Shën Injaci i Lojolës Shën Injaci i Lojolës 

Papa kujton Shën Injacin e Lojolës, që u tërhoq nga lavdia e Zotit

Më 31 korrik Kisha kremton Shën Injacin e Lojolës, themelues i Shoqërisë së Jezusit. Papa e kujton në një tweet. Me atë Federico Lombardin, flasim për karizmën e Shenjtit, aktualitetin e tij dhe lidhjen me Papninë e Françeskut.

R. SH.- Vatikan

 “Shën Injaci i Lojolës, që e kujtojmë sot, si ushtar i ri mendonte për lavdinë e vet, por më pas u tërhoq fuqimisht nga Lavdia e Zotit, që i dha kuptim jetës së tij”. Kështu shkruan Papa në një tweet, botuar sot në faqen e tij të internetit @Pontifex. Jezuitët ndjehen posaçërisht në sintoni me Françeskun – pohon, në Vatican News atë Federico Lombardi, me të cilin kujtojmë karizmën e Shenjtit, aktualitetin dhe lidhjen me papninë e Françeskut.

Sintoni e veçantë, sepse edhe ai është jezuit,  ndonëse Shoqëria e Jezusit, që nga lindja e saj, e konsideron çdo Papë si eprorin e vet. Këtë pohon, në Vatikan News, Atë Federico Lombardi, kryetar i Këshillit të administratës së Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger - Benedikti XVI, me rastin e festës së Shën Injacit të Lojolës, duke nënvizuar tri pika kyçe të Papnisë së sotme: Kishën në dalje, shqyrtimin e sinodalitetin, simbolizuar nga populli për udhë, i prirë nga Shpirti Shenjt. “Jezuitët - saktëson - e jetojnë karizmën e Shën Injacit në shërbim, duke ndjekur pas Jezusin e duke u përpjekur t’i përngjasin sa më vërtetësisht e më thellësisht. E kjo do të thotë t’i ndihmosh njerëzit ta njohin Ungjillin e ta orientojnë mirë jetën e tyre. Duke hyrë më shumë në hollësisrat e veprimtarisë së jezuitëve, Atë Lombardi kujton edhe veprimtarinë misionare, si atë në Kinë, në Indi e në Amerikën Latine; binomin fe e kulturë, që i nxiti jezuitët të themelojnë e të drejtojnë shumë universitete e shkolla të të gjitha natyrave, në mbarë globin; e, së mbrami, veprimtarinë në periferitë e botës, kohët e fundit, përkrah imigrantëve”.

Atë Lombardi, ç’mund të na thoni për aktualitetin e Shën Injacit?

“Kemi dy përmasa: njëra, ajo e ndihmës, e frymëzimit, e kërkimit shpirtëror personal të secilit. Libri i ushtrimeve shpirtërore na ndihmon të kërkojmë vullnetin e Zotit për jetën tonë. Është mesazh universal, që jep Shën Injaci e që vlerësohet shumë edhe jashtë Kishës katolike. Pastaj, në  konkretizimin që ka, në Shoqërinë e Jezusit, domethënë në rregulltarët që  bashkohen si një trup i vetëm për ta ndjekur, bëhet karizmë, shërbim në kufijtë e Kishës e të botës, kudo ndjehet nevoja për t’i ndihmuar njerëzit të takojnë Zotin. Ja, pra, është shërbim, që zhvillohet edhe në përkim me kërkesat e Papës  e me nevojat më të mëdha të  Kishës universale”.

Cilat janë veprimtaritë më domethënëse të Shoqërisë gjatë historisë së saj shumëshekullore?  

