Kërko

 Patriarku kaldeas i Irakut, kardinali Louis Sako Patriarku kaldeas i Irakut, kardinali Louis Sako 

Kriza SHBA-Iran. Kardinali Sako: njerëzit kanë frikë, ardhmëria, e paqartë

Tensioni ndërmjet Iranit e SHBA-ve, gjithnjë më i mprehtë, mund ta destabilizojë mbarë Lindjen e Mesme. Këtë nënvizon patriku i kaldejve, kardinali Luois Sako, duke shtuar se Iraku merr frymë në një klimë të ngarkuar me frikë!

R. SH. - Vatikan

Gjithnjë më shqetësuese retë e zeza, që dynden mbi zonën e Lindjes së Mesme e, në mënyrë të posaçme, mbi Vendet e Gjirit. Siç e kujtoi dje vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, imzot Bernardito Auza, duhet të gjindet një rrugëzgjidhje paqësore. Skena është tepër e rënduar me frymë konflikti, pas tërheqjes së njëanshme  të SHBA-ve nga marrëveshja për energjinë bërthamore me Teheranin. Këto ditë në ujërat e Gjirit u regjistruan episode të rënda, ndërmjet të cilave, rrëzimi i një droni amerikan dhe një sërë sulmesh mbi disa anije naftëmbajtëse, që mendohet të jenë vepër e pasdaran, rojeve revolucionare iraniane. Administrata amerikane reagoi, duke nisur përgatitjen  e forcave ushtarake e duke e bërë gjithnjë më të ashpër bllokimin ekonomik kundër Teheranit.

Kardinali Sako, që i ndjek me shqetësim të madh nga afër ngjarjet, nënvizon se një konflikt i mundshëm, do të ishte shkatrrimtar për gjithë Lindjen e Mesme. Prelati shpreh shqetësimin e njerëzve të thjeshtë, që nuk e dinë ç’do të ndodhë, e prandaj kanë edhe më shumë frikë. Ndërsa e ardhmja u duket krejt e pasigurt e lajmet, që vijnë çdo ditë, gjithnjë më të rënda. Luftat – pohon prelati - bëhen për interesa, por këto vende, që i kërcënohen njëri-tjetrit, duhet t’i zgjidhin problemet me dialog, jo me armë. Nuk duhet harruar se kur nis një luftë, nuk dihet kurrë si do të përfundojë! Dialog, prandaj. Me luftë të gjitha palët humbasin. E të gjithë duhet t’i bëjnë vetes pyetjen: “Pse gjithë këto lufta absurde?”.

25 korrik 2019, 12:51