Kërko

Mitingu i Riminit Mitingu i Riminit 

Mitingu i Riminit paraqet në Romë edicionin e 40-të

Gjatë paraqitjes, në Romë, Emilia Guarnieri, kryetare e Fondacionit Meeting, vuri në dukje se titulli i Mitingut të sivjetëm: “Emri yt lindi, ku i ngule sytë”, një varg i shkëputur nga poezia e Karol Wojtylës, ka të bëjë me një urgjencë, atë të njerëzve që kanë një emër, një identitet të qartë. E që janë të paepur në mbrojtjen e kësaj natyre, edhe para ideve të tyre.

R. SH. - Vatikan

Në Sallën e Shoqatës së Shtypit të jashtëm në Itali, u paraqit këtyre diteve edicioni i 40-të i Mitingut të Miqësisë ndërmjet Popujve, që do të mbahet në Rimini, nga 18 deri më 24 gusht, në praninë e Giancarlo Giorgiettit, zëvendës-sekretar i Presidencës së Këshillit të Ministrave; imzot Matteo Maria Zuppit, kryeipeshkëv i Bolonjës; Enrico Giovanninit, zëdhënës i Aleancës Italiane për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe kryetares të Fondacionit të Mitingut, Emilia Guarnieri. Nga Parisi u lidh Enrico Letta, president i Institutit Jacque Delors.

40 vjetët e Mitingut

“Kanë kaluar shumë vjet, gjatë të cilave fjalë si takim, dialog, identitet, ndërtim i përbashkët, bukuri kanë qenë në bazë të temave të diskutuara nga qindra mijëra njerëz. E nënvizoi Emilia Guarnieri, kryetare e Fondacionit të Mitingut për miqësinë ndërmjet popujve, që sivjet titullohet “Emri yt lindi, ku i ngule sytë” - shkëputur prej njërës nga poezitë e Karol Wojtylës. Tregon urgjencën  e njerëzve, që kanë një emër, një identitet të qartë e të vetëdijshëm të natyrës së tyre njerëzore, e që janë gati ta mbrojnë këtë natyrë, edhe para ideve të veta. Sipas presidentes së Mitingut “sot nuk mund as të përfytyrohet sigurimi i mirëqenies e as të ndërtohet demokracia, pa krijuar marrëdhënie të çdo niveli ndërmjet njerëzve. Për këtë synon të kontribuojë Mitingu, duke favorizuar rastet e dialogut, të takimit,  të vlerësimit të shoqërimit e të shembujve pozitivë.

Mitingu, rast për të reflektuar për të sotmen e të ardhmen

Mitingu është rast reflektimi për të sotmen e të ardhmen e Italisë e të botës. Vëmendja sivjet përqendrohet mbi zhvillimin e qëndrueshëm, që  jo vetëm justifikohet nga situata e rëndë aktuale dhe nga rreziqet e katastrofave, të paralajmëruara nga shkencëtarët, por thekson edhe nevojën  e ndryshimit të modelit aktual të zhvillimit, siç ka nënvizuar shumë herë Papa Françesku”.

“Comunione e Liberazione” -“Bashkim e Çlirim” lëvizje laike katolike

Mitingut të Miqësisë ndërmjet Popujve, Organizohet nga lëvizja Kishtare “Comunione e Liberazione” ( “Bashkim e Çlirim”),  e cila është një lëvizje laike katolike e themeluar nga prifti italian Luigi Giussani në vitin 1954 në mjedisin studentor të Milanos fillimisht si degë e Veprimit Katolik. Karakterizohet nga vendosja e mesazhit të fesë së krishterë si themeli të çdo aspekti të jetës.

Mitingu i Riminit e ka zanafillën në vitet ’70, themeluar nga meshtari e teologu don Luigi Giussani. Rreth tij u mblodhën një grup miqsh të krishterë, që dëshironin të sillnin në Rimini gjithçka të bukur e të mirë në kulturën e asaj kohe. Që në fillim, u mendua si një vend takimi për njerëz me fe e kultura të ndryshme. Vend miqësie, ku mund të punohet për paqen, bashkëjetesën dhe miqësinë ndërmjet popujve.

Çdo vit, në këtë ngjarje marrin pjesë politikanë, drejtues të ekonomisë, përfaqësues të feve e të kulturave, intelektualë, artistë, sportistë e protagonistë të skenarit botëror

04 korrik 2019, 07:27