Kërko

Mariapoli, Chiara Lubich në vitin 2003 Mariapoli, Chiara Lubich në vitin 2003 

“Lart e më lart”: në Tonadico, dëshmi për bashkimin e Evropës

Mariapolis i parë evropian i organizuar nga Lëvizja Fokolarine do të mbahet në malet e Trentinos, në Itali, ndërmjet korrikut dhe gushtit. 70 vjet pas përvojës ungjillore jetuar gjatë pushimeve nga Chiara Lubich dhe bashkësia fillestare e Fokolarinëve, kjo ngjarje është mesazh vëllazërimi në një botë të karakterizuar nga ndarjet.

R.SH. - Vatikan

Në malet e Trentinos, në Itali, ndërmjet korrikut dhe gushtit, do të mbahet Mariapolis-i i parë evropian i organizuar nga Lëvizja Fokolarine. 70 vjet pas përvojës ungjillore jetuar gjatë pushimeve nga Chiara Lubich dhe nga bashkësia fillestare e Fokolarinëve, kjo ngjarje është mesazh vëllazërimi në një botë të karakterizuar nga ndarjet.

         Në sfondin e një Evrope gjithnjë e më të fragmentuar, Lëvizja Fokolare propozon këtë verë një sfidë për unitetin, duke promovuar Mariapolis-in e parë evropian me temë: “Lart e më lart”. Do të mbahet në Tonadico të Dolomiteve, nga 14 korriku deri më 11 gusht, me pjesëmarrje nga të gjitha vendet evropiane. Pikërisht në Tonadico u mbajt i pari Mariapolis (qyteti i Marisë), 70 vjet më parë, në fillimet e Lëvizjes së themeluar nga Chiara Lubich. Kjo traditë vijoi çdo vit, duke organizuar gjatë pushimeve verore, një formë origjinale bashkëjetese të përkohshme, në të cilën pjesëmarrësit përpiqen të ndërtojnë një shoqëri të bazuar në vëllazërimin dhe dashurinë e ndërsjellë.

Njerëz të shumtë nga e gjithë Evropa marrin pjesë në këtë nismë

         Sapo u bë e njohur nisma, në pak javë, prenotimet për Mariapolis-in Evropian i tejkaluan shumë vendet e parashikuara në hotele, institute fetare, shtëpi dhe apartamente, në një rreze prej 30 kilometrash: gjithsej 2.500 vende, në katër javët e kësaj iniciative.

“Kemi bërë shumë për të pritur sa më shumë njerëz”, deklaron një nga drejtuesit, Peter Forst, duke shtuar se detyra, që i kishin vënë vetes organizatorët ishte mjaft e vështirë, “por – nënvizon ai - jemi të kënaqur me këtë entuziazëm kaq të madh”.

Maria Voce: ditë Parajse

         Ndërkohë, një ekip me anëtarë nga e gjithë Evropa, po e “eksperimenton” tashmë Mariapolis-in, pasi po përgatit programin 4-javor, i cili do të alternojë studimin me shkëmbimin e përvojës, me seminare e me forume. Por, edhe me shëtitje, ekskursione dhe ngjarje të ndryshme kulturore, me mundësinë për të zbuluar më mirë përvojën e veçantë të përjetuar nga Chiara Lubich në verën e vitit 1949, në Tonadico. Maria Voce, kryetarja aktuale e Lëvizjes Fokolare, pati marrë pjesë në Mariapolis-in e vitit 1959, të cilin e përshkruan në mikrofonin e Vatican News:

         Mariapolisi i parë u organizua në vitin 1949, gjatë pushimeve të Chiara-s me grupin e parë të fokolarinëve, ndër të cilët edhe fokolarini i parë i martuar, deputeti Igino Giordani. Pikërisht në këtë periudhë pushimi, Shpirti i Shenjtë i bëri Chiara-s dhe të tjerëve dhurata të veçanta drite. Pra, përjetuan një përvojë që pa dyshim ishte njerëzore, por edhe thellësisht shpirtërore – madje, mund të thuhet mistike. I bëri të jetojnë në një gjendje të veçantë: një jetë dashurie të ndërsjellë, dashurie ungjillore të ndierë plotësisht, prandaj, në fund, kishin përshtypjen se kishin kaluar një verë në Parajsë. Nga ky Mariapolis i parë lindën përvoja të tjera të ngjashme. Kjo jetë e përbashkët mund të provohet nga çdo lloj njeriu: nga të rinj e të rritur, nga laikë e meshtarë, nga katolikë e jo-katolikë, madje, edhe nga të pafetë. Kushdo mund të marrë pjesë, mjafton të pranojë ligjin e dashurisë së ndërsjelltë. Ky ka qenë gjithmonë kuptimi i të gjitha Mariapolis-eve.

         Edhe ju keni marrë pjesë për herë të parë në Mariapolis-in e Trentinos, në vitin 1959. Madje, aty e keni njohur Chiara Lubich. Ç’kuptim patën për ju ato takime e ato ditë të përjetuara në mal?

         Do të thosha ditë magjepsëse, ditë kur mungonin sendet më elementare materiale, prandaj, nuk kishte pjata për të gjithë, dyshekë, shtretër për të gjithë, por kur shkëmbehej kaq shumë dashuri sa gjithçka ishte e përbashkët, vështirësitë kaloheshin me gaz dhe, sidomos, shihej qartë ç’do të thoshte të ishe gati për të dhënë jetën për tjetrin, përtej çdo dallimi. Kjo ka qenë përvojë jashtëzakonisht e fuqishme për mua: njohja e Chiara-s... E kisha parë edhe më parë, por në atë çast e ndjeva veten pjesë e familjes së saj dhe pashë në të burimin e kësaj jete familjare.

         Përsa i përket Mariapolis-it evropian të kësaj vere, a mund të na thoni cili është qëllimi i tij?

         U mendua për të nxjerrë në pah dëshirën e popujve evropianë, të njerëzve të Evropës, që e jetojnë përshpirtërinë e Lëvizjes Fokolare dhe që ndiejnë nevojën për t’u takuar së paku një herë, që të dëshmojnë se udha e bashkimit, të cilën nganjëherë Evropa e bën me vështirësi, bëhet e mundur nëse vendosim në bazën e saj urdhërimin e dashurisë për tjetrin. Mariapolis-i Evropian dëshiron të japë pikërisht këtë dëshmi: dëshiron të jetë një nxitje, një ndihmë, një shembull edhe për popujt e tjerë të tokës, se njerëzimi mund të jetojë në vëllazërim universal.

10 korrik 2019, 14:28