Cerca

Vatican News
 Pamje nga Siria Pamje nga Siria  (Copyright: Aid to the Church in Need)

Ndihmë për Kishën që Vuan nis një fushatë të re solidariteti për të krishterët sirianë

Ndihmë për Kishën që Vuan (NDKV), vijon të jetë në vijë të parë të frontit të luftës kundër virusit të dorëzimit e të indiferencës. Flet drejtori, Alessandro Monteduro.

R. SH. - Vatikan

“Lufta në Siri nuk ka marrë fund”. E Fondacioni Papnor 'Ndihmë për Kishën që Vuan' nuk dorëzohet, madje rebelohet kundër indiferencës, duke i ndihmuar përsëri, me të gjitha forcat, pakicat e persekutuara. Drejtori i NDKV, Alessandro Monteduro e shpjegon, me këto fjalë, domethënien e nismës së re të Fondacionit, që po mbështet dy projekte, në ndihmë të të krishterëve sirianë. “Mënyra e vetme për t’iu përgjigjur shtypjes, është t’i ndihmosh pakicat: posaçërisht pakicat fetare e, më shumë nga të gjitha, pakicën e krishterë, më e varfra e më e shtypura”- pohon.

Siria, prania françeskane, shenjë shprese

Projekti i parë do të realizohet në Haleb, ku vite të tëra konflikti lanë pas plagë të thella e të dhimbshme. E ardhmja, për shumëkënd, është dramatikisht e paqartë, edhe për shkak të situatës shumë të vështirë ekonomike. NDKV iu përgjigj thirrjes së imzot Georges Abou Khazen, mëkëmbës apostolik i Halebit të latinëve, i cili kërkoi ndihmë për blerjen e pakove me ushqime, për t’ua shpërndarë familjeve të krishtera më të varfra. “Sirianët sot nuk janë më në kërkim të lirisë - vijon Alessandro Monteduro në intervistën dhënë Vatican News. - Sot kërkojnë bukën e përditshme, ujin, gazin për të gatuar, ndonjë litër karburant e, sidomos, ilaçe. Ne përpiqemi t’u japim një dorë në këtë drejtim e u kërkojmë bamirësve tanë, që shquhen për bujari fenomenale, t’i ndihmojnë edhe një herë këta vëllezër, që kanë gjithnjë pranë françeskanët.

Projekti i dytë i takon Damaskut, ku ka shumë të krishterë të sëmurë që, ndonëse kanë nevojë për mjekime të vazhdueshme, nuk mund t’i blejnë ilaçet, sepse kushtojnë tepër shtrenjt. Patriku i Kishës së Antiokisë së Greko-Melkitëve, Youssef Absu, i kërkon ndihmë Fondacionit për blerjen e ilaçeve dhe për asistencën e të sëmurëve në shtëpitë e tyre.

Të krishterët janë ndërtues urash

Nga viti 2011, kur nisi lufta në Siri, e deri më 2018, Ndihmë për Kishën që Vuan u ka dhuruar 30 milionë e 400 mijë euro kishave vendase e, në shumë nga zonat, ku është e garantuar siguria, nisi realizimin e planit për rindërtimin  e kishave të shtëpive. “Çka duhet bërë - shton Monteduro - është përpjekja që njerëzit ta kuptojnë se ndihma, që u jepet këtyre pakicave në Lindjen e Mesme, është mjet i jashtëzakonshëm, vaksinë e jashtëzakonshme kundër virusit të shtypjes e të fundamentalizmave, sepse të krishterët jo vetëm që janë paqësorë por, mbi të gjitha, janë paqëtues, të aftë për të ndërtuar ura dialogu!”.

Në Siri vijon të derdhet gjak

Ndërkaq në kronikat e Sirisë shkruhen ende faqe të reja dhune. Dje vdiqën 4 ushtarakë qeveritarë e 14 të tjerë u plagosën, në një atentat me dinamit, në zonën jugore të Daraa. Ndërsa një ditë më parë humbën jetën 11 civilë, ndërmjet të cilëve, tre fëmijë, gjatë një sulmi ajror në zonën e Idlib-it.

 

18 korrik 2019, 11:29