Konferenca e shtypit e imzot Svjatoslav Ševčuk - Ukraina Konferenca e shtypit e imzot Svjatoslav Ševčuk - Ukraina 

Imzot Schevchuk: e ftuam Papën në Ukrainë, për të ndalur luftën

“Erdhëm në Vatikan pas presidentit Putin dhe i çliruam njerëzit nga helmi i propagandës”: kështu, kryeipeshkvi i madh i Kishës greko-katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Schevchuk, pas takimit dy-ditor me Papën Françesku.

R.SH. - Vatikan

Kisha greko-katolike e Ukrainës i kërkoi Papës Françesku të shkojë për vizitë në vendin, që është në konflikt me Rusinë për çështjen e Krimesë. “Ne besojmë se vizita e tij do të ishte mundësi konkrete për t’i dhënë fund luftës. Shumë mendojnë që nëse Papa prek tokën e Ukrainës, lufta do të përfundojë. Edhe presidenti Putin mund ta kuptojë një gjest të tillë”: këto janë fjalët, që u tha gazetarëve, në një konferencë për shtyp, kryeipeshkvi i madh i Kishës greko-katolike të Ukrainës, imzot Sviatoslav Schevchuk, i cili, së bashku me anëtarët e Sinodit, u takua për dy ditë me radhë me Papën Françesku, në Vatikan, menjëherë pasi Ati i Shenjtë ishte takuar me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin. Bergoglio, sipas kryeipeshkvit, është përgjigjur: “Do të mendoj për këtë”.

Në pesë vite konflikt, 13 mijë viktima

         Gjatë konferencës së mbajtur dje, pikërisht në selinë e Radio Vatikanit, imzot Schevchuk foli edhe për gjendjen në vend, ku, gjatë pesë viteve të konfliktit, kanë humbur jetën 13 mijë vetë, “sipas shifrave zyrtare, prandaj duhet llogaritur dyfishi”, komentoi ai. 30 mijë të plagosurit e, të shumtë, fëmijët, që kanë mbetur të gjymtë nga shpërthimi i bombave.  Nuk respektohet asnjë e drