Kërko

Virgen del Rosario de Chiquinquirá Virgen del Rosario de Chiquinquirá  

Në Kolumbi kremtohet 100-vjetori i kurorëzimit të Zojës Rruzare të Chiquinquirá, Pajtore e vendit.

Këto ditë Kolumbia kremton 100-vjetorin e kurorëzimit të “Virgen del Rosario de Chiquinquirá” (Zojës Rruzare të Chiquinquirá), Pajtore e vendit. I dërguar i posaçëm i Papës është kardinali Raymundo Damasceno Assis, kryeipeshkëv nderi i Aparecidës.

R. SH. - Vatikan

Nuestra Señora del Rosario de Chiquinquirá: me këtë emër  nderohet Maria në shumë vende të Amerikës Latine. Emri lidhet me figuren, që ruhet në bazilikën e Zojës Rruzare të dioqezës kolumbiane, me të njëjtin emër. E realizuar nga Alonso de Narváez mbi pëhurë pambuku të endur sipas teknikave të indigjenëve, ndërmjet viteve 1560-1562, është një nga dëshmitë më të lashta të artit fetar të krishterë në Kolumbi.

Origjina dhe devocioni

Historia e devocionit nis që nga shekulli XVI, njëherësh me fillimin e ekspeditave të conquistadores (pushtuesve) ardhur në Botën e Re - nga Bota e vjetër. Në vitin 1560, spanjolli Antonio de Santana mori “en comienda” - sistem, mbi bazën e të cilit një koloni spanjoll i besoheshin fshatra e territore të tëra – zonën rreth qytetit të Chiquinquirá. Santana nisi të ndërtojë banesa për indianët e për skllevërit zezakë. Ngriti edhe një kapelë, për të kremtet fetare.

Kërkoi, më pas, nga frati domenikan Andres Jadraque,  një figure të Zojës së Bekuar, për kapelën e re. Domenikani u mor vesh me piktorin spanjoll Alonso Narváez, që t’i pikturonte një figure të Zojës së Bekuar. Në vitin 1563 figurja shenjte, e pikturuar mbi telajon prej pambuku, endur në avlëmend  nga indianet, u vendos në kapelë.

Mrekullia e pëlhurës

Ndërtesa e vogël, me çati prej kashte, pas pak vitesh nisi të ronitej. E me të, edhe pëlhura e varur mbi altarin kryesor. Më 26 dhjetor 1586 ndodhi mrekullia, që njihet me emrin “Renovación”, “Përtëritja”. Maria Ramos, së bashku me një indian lëkurkuq dhe me të birin e këtij të fundit, qenë dëshmitarët e parë pamorë të shndërrimit. Para syve të tyre të mrekulluar, piktura mori pamjen, që kishte pasur kur u nderua për herë të parë. Ngjyrat u përtërinë, pa ndërhyrjen e asnjë dore njerëzore. Lajmi mbi këtë mrekulli u përhap me shpejtësinë e vetëtimës. U ndërtua sakaq një kapelë e re, prej kallamash, druri e kashte, që u bë menjëherë cak shtegtimesh. Duke e pasur parasysh dyndjen e shtegtarëve nga të katër anët e Kolumbisë, kryeipeshkvi i Bogotasë, Luís Zapata de Cárdenas, ndërtoi një kishë të re, pikërisht në atë vend, që vijoi të quhej “Renovación”. Në fillim të shekullit XIX u vendos të ndërtohej një strehë më e mbrojtur nga tërmetet. Një kishë e sigurt, për ta ruajtur Figuren historike, aq të dashur për popullsinë. U ndërtua, kështu, Bazilika e Zojës Rruzare e, më 1919, u kremtua kurorëzimi kanonik i Zojës e cila, nga figura e përtërirë, vijon t’i shikojë shtegtarët e panumërt me syrin e nënës e të ndërmjetësojë për nevojat e tyre pranë Birit të vet Hyjnor. E tregojnë këtë hiret e panumërta, që fitohen nën këtë strehë, me emrin simbolik “Përtëritje”.

Papët  

Në vitin 1829, Papa Piu VII e deklaroi Zojën e figures së përtërirë, pajtore e Kolumbisë.

Nëntëdhjetë vjet më pas, Nuestra Señora del Rosario de Chiquinquirá u kurorëzua kanonikisht. Pastaj priti për vizitë Shën Palin VI, në vitin 1968 dhe Shën Gjon Palin II në vitin 1986. Françesku është Papa i tretë, që shkeli në vendin latino-amerikan e që ia kushtoi Kombin, Zojës Rruzare të Chiquinquirás!

10 korrik 2019, 13:56