Kërko

 Veprimtaria e Misionareve në Kongo, kundër ebolës Veprimtaria e Misionareve në Kongo, kundër ebolës 

Kongo: misionarët, pikëmbështetje për njerëzit e lënë në mëshirën e fatit

Kongo: misionarët janë pikëmbështetje për njerëzit, në një vend, ku nuk ka paqe. Jeta është tepër e vështirë, popullsia, e varfëruar në kulm, të rinjtë, pa shpresa për një ardhmëri më të mirë. Dëshmia e një Misionari, në Vatican News.

R. SH. - Vatikan

“Kushtet e jetesës nuk besoj se kanë ndryshuar shumë, në krahasim me vitet, kur isha atje, me mision. Popullsia jeton në varfëri të thellë”. Kështu shprehet atë Raffaele Mandolesi, 20 vjet me radhë misionar në zonën e Chivu-së së veriut, në intervistën dhënë Vatican News. Misionar i Urdhërit  të klerikëv rregulltarë minorë, të njohur me emrin “caracciolini”, u rikthye më 2006 në Itali, ku shërbeu 12 vjet rresht si Epror i përgjithshëm i Urdhërit. Sot e quan veten famullitar katundi. Vijon shërbimin  meshtarak në Villa Santa Maria, komune abruceze, ku lindi themeluesi i Urdhërit, Francesco Caracciolo. U ktheva - tregon - në Kongo, për një vizitë në bashkësi, ndërsa lajmet e reja tani i marr nga sivëllezërit, që jetojnë në zona të ndryshme të vendit”.

Si është situata në Republikën Demokratike të Kongos?

“I vetmi burim jetese është puna ndër ara. Është zonë e njohur për pasuritë e mëdha të nëntokës. Kjo pasuri tërheq shumkënd. Por qeveria qendrore  nuk di a nuk do ta shfrytëzojë si duhet pasurinë e vendit, në favor të banorëve, në favor të popullit, në favor të kombit. Një fjalë e urtë popullore thotë: ‘Mbi trojet më të pasura, fle populli më i varfër në botë’.  Leckamanë, që flejnë mbi diamante - këta janë kongolezët e kësaj zone, të   krijuar për të lulëzuar, ndërsa shkretohet për ditë e më shumë”.

Ç’mund të na thoni për gjendjen e të rinjve në vend?

“Shumë  e vështirë. Një mori të rinjsh janë krejtësisht të braktisur. Nuk dinë ç’të bëjnë e nuk kanë asnjë perspektivë për të ardhmen. Ka nga ata që hyjnë në grupet e armatosura e jetojnë me pushkë në dorë. Në lule të rinisë, e shfrytëzojnë armën si mjet për të jetuar…”.

Besoni se feja mund të japë  kontribut, në këtë situatë kaq të vështirë?

“Jam i bindur se feja e ndihmon shumë çdo njeri. Kjo është e qartë. Ne, për shembull, punojmë mjaft për bijësimet në distancë si dhe për formimin e njerëzve që nga kopshti - në unversitet. Por me ç’ rezultat? Këta të rinj, shpesh, pasi i kryejnë studimet, si marrin diplomën universitare, mbeten pa punë se pa punë. E ky është problemi më i mprehtë. Jam i bindur se prania e misionarëve në këto vise është mburojë për popullsinë, sepse në misionarin gjejnë gjithnjë pikëmbështetjen dhe mbrojtjen, aq të nevojshme për jetën, e ndjejnë se nuk janë krejtësisht të harruar, se është dikush që interesohet për zhvillimin e tyre. E kjo ka rëndësi të madhe!”.  

31 korrik 2019, 13:59