Motrat Klarise të manastirit të Shën Kjarës në Shkodër Motrat Klarise të manastirit të Shën Kjarës në Shkodër 

Misioni i Motrave Klarise të manastirit të Shën Kjarës në Shkodër

Prania e Motrave Klarise në Shqipëri filloi në korrik të vitit 2003, por zanafilla e historisë së tyre, sipas disa njoftimeve historike, dëshmohet me Manastirin e Shën Kjarës të vitit 1488, në Kep të Rodonit, themeluar e ruajtur nga njëra prej motrave të Skënderbeut.

R.SH. - Vatikan

Jeta rregulltare a jeta murgarë është një dhuratë e çmuar për mbarë Kishën. E siç dihet ka forma, karizma dhe misione të larmishme. Populli i nderon ata dhe ato që ia kushtojnë gjithë jetën Zotit me kushtin e pastërtisë, të bindjes e të varfërisë së plotë, duke dëshmuar kështu praninë e Zotit në çdo kohë e kulturë, edhe në kohët tona. E ky është shërbimi i parë që i bëjnë Kishës rregulltarët dhe motrat rregulltare. Janë roje që shquajnë nga larg dhe që kumtojnë jetën e Zotit, të pranishme në histori.                      

Mijëra rregulltarë e rregulltare e kryejnë misionin e tyre apostolik në shtigjet e pafundme të botës, duke iu kushtuar plotësisht Krishtit e duke u shërbyer njerëzve në emër dhe për dashuri të Tij. Se ç’vlerë ka misioni i tyre, jeta e tyre e dhuruar, mjafton të kujtojmë rregulltaren e madhe, Shenjtën shqiptare Nënë Terezën, që na e shpjegon kështu misionin e të krishterëve në përhapjen e Dritës së Krishtit: Të krishterët janë dritë për njeri-tjetrin dhe për mbarë botën: në se jemi të krishterë, duhet t’ia dëftojmë Krishtin botës”.

Të njihemi nga afër me njërin prej Komuniteteve Rregulltare që gjenden ndër shqiptarë, epikërisht me Motrat Klarise në Shkodër. Historia e Motrave Klarise fillon me Shën Kjarën e Asizit, e cila e frymëzuar nga Shën Françesku, filloi një formë të re të jetës ungjillore, që sot jetohet dhe mishërohet nga Murgeshat Klarise.  Një projekt i lashtë e gjithnjë i ri, që kërkon të kundrojmë Ungjillin e shenjtë, për ta realizuar në mishërimin e vazhdueshëm e të ndryshueshëm të historisë, në forma që feja frymëzon e ngjiz në kultura të ndryshme e në çdo kohë.

Kështu edhe në Shqipëri, Motrat Klarise filluan misionin e tyre në korrik të vitit 2003, kur një grup prej shtatë murgeshash nisi në Shkodër jetën rregulltare sipas karizmës së Shën Kjarës .Nga pikëpamja historike, për Murgeshat Klarise nuk ishte aq një mbërritje e re, sa një kthim fatbardhë. Sipas disa njoftimeve historike të Provincës Françeskane Shqiptare, Kuvendi i Fretërve te Kepi i Redonit,  kushtuar Zojës së Ngjitur në qiellpërpara vitit 1488 ishte një Manastir i Urdhrit të Shën Kjarës, themeluar e ruajtur nga njëra prej motrave të Skënderbeut. Kastriotët, në fakt, qenë zotërinjtë e atyre vendeve.

Po t’i kthehemi komunitetit të Motrave Klarise që janë në Shkodër që vitit 2003. Pas një periudhe që kaluan në Fshatin e Paqes (Shkodër), tani Manastiri Klariseve ndodhet në qendër të qytetit, ku dikur ishte Kolegji Serafik i Françeskanëve. Motrat Klarise megjithëse jetojnë në klauzurë, pra një jetë të mbyllur brenda manastirit në bashkësi, ato janë të disponueshme ndaj të gjithë atyre që dëshirojnë të bashkëndajnë me to momente lutjeje, kundrimi, qetësie, ballafaqimi, dëgjimi, bashkëbisedimi etj. 

Siç dihet, rregulltaret u shkëputën plotësisht nga gjithçka që nuk është Krishti dhe e ushqejnë jetën e tyre shpirtërore me lutje e me Eukaristinë e përditshme. Motrat Klasire, sot, janë dëshmitare të pranisë shndërruese të Zotit në një botë gjithnjë më të çorientuar e më të pështjelluar. E të jesh i aftë ta shikosh kohën tonë me sytë e fesë, do të thotë të jesh në gjendje ta shikosh njeriun, botën dhe historinë në dritën e Krishtit të kryqëzuar e të Ngjallur.

Komuniteti i murgeshave Klarise pranë Manastirit të Shën Kjarës në Shkodër, përbëhet nga gjashtë Motra rregulltare: dy italiane e katër shqiptare. Ne flasim me dy prej tyre e pikërisht me Motrën Ganxhe Jaku - Vikare dhe Lula Ahmataj - Këshilltaretë cilat na njohin me jetën dhe misionin e tyre në gjirin e Kishës dioqezane Shkodër-Pult, t’i dëgjojmë..

Flasim me dy prej tyre e pikërisht me Motrën Gonxhe Jaku dhe Lula Ahmataj

 

16 korrik 2019, 20:09