“Nuk mund të flasim për ndonjë aktivitet të posaçëm kryer nga jezuitët. Por, natyrisht, në historinë e Kishës, jezuitët, me angazhimin misionar - për shembull, të misionarëve në Kinë, në Indi, në Amerikën Latine, e kështu me radhë - shkruan një epope të vërtetë të kumtimit të Ungjillit. E edhe sot misioni, në të gjitha format e veta, ndonëse kanë ndryshuar, vijon të jetë tejet aktual. Një aspekt tjetër, mjaft karakteristik, është  se,  duke qenë pakëz kjo sintezë përshpirtërie e kulture në formimin e Injacit e të shokëve të tij të parë, ishte e natyrshme që pastaj jezuitët t’i kushtonin shumë vëmendje fushës edukative. Shkollave e universiteteve. Në shekujt e parë të Shoqërisë kishte kolegje jezuitësh pothuajse në të gjitha qytetet e Evropës, e edhe sot kemi në botë universitete katolike, të mbajtura nga jezuitët. Në vitet  e fundit, në Shoqërinë e Jezuitëve u vu theksi  mbi fenë  dhe rolin e saj në aspektin e drejtësisë, me angazhimin në periferitë e botës, në situatat më të vështira. Tani ka shumë rëndësi shërbimi i jezuitëve për refugjatët dhe imigrantët, që nisi që në zanafillë të Shoqërisë. Por, duhet thënë se ky shërbim u bë përmasë shumë domethënëse, që përkon plotësisht me periferitë, për të cilat flet Françesku”.

Ndikimi i Shën Injacit mbi Papninë e Françeskut?

“Françesku është jezuit, e di, e pranon, e ndjen! Si jezuitë, aspektet në të cilat ndjehemi shumë në sintoni me Françeskun e me papninë e tij, janë tre: i pari është fakti i Kishës në dalje, për të cilin flet vazhdimisht; jezuitët ndjehen njerëz në mision, të dërguar për t’i shërbyer Zotit në kufij, në periferi, në të gjitha vendet e botës. I dyti, aspekti për të shkuar gjithnjë më përtej, dinamika e madhe, prirja për të mos e ndjerë veten të ngulur në një vend, por për ta kuptuar se Zoti na thërret të bëjmë gjithnjë një hap më përtej! Shën Injaci fliste për një lavdi gjithnjë më të madhe të Zotit, në kuptimin që nuk duhet të mendojmë kurrë se arritëm e se tani mund të rrijmë qetë-qetë. Sepse gjithçka është kryer. Françesku e ndjen thellë këtë dinamizëm; dinamizmin e popullit në ecje, popullit të Zotit, të shoqëruar nga Shpirti Shenjt, që shkon gjithnjë përtej sinodalitetit. Aspekti i tretë, mjaft karakteristik për jezuitët, është shqyrtimi. Këtë fjalë Françesku e përsërit vazhdimisht, duke nxitur për ta parë realitetin në gjithë kompleksitetin e tij, si në jetët tona, ashtu edhe në mënyrën si e përballojnë Kisha e njerëzimi. Kjo do të thotë se duhet të zgjedhim rrugën më të mirë për të realizuar planin e Zotit, e, prej këndej, edhe vetveten, kështu si jemi e si na thërret Zoti, në shërbim të Kishës”.

Mund të na thoni diçka për lidhjet e Papës Françesku me Shoqërinë e Jezusit?

“Shoqëria e Jezusit sillet me Papën Françesku, si me të gjithë Papët, duke u vënë në dispozicion. E shikon Papën si eprorin e vet. Natyrisht me Françeskun është edhe sintonia shpirtërore, që e lehtëson mirëkuptimin,  sepse edhe ai është jezuit. Prej këndej, ka marrëdhënie normale me njerëz që i njeh e me të cilët është shpitërisht pranë historikisht. Por nuk janë marrëdhënie privilegjesh të veçanta, as vetë jezuitët nuk dëshirojnë të jenë të privilegjuar. Duan vetëm ta kryejnë sa më mirë shërbimin, ashtu si u kërkon Papa. Sot Papa është jezuit  e kënaqemi duke i shërbyer sa më më mirë që mundemi”.

31 korrik 2019, 12:57