Cerca

Vatican News
 Vangelo di domenica, Buon Samaritano, Codex purpureus Rossanensis, sec. VI Vangelo di domenica, Buon Samaritano, Codex purpureus Rossanensis, sec. VI 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 15-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Me shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë (Ungjilli), Luka vë në pah dashurinë e krishterë, me vepra dhe me fjalë. Protagonistët janë: një prifti e një levit, shprehje e një kulti të shkëputur nga jeta, dhe një samaritanas, eterodoks dhe i mallkuar, që shndërrohen në modelin e jetës, në një shembull jete. Në përfundim të tregimit Jezusi u sugjeron doktorëve të ligjit dhe ne: “Shko e bëjë edhe ti ashtu!”

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar “C”

Leximet biblike të kësaj së diele na flasin për ‘Urdhrin e dashurisë’: “Po ju jap një urdhër të ri: duajeni njëri-tjetrit sikurse unë ju desha juve”, që është edhe thelbi i Ungjillit. Fjala e Zotit e kësaj së diele të 15-të, në mënyrë të veçantë fragmenti i Ungjillit, na fton t’i përngjajmë Jezu Krishtit, ‘bamirësit të njerëzimit’, ‘samaritanit të mirë’, siç përshkruhet figura e Tij. E për t’ia arritur këtij qëllimi, na propozon të zbatojmë një urdhër të vetëm: “Duaje Hyjin me gjithë zemër dhe të afërmin tënd porsi vetveten...”,  do të thotë të përshkojmë udhën e dashurisë e të bamirësisë bujare.

Libri i Deutoronomisë – Ligjit të përtërirë (Leximi I) pohon se fjala e Zotit është shumë afër, është në gojën e çdonjërit. Besnikëria nuk është detyrë aq e zorshme, por është e mundshme për të gjithë. Urtia e vërtetë për Izraelin është pikërisht zbatimi i urdhërimeve dhe i dekreteve të Hyjit.

Pali apostull e hap letrën drejtuar Kolosianëve me himnin kushtuar figurës së Jezusit, me një fjalor të vështirë e të thellë, (Leximi II). Në të ekzaltohet figura e Krishtit, primati e funksioni i tij në krijimin dhe në ri-krijimin e botës.

Me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë (Ungjilli), Luka vë në pah dashurinë e krishterë, e cila shprehet me vepra e me fjalë. Protagonistët janë: një prift e një levit, shprehje e një kulti të shkëputur nga jeta, dhe një samaritanas, eterodoks dhe i mallkuar, që shndërrohen në modelin e jetës, në një shembull jete. Në përfundim të tregimit ungjillor Jezusi u sugjeron doktorëve të ligjit dhe ne: “Shko e bëjë edhe ti ashtu!”

Krishti na fton t’u shërbejnë me dashuri të sinqertë e bujare vëllezërve, posaçërisht më nevojtarëve. Faqja ungjillore e kësaj së diele, na frymëzon posaçërisht me përgjigjen, që i jep Jezusi një dijetari të Ligjit, i cili e pyet: “Mësues, ç’duhet të bëj, për të fituar jetën e pasosur?”. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, me gjithë mendjen tënde! E të afërmin, si vetveten!”, përgjigjet Biri i Zotit. “Po kush është i afërmi im?”, vijon të pyesë dijetari i Ligjit. E atëherë Jezusi i përgjigjet me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë. Për të treguar, kështu, se na takon ne të bëhemi të afërmit e çdo njeriu, që ka nevojë për ndihmë.

Shëmbëlltyra, prandaj, duhet të na bindë ta ndryshojmë mendësinë tonë, sipas logjikës së Krishtit, që është logjika e dashurisë. Zoti është dashuri, e ta nderosh, do të thotë t’u shërbesh vëllezërve me dashuri të sinqertë e bujare.  Ky tregim ungjillor, nga Luka, që na rrëfen për Samaritanin e mirë, na kujton kriterin e masës, domethënë, na mëson se dashuria është universale, se nuk duhet t’i duam vetëm ata, të cilët na duan, por edhe nevojtarin, që nuk e njohim fare, që e takojmë rastësisht. Kushdo qoftë.

Përveç këtij rregulli universal, duhet kujtuar edhe një kërkesë veçanërisht kishtare: në Kishë, që është familje e vetme, asnjë anëtar nuk duhet të vuajë, sepse nevojtar. I krishteri duhet të ketë një zemër, që shikon ku ka nevojë për dashuri e që vepron, atje ku kjo dashuri e thërret. Prej kënde, t’i lutemi Zojës së Bekuar që të na prijë të gjithëve në udhën e shërbimit, të dashurisë e fesë.

                                              Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Lp 30, 10-14
Moisiu i mëson popullit të zgjedhur që vullnetin e Hyjit mund ta njohë dhe mund ta realizojë, nga momenti që Hyji i ka folur duke i zbuluar vullnetin e tij. Hyji i flet gjithmonë njeriut me qëllim që të depërtojë në zemrën e tij. Dhe Fjala e Hyjit realizohet vetëm kur pranohet me bindje.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli popullit dhe i tha: “Zoti do të bëjë të lumtur, por me kusht që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tij që janë të shkruar në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje; nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’ As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’ Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 19
Ligji i Zotit është i përsosur


I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, 
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

Leximi i dytë Kol 1, 15-20
Pali pohon se Jezu Krishti nuk mund të hyjë në një koncept njerëzor të ndërtuar nga njerëzit. Ai nuk mund të përdoret për të justifikuar zgjedhjet tona njerëzore. Ai gjendet në një nivel tjetër: është i parëlinduri i njerëzimit dhe ndriçon të ardhmen e njeriut, sepse është i vetmi që ka fituar mbi vdekjen. Me Të lind një njerëzim i ri, një ecje e pakthyeshme në historinë njerëzore. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Krishti Jezus është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, Aleluja.
Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve. Aleluja

Ungjilli Lk 10, 25-37
Kush është i afërmi? Në një farë kuptimi jemi ne vetë. I afërmi është ai që u afrohet më të largëtëve, atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Njerëzimi është në anët e rrugës, i shtypur dhe i përbuzur me gjithë shoqatat e bamirësisë dhe nismat për ndihmë. Por Krishti kalon akoma sot, dhe për të qëndruar afër njerëzve sillet si samaritani, i cili ishte i përbuzur nga shoqëria dhe nga feja zyrtare. Dashuria fiton mbi të gjitha vështirësitë dhe nuk ka ndarje mes miqve dhe armiqve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Iu përgjigj Jezusi: “Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?” Dijetari iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.” Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!” Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë. Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbje për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pas larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy dinarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ Cili prej këtyre të treve, të
thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti ashtu!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

12 korrik 2019, 18:49