Ate Jak Marlekaj e ate Gjergj Fisha francescani albanesi Ate Jak Marlekaj e ate Gjergj Fisha francescani albanesi 

Atë Jakob Marlekaj, ofm. në përvjetorin e vdekjes

Atë Jakob Marlekaj ofm, në përvjetorin e vdekjes, një jetë në shërbim të Fesë e të Kombit, historianin i shquar e françeskanin shqiptar, ruajtës, kultivues e përhapës i gjuhës, historisë e kulturës shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Më 27 korrik, kujtojmë, Atë Jakob Marlekajn, në përvjetorin e vdekjes, historianin i shquar e françeskanin shqiptar, ruajtës, kultivues e përhapës i gjuhës, historisë e kulturës shqiptare.

Luigji, ky ishte emri që i vunë prindërit në pagëzim, lindi në fshatin Plan të Dukagjinit më 29 nëntor të vitit 1906 në familjen dukagjinase Marlekaj. Kur ishte ende i vogël, në Plan erdhi një famullitar i ri: Atë Justin Rrota, që hapi pranë kishës një qendër misionare. Aty mësuan shkrim e këndim shqip shumë malësorë të vegjël të Planit e të Gjurajve. Në mes tyre edhe Luigji i vogël, që u bë shpejt një nga nxënësit më të dashur të fratit- mësues, i cili, me miratimin e prindërve, e çoi të vijonte mësimet në shkollën françeskane në Shkodër, hapur që në vitin 1861 nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës.

Në vitin shkollor 1924-1925 u regjistrua në liceun françeskan Illyricum. Tashmë e kishte zgjedhur rrugën e vet, që do ta çonte larg nëpër universitete e kuvende të ndryshme françeskane të Italisë, duke nisur nga Firence, ku nisi studimet për të përfunduar në Bari, ku drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe e ku jetoi deri sa mbylli sytë, më 27 korrik të vitit 2003 në kuvendin e etërve françeskan në Bari të Italisë.

I la trashëgim kulturës shqiptare një pasuri të vërtetë shkrimesh, studimesh gjuhësore, hulumtimesh, dokumentesh, që ruhen në Bibliotekën e re françeskane në Shkodër. Prej tyre po kujtojmë vetëm veprën së cilës i kushtoi gjithë jetën mbi figurën madhore të ipeshkvin e teologut të madh shqiptar,: “Pjetër Bogdani dhe Shqipëria e kohës së tij”, botuar në Bari më 1989.

Ja edhe një përshkrim më të hollësishëm mbi figurën e jashtëzakonshme e kontributin e çmueshëm të Atë Jakob Marlekaj në fushën e kulturës së historisë së popullit shqiptar, nga Gjovalin Çuni

FRATI NDRIÇUES I TRADITAVE KULTURORE SHQIPTARE

Atë Jakob Marlekaj pjesën më të madhe e kaloi jashtë vendit pa reshtur asnjëherë së punuari për kishën, kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare.

Lindi me 29 nëntor 1906 në Plan të Dukagjinit, në familje te Tush Markut. Qe djali i fundit nder pesë vëllezërit. Emri i tij ishte Luigj. Mësimet e para i mori në vendlindje, nën kujdesin e atë Justin Rrotës , i cili e dërgoi për të vazhduar studimet në kolegjën françeskane, kur drejtor ishte atë Gjergj Fishta. Gjashtë vjet pasi frekuentoi këtë shkollë, u largua në vitin 1932 në Trashan, ku kryen njërën nga etapat më të rëndësishme të përgatitjes, atë të “noviciatit”.Në vitin 1925 kthehet përsëri në Shkodër për të përfunduar liceun “Illyricum”, maja më e lartë e kulturës shqiptare. Pas mbarimit të këtyre studimeve në vitin 1928 dërgohet nga eprorët e tij në Arezzo, ku përfundon studimet teologjike dhe bëhet prift më 14 korrik 1931, me emrin Jakë, emri i meshtarisë.

Mësimdhënës, drejtues e përkthyes

Kthehet në Shkodër në vitin 1932 ku i besohet detyra e mësimdhënësit në lëndët klasike, gjuhë e letërsi italiane. Në këtë periudhë 1932-1937 lindën revistat prestigjioze të kohës si “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout” , periodik të cilin do ta drejtojë vetë deri në vitin 1937. Gjatë viteve 1937-1940 prezentohet në faqet e kësaj reviste me përkthimin e librit për fëmijë “Zemër në Udhëtim “ e shkrimtarit Milly Donde, botur më vonë si libër në vehte me 206 f. Përkthimi dallohet për elegancë. Me vonë përkthen mjeshtërisht poemën melodramë të Fishtës “Jerina regina dei fiori”.

