Kërko

Gesu nella casa di Maria e Marta di Betania Gesu nella casa di Maria e Marta di Betania 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Lutja e veprimi, dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe shërbimi konkret ndaj të afërmit, nuk janë përmasa, që i kundërvihen njëra-tjetrës, por aspekte themelore për jetën tonë në fe: këtë pohon Fjala e Zotit e kёsaj sё diele tё 16-tё gjatё vitit kishtar.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e Dielës së 16-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Mikpritja është një virtyt i krishterë që shpërblehet gjithmonë nga Hyji. Leximi I nga  Libri i Zanafillës dhe fragmenti i Ungjillit nga Luka tregojnë për mikpritjen e Abrahamit dhe të Martës. Ngjarja që u ka ndodhur atyre, na tregon se Zoti troket pareshtur në derën tonë. Kështu jemi të ftuar të zbulojmë e të njohim mënyrën më të mirë për ta pritur e përbujtur Hyjin në realitetin tonë të përditshëm, për të hyrë kështu në jetën autentike

Lutja e veprimi, dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe shërbimi konkret ndaj të afërmit, nuk janë përmasa, që i kundërvihen njëra-tjetrës, por aspekte themelore për jetën tonë në fe: këtë pohon Fjala e Zotit e kёsaj sё diele tё 16-tё gjatё vitit kishtar.

Në qendër të reflektimit te pjese se Ungjillit te kësaj së diele, janë dy motrat, Marta e Maria. Nësa Zoti Jezus ishte mik në shtëpinë e tyre. Marta merrej me punët e shtëpisë e Maria, tek këmbët e Jezusit, dëgjonte fjalën e Tij. Marta i ankohet Jezusit, duke i kërkuar ta qortojë Marinë, që s’luan vendit, edhe pse ajo ka nevojë për ndihmë. Po Jezu Krishtit i përgjigjet ëmbëlsisht e i kujton se “vetëm një gjë është e nevojshme”.

Mbi të gjitha, ka rëndësi të kuptosh se nuk është fjala për kundërvënie ndërmjet dy mënyrave të sjelljes: dëgjimi i Fjalës së Zotit, kundrimi, është shërbim konkret, që i bëhet të afërmit. Nuk janë dy sjellje të kundërta, përkundrazi, janë dy aspekte, që nuk duhen ndarë kurrë, por duhen jetuar në bashkim dhe harmoni të thellë.

Po atëherë, pyesim, pse Jezusi e qorton, ndonëse ëmbëlsisht, Martën? Sepse ajo e shikon si themelore, atë që po bënte, krejt e thithur dhe e shqetësuar nga punët e shumta. Për të krishterin, veprat e shërbimit e të bamirësisë nuk shkëputen kurrë nga burimi kryesor i veprimtarisë sonë: domethënë, nga dëgjimi i Fjalës së Zotit, nga ndenja, si Maria, tek këmbët e Jezusit, me vëmendjen e dishepullit. 

Prej këndej, nxitja e Kishёs qё edhe në jetën tonë të krishterë, lutja e veprimtaria janë gjithnjë thellësisht të bashkuara. Lutja, që nuk sjell veprimin konkret ndaj vëllait të varfër, të sëmurë, nevojtar për ndihmë, vëllait në vështirësi, është lutje shterpë, e paplotë. Por, në të njëjtën mënyrë, kur në shërbimin kishtar i kushton vëmendje kryesisht sendeve, funksioneve, strukturave, harron se në qendër është Krishti e nuk i lë pak kohë dialogut me Të në lutje, rrezikohesh t’i shërbesh vetvetes e jo Zotit, të pranishëm në vëllain nevojtar.

Shën Benedikti, abat, e përmblidhte stilin e jetës, që dëshironte për murgjërit e tij, në dy fjalë të vetme: “ora et labora”- “lutu e puno!”. E nga kundrimi, nga lidhja e fortë e miqësisë me Zotin, lind në ne aftësia për ta jetuar e për t’ua çuar dashurinë e Zotit, mëshirën, dhembshurinë e Tij edhe të tjerëve. E edhe puna jonë me vëllain njeri nevojtar, puna jonë bamirëse në veprat e mëshirës, na e sjell Zotin pranë, sepse ne shikojmë pikërisht Zotin në vëllain e motrën, që kanë nevojë pёr ndihmën tonё.

T’ia drejtojmë Virgjrës Mari, Nënës së dëgjimit e të shërbimit, lutjen që të na mësojë ta meditojmë në zemrën tonë Fjalën e Birit të saj – Jezu Krishtit dhe të lutemi me besnikëri, për të qenë gjithnjë të vëmendshëm konkretisht ndaj nevojave të vëllezërve.

                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 18, 1-10

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dalë para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt. Do t’u sillet pak ujë dhe lani këmbët tuaja e pushoni nën hije të trungut. Po ju sjell një kafshore bukë që ta merrni veten para se të vazhdoni udhën. Ju po i bini kah dera shërbëtorit tuaj!” 
Ata i thanë: “Bëj, pra, si the!” Abrahami shpejtoi në tendë te Sara e i tha: “Shpejto e përziej tri masë të miellit më të mirë dhe na i bëj do kuleç.” Ai vetë vrapoi në vathë dhe prej andej e nxori një viç të ri e të majmë dhe ia dha shërbëtorit. Ai e përgatiti me të shpejtë. Mori edhe mazë, qumësht dhe viçin që e kishte pjekur dhe ua shtroi përpara, ndërsa ai vetë, derisa ata ngrënin, rrinte pranë tyre në këmbë rrëzë trungut. Ata i thanë: “Ku është Sara, gruaja jote?” Ai përgjigji: “Qe, është në tendë!” Ai i tha: “Do të kthehem dhe do të vijë te ti pasi të kalojë koha e shtatzënësisë, dhe Sara, gruaja jote, do të ketë djalë.” Fjala e Zotit.

Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër 
do të banojnë në shtëpinë e Zotit

----- ----- -----
O Zot, e kush do të guxojë 
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
----- ----- -----
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
----- ----- -----
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë nuk do tëluhatet.
----- ----- -----

Leximi i dytë Kol 1, 24-28

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij, Kishën. U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit: Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të vet. Këtyre Hyji deshi t’ua njoftojë lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë, domethënë: Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë! Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush t’ia arrijë përsosmërisë në Krishtin.  Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Fjala jote, o Zot, është e Vërtetë:
na shenjtëro në të Vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Lk 10, 38-42ù

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi hyri në një fshat dhe në grua, me emër Martë, e priti në shtëpi. Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul te këmbët e Zotërisë dhe dëgjonte fjalën e tij. Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaj, pra, të më ndihmojë!” Iu përgjigj Zotëria: “Martë, Martë, ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.” Fjala e Zotit.

19 korrik 2019, 18:17