nuk të jep çka kërkon! Duaje kur lind e kur vdes. Mos jeto kurrë pa e dashur jetën. Nëse do që edhe ajo të të dojë! E, sidomos, duaje Zotin!”.

28 korrik 2019, 15:07