Profesori i Universiteteve italiane

Në vitin 1937 , atë Gjergj Fishta , atëherë Ministër Provincial i fretërve e dërgoi përsëri në Bolonjë të Italisë, Atë Marlekajn për të plotësuar studimet e larta. Marlekaj regjistrohet në fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Bolonjës, ku ndoqi kurset me drejtim filologjik-linguistik dhe në tetor 1941 mbron desertacionin “La grafia nell- uso degli scritori albanesi 1462-1908” duke patur si realtor prof. Gino Bottiglioni. Disertacioni i Marlekajt mori votat e plota dhe lavdërime nga vlerësuesit.

Kjo punë shkencore e tij është një kontribut me vlera për historinë e alfabetit të shqipes duke qenë ndër të parat trajtesa sistematike të këtij argumenti. Pas diplomimit, Atë Marlekajt iu besua detyra e lektorit të gjuhës shqipe, pranë Universitetit të Bolonjës e më vonë pranë Universitetit Katolik "Sacro Cuore" në Milano .

Studentët që frekuentonin kurset e tij ishin 120 . Së bashku me profesor G. Botiglioni kishin rënë dakord që të formonin pranë Institutit të Glotologjisë në Bolonjë, një Institut të studimeve albanologjike, por ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore e penguan ta realizonte këtë projekt.

Në vitin 1943, kur forcat aleate filluan të bombardojnë rrugët e komunikimit Atë Marlekaj u transferua në Milano ku jepte mësim në universitetin Katolik “Sacro Cuore” . Në gusht të vitit 1943 bombardimet shkatërruan pjesën më të madhe të Universitetit duke shënuar edhe largimin e të gjithë mësimdhënësve ndihmës, mes të cilëve edhe patër L. Marlekajn.

Studies i zellshëm i traditës kulturore shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe Marlekaj publikoi disa punime të shkurta, mes të cilave “Studi linguistici albanesi, Lanima dell albania nel canto di Giorgio Fishta”, Per lo stuido delle palatali albanese” si dhe fashikullin: Appunit del corso di lingue e leteratura albanese”

Më 6 mars 1954 fiton titullin "docent i lirë" me vlerësimin “ Doktor Marlekaj jep informacion të pasur dhe të saktë për letërsinë shqipe , përdor metoda shkencore në punët e tij, zotëron një përdorim elegant të gjuhës letrare, mund të emërohet”docent i lirë”. Në vitet e para të pasluftës Marlekaj rifilloi studimin e shkrimtarëve të vjetër, mes të cilëve edhe transkriptimin e “Pasqyrës të Rrëfyemit “ të Pjetër Bogdanit.

Në vitin 1952 publikon në revistën “Annali Lateranesi” një nga punimet më të rëndësishme shkencore “Aspetti di ospitalita indoeuropea presso gli Albanesi” Më 1961, transferohet në Bari si profesor i rregullt pranë Fakultetit Pedagogjik, ku dha mësim për më se 30 vjet në lëndët Gjuhë e Letërsi Shqipe. Shumica e nxënësve ishin italo-shqiptarë.

Marlekaj ishte bashkëpunëtor dhe anëtar i këshillit drejtues të revistës “Shejzat”, në të cilën publikoi herë pas here studime letrare dhe gjuhësore.

Në vitin 1956, në Palermo, me rastin e Kuvendit të Katërt Ndërkombëtar të studimeve Shqiptare, paraqiti temën “Guisepe sciro e le tradizioni populari albanesi”, publikuar më pas në Bari në vitin 1996. Një vit më vonë, në vitin 1966 u paraqit me temën “Scanderbeg nella tradizioni popolari".

Udhëtimet e shpeshta shkencore e shtynë drejt hulumtimeve në një sërë arkivash e bibliotekash, në kërkim të materialeve të panjohura apo pak të njohura. Në bibliotekën qendrore të Firences zbuloi një dorëshkrim të 1500-tës, “Vite uomini illustri antichi e moderni”, që përfshinte edhe jetën e Skënderbeut. Vendosi të studioj dorëshkrimin dhe e publikoi në Romë më titull, ”Vita di scanderbego di un storico cinquentista italiana”. Në mënyrë të veçantë Marlekaj i kushtoi shumë kohë njohjes dhe studimit të veprës së  shkrimtarëve të vjetër shqiptarë. Që nga vitet 40 të shekullit të kaluar ai u njoh me veprën e Buzukut, për të kaluar tek Budi, nga i cili ngeli pa u botuar Pasqyra e të Rrëfyerit, e pajisur me një hyrje dhe aparat kritik, e pastaj tek Bogdani.

