Kërko

 SHBA-Koreja e Veriut në Hanoi SHBA-Koreja e Veriut në Hanoi 

Ipeshkvijtë e Koresë së Jugut: shpresa për pajtim e unitet

“Urojmë që viti 2020, vit që na kujton 70-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Koresë, të jetë fillim i epokës së paqes, unitetit dhe kapërcimit të tragjedisë së ndarjes kombëtare”. Kështu u shpreh, në një mesazh, imzot Igino Kim Hee-jong, kryeipeshkëv i Gwangju dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore koreane, pas takimit të Presidenti të SHBA-ve, Trump me liderin verikorena, Kim Jong-un.

R. SH. - Vatikan

Takimi  u mbajt të dielë, më 30 qershor, në Panmunjom - nënvizon imzot Hee-jong - qytet simbol i ndarjes së gadishullit korean. Ngjarja – shton Prelati - “është gur kilometrik historik për paqen në gadishullin korean, në veri-lindjen aziatike e në botë”. Imzot Hee-jong kujton edhe se, më 25 qershorin e kaluar, me rastin e 69-vjetorit të “luftës vëllavrasëve të Koresë”, Kisha katolike kremtoi “Ditën e lutjes për pajtimin dhe bashkimin e popullit korean”, me temë “Lum veprimtarët e paqes”. Me këtë rast u kremtua edhe një “Meshë për paqen”, në Imjingak, një fshat në zonën e çmilitarizuar (e ashtuquajtura Dmz), në kufirin me Korenë e Veriut.

Mbështetje e inkurajim ndërkombëtar

“Kisha Katolike e Koresë kërkon të vijohen takimet e dialogut dhe të shkëmbimit e edhe që bashkësia ndërkombëtare të mos heqë dorë nga mbështetja dhe inkurajimi - shkruan Kryetari i ipeshkvijve - duke uruar që samiti i Koresë së Jugut, SHBA-ve e Koresë së Veriut, të sjellë “lajme të mira, që i japin fund ankthit e njëkohësisht, ngjallin shpresa të reja”. “Pavarësisht  nga të gjitha vështirësitë  e shtegtimit drejt paqes afatgjatë në Gadishullin Korean - përfundon ipeshkvi - “dita e pajtimit dhe e unitetit të koreanëve nuk do të jetë e largët”.

Papa: shembull i mirë i kulturës së takimit

Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, foli për takimin e Presidentit të SHBA-ve, i pari që hyri në Korenë e Veriut, me liderin verikorean Kim Jong-un në Panmunjom, mbi kufirin  ndërmjet dy Koreve.  

 “Orët e fundit asistuam, në Kore, një shembull të mirë të kulturës së takimit. I përshëndes protagonistët, duke u lutur që ky gjest domethënës të jetë një hap i ri përpara në udhën drejt paqes, jo vetëm për këtë gadishull, por për paqen në botën mbarë” - këto, fjalët plot shpresë të  Papës.

04 korrik 2019, 07:28