Pashk Ndoj - ordinazione diaconale Cattedrale di Lezha Albania1.jpg

Imzot Vitale: diakoni është zemra, fytyra e duart e ipeshkvit, shprehje e dashurisë bamirëse

Imzot Ottavio Vitali diakonit të ri dom Pashk Ndojt, “në diakonat bëhesh pjesëmarrës i zemrës së Ipeshkvit, dashuria bamirëse e Ipeshkvit ka një fytyrë dhe dy duar më shumë, që të mund të arrijë në të gjitha anët e Kishës dioqezane".

R.SH. - Vatikan

Dje më 29 qershor, në ora 19.00  në Katedralen e Shën N'kollit në Lezhë, në festën e Shën Pjetrit e Palit Apostuj, u kremtua nga Imzot Ottavio Vitale shugurimi diakon i seminaristit nga Domgjoni, me banim në Shënkollë të Lezhës, dom Pashk Ndoj.

Në Kishën katedrale të dioqezës së Lezhës, mbushur me besimtarë, familjarë e miq të diakonit të ri dom Pashk Ndojt, Imzot Ottavio Vitale, kryesoi, në bashkëkremtim me ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë tjerë, Meshën solemne dhe ritin e shugurimit diakonal, me simbolet e veçanta liturgjike. Në mënyrë të veçantë, imzot Ottavio nënvizoi faktin se personi “në diakonat bëhesh pjesëmarrës i zemrës së Ipeshkvit, sepse dashuria e Ipeshkvit nuk mund të arrijë në të gjitha anët e Kishës dioqezane, prandaj, në këtë ditë shugurimi diakonal, dashuria bamirëse e Ipeshkvit ka një fytyrë dhe dy duar më shumë! Sepse më e madhja ndër të gjitha është dashuria, agàpe».

Seminaristi Pashk Ndoj që u shugurua dje diakon, nga dora e ipeshkvit të Lezhës imzot Ottavio Vitale, tha: “Ndjeva se Zoti më donte me një ngrohtësi, që nuk e kisha provuar kurrë, Zoti më befasoi e unë befasova vetveten, duke marrë guximin t’i përgjigjem me një ‘po’, të dalë nga zemra, thirrjes, që po ma drejtonte me aq dashuri”. 

Në vijim ju propozojmë homelinë e ipeshkvit të Lezhës, Imzot Ottavio Vitale, mbajtur dje në Katedralen e Shën Nikollit, me rastin e shugurimit diakonal të seminaristit Pashk Ndoj

Lezhë, 29/06/2019

Homelia në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal  me rastin e shugurimit Diakonal të Pashk Ndojit

Shumë të dashur vëllezër dhe motra,

jemi duke kremtuar Festën e Shenjtërve Pjetrit dhe Palit dhe gjatë këtij kremtimi seminaristi ynë, Pashku, do të shugurohet diakon. Le ti shohim këta dy apostuj të mëdhenj. Ne i identifikojmë me shenjën që ata mbartin. Pjetri mbart çelësat. Pali ka shpatën dhe librin. Çdo apostull ka simbolin e vet. Këto na kujtojnë misionin dhe martirizimin e tyre. Duke kremtuar këtë festë, le ta quajmë ‘të përbashkët’, sjellim në mend faktin se ata kanë realizuar të njëjtin mision në dy mënyra të ndryshme, siç lutemi edhe në Prefacionin e Meshës: “Ti (o Atë) ke dashur të bashkosh në vëllazëri të gëzueshme dy apostujt e shenjtë: Pjetri, i cili i pari e shpalli fenë në Krishtin, ndërsa Pali na shndriti rreth thellësive të misterit; peshkatari i Galilesë, që themeloi bashkësinë e parë me të drejtët e Izraelit, Pali si doktor dhe mësues, që i shpalli shpëtimin të gjithë popujve. Kështu me dhurata të ndryshme kanë ndërtuar të njëjtën kishë”.

Pjetri ungjillëzoi judenjtë, ndërsa Pali paganët. Vuajtën martirizimin në Romë, në mënyra të ndryshme: Pjetri qe kryqëzuar. Pali, për faktin se pati të drejtat romake, nuk u krzqëzua, por atij i qe prerë koka. Në të njëjtën ditë. Të bashkuar në mision, tw bashkuar në dëshminë përfundimtare. Të bashkuar në kremtim. Kisha i kremton me gëzim të madh, edhe popullor, pasi që të dy këta apostuj na dhuruan farën e parë të fesë (kolekta). Ata janë lidhja jonë e drejtpërdrejtë me Zotin Jezus të Ringjallur të Cilit i qenë dëshmitarë. Kur sjellim në mend simbolin e Pjetrit, d.m.th. çelesat, mendojmë misionin e tij për të mbydhur me qëllim që të ruaj. Papa Françesku ka thënë: “Preferoj njëmijë herë një Kishë të aksidentuar, sesa një Kishë të sëmurë dhe të mbydhur, e sëmurë sepse e mbydhur. Dilni jashtë, dilni!”.

Urdhri është për të shkuar përpara. Dhe me të drejtë ka qenë pikërisht kjo që kanë bërë Pjetri dhe Pali, ecja përpara me Fjalën duke mbrojtur të drejtat e të gjithëve që të gjithë t’ia arrinin, në liri, besimit në Krishtin. Ata luftuan shumë për Ungjill. Kush ka takuar Krishtin nuk arrin të qëndrojë mbydhur me Lajmin e Mirë vetëm për vete. Zelli i tyre misionar vjen nga besimi i tyre i pa kushtëzuar. Ungjilli tregon shpalljen e fesë që është në qënder. Pjetri ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet e Jezusit deri në shpalljen e dashurisë (Gjn 21, 17): “Ti di gjithçka, ti e di se të dua”, edhe në dobësi. Feja është një akt i dashurisë. Pali thotë: “Ruajeni fenë”. Ajo për të ishte gjithçka, deri në atë pikë sa të ishtë një me Krishtin: “Nuk jetoj më unë, por Krishti në mua” (Gal 2, 20).

Në momentin e vështirësë ata mundën të ndjejnë dhe të shpallin praninë e Krishtit përkrah tyre. Kjo nuk i liroi nga vuajtja, por i ruajti deri edhe nga goja e luanit. E gjithë kjo në mënyrë që mesazhi të shpallej i plotë dhe të dëgjohej nga të gjithë popujt (krh 2Tim 7, 17). Feja na çon drejt sjelljeve të qëndresës, të forcës së brendshme, dhe në një kreativitet shpirtëror përmbi çdo limit. Pjetri dhe Pali e çojnë mesazhin e Ungjillit si fryt të një vendimi të jetës për Krishtin. Nuk kanë interesa të tjera. Këta njerëz u desh që të shkëputeshin me një të kaluar judaike të cilën në fakt e donin.  

Shumë i dashur Pashk,

dëshiroj këtë mbrëmje të të besoj veçanërisht në duart e këtyre dy apostujve të mëdhenj që të gjesh në ta fenë e cila të çon në qëndrimet e forcës së shpirtit, qëndresës dhe dashurisë vëllazërore kundrejt të tjerëve. Ata të dhurofshin atë dashuri që i bëri solidalë dhe të kujdesshëm me vëllezërit që Zoti ua kishte besuar.

Misioni i tyre është një mision që duhet të vazhdojë edhe përmes shërbimit diakonal dhe kjo le të ta bëjë të mundur të ndjekësh mësimet e këtyre apostujve që kanë dhënë farën e parë të fesë.

Diakonati është kryesisht “shërbesa e dashurisë” e cila nuk hidhet pas shpatullave për faktin se mund të bëhemi priftërinj apo Ipeshkvinj. Duhet të mësojmë edhe nga dashuria e prindërve tanë, të gjyshërve tanë, të personave që na kanë dashur të mirën, të cilët na kanë mësuar këtë gjë: ‘Që mund të bëjmë shumë xheste dashurie, por ajo që vlen është kjo: nëse duke bërë këto xheste dhurimi, nuk pohoj dhe imponoj un-in tim, por kontriboj që të rriten marrëdhënie të mira!’.

«Gjatë ritit të shugurimit do të vini re një gjë të veçantë, e cila ekziston vetëm në ritin e shugurimit diakonal: vetëm Ipeshkvi vë duart mbi kokën e diakonit, ndërsa në shugurim të meshtarëve dhe Ipeshkvinjve, të gjithë vëllezërit meshtarë dhe të gjithë Ipeshkvinjtë e pranishëm vënë duart mbi kokën e kandidatit! Çfarë do të thotë kjo? Më pëlqen ta shpjegoj kështu i dashur Pashk: ti në diakonat bëhësh pjesëmarrës i zemrës së Ipeshkvit, sepse dashuria e Ipeshkvit nuk mund të arrijë në të gjitha anët, e pra, në këtë ditë dashuria bamirëse e Ipeshkvit ka një fytyrë dhe dy duar më shumë! Sepse më e madhja ndër të gjitha është dashuria, agàpe».

Dëshiroj të përfundoj duke falënderuar mbi të gjitha prindërit e tu dhe familjen tënde sepse të kanë shoqëruar, mbështetur dhe inkurajuar gjatë këtyre viteve të formimit dhe atyre u kërkoj njëkohësiht që të vazhdojnë të të mbështesin dhe të shoqërojnë, mbi të gjitha me lutje.

Gjithashtu falënderoj formuesit e tu që në këto vite formimi në Seminar janë kujdesur për ty dhe kanë ditur në mënyrë të lavdërueshme të të ndihmojnë që të dalloje të bëje zgjedhjet më të drejta dhe të nevojshme për jetën tënde.

Kërkoj për ty mbrojtjen e Nënës tonë të Këshillit të Mirë, të Shenjtës Nënës Terezë të Kalkutës dhe të të Lumëve Martirëve tanë të Shqipërisë. Kurrë mos të mungoftë mbrojtja e tyre, të shoqërofshin dhe të ndihmofshin mbi të gjitha në momentet më të vështira dhe mbi ty e kërkoj bekimin e tyre. Amen.

01 korrik 2019, 15:49