Në vitin 1978 për shkak të moshës Marlekaj doli në pension, gjë që i la kohë t'i kushtohej tërësisht veprës më të rëndësishme të tij , “Pietro Bogdani e l/Albania del suo tempo" , "Pjeter Bogdani dhe Shqiperia e kohës së tij", punim që u publikua në vitin 1989. Jetës dhe veprës së Bogdanit, do t'i kushtojë rreth 25 vite studimi, që pasqyrohen në veprën që kemi përmendur më lartë. Kjo vepër është vlerësuar si monografia më e mirë botuar deri më sot për Bogdanin. Mbi argumentin ka mjaft teste që për shumë arsye ishin të panjohura, duke qenë pjesë e arkivave të mbyllura për publikun dhe të paarritshme për studiuesit shqiptarë të pasluftës. Kështu të dhëna të reja mbi jetën dhe veprën e Bogdanit riintrepretojnë dokumente të dorës së dytë ose të tretë natyrisht, pa mundur të shpërndajnë errësirën që rrethonte jetën e tij. Studimi i Marlekajt rikthen figurën reale të Bogdanit duke hedhur dritë mbi personalitetin e shkrimtarit më te rëndësishëm të letërsisë së vjetër shqiptare. Kohët e fundit, Marlekaj ishte duke përpunuar rishikimin e veprës së tij, të cilës do t'i bashkëngjitej edhe një kapitull i fundit që do të trajtonte historinë e errët të Bogdanit, të grindjeve të nipave të prelatit me jezuitët e Bohemisë

Biblioteka- bërthamë e bibliotekës së Provincës së re françeskane

Gjatë viteve të gjata të aktivitetit shkencor dhe didaktik, Marlekaj ka krijuar edhe një bibliotekë të pasur me 3000 libra, me argumente të ndryshme, para së gjithash në fushën e albanologjisë e gjuhësisë. Biblioteka e tij për një periudhë kohe u vendos pranë Kuvendit Franceskan, ngjitur me Kishën San Gregorio VII në Romë, nën kujdesin e P. Daniel Gjecajt, ish- nxënës i Marlekajt në liceun "Illyricum" të Shkodrës, vëlla e mik në emigrim. Ndërsa tani, librat e At. D. Gjecaj, P. Margjokës, e përbëjnë bërthamën e bibliotekës së re të provincës françeskane shqiptare, që ishte shkatërruar dhe shpërndarë në bibliotekat lokale, pas Luftës së dytë Botërore nga Qeveria komuniste. Përveç librave, pranë Kuvendit të Shën Antonit, në Bari, ku jetoi dhe punoi Marlekaj, ndodhen një grumbull mijëra kopjesh , riprodhimesh fotografike të dokumenteve të mëparshme të Shqipërisë së viteve 1700-ta.

Pas rihapjës së :” Hyllit të Dritës”, të ndaluar nga komunistët në vitin 1944, Marlekaj rifilloi bashkëpunimin më këtë revistë duke publikura periodikisht disa studime.

Vlerësimet për Marlekajn. Në vitin 1998 Këshilli shkencor i Institutit të Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Barit ka pranuar që një pjesë e veprës së Marlekajt të publikohet. Në motivacionin që e shoqëron botimin thuhet:" Publikimi i volumit të shkrimeve në nderë të Marlekajt, synon vetëm të nderojë njerën nga figurat më të shquara të albanologjisë ndërkombëtare. Prof Marlekaj ka dhenë një shërbim të vyer për një kohë të gjatë pranë Fakultetit të gjuhësisë në universitetin barez gjatë dhjetëra viteve të dhimbjes dhe vetizolimit kaotik dhe kulturor në të cilin ishte zhytur Atdheu i tij i origjinës. Falë aktivitetit shkencor e didaktik të tij, ai zgjoi vëmendjen dhe intersat e studiuesve italianë për historinë dhe kulturën e popullit shqiptar . Studimet e tij synojnë të nxjerrin në pah hershmërinë e traditave popullore shqiptare, historinë e gjuhës shqipe, origjinalitetin saj indoevropian ".

Më 14 janar 1997 , Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha i akordoi Jak Marlekajt Urdhërin e Artë “Naim Frashëri” me motivacionin, për kontributin e shquar në fushën shkencore albanologjike si dhe për zhvillimin e letërsisë shqipe. Atë Marlekaj përveç që u dallua si studiues, ai mbeti para së gjithash një frat i vogël shembullor, i përpiktë gjithnjë i gatshëm kundrejt çdokujt që kishte nevojë për një këshillë shpirtërore. Ishte jo vetëm mësues por edhe një dëshmitar apostolik.

Në figurën e tij janë mishëruar të gjitha llojet e personaliteteve si: prifti, diplomati, akademiku, mësuesi, kolegu, bashkëqytetari etj..

27 korrik 2019, 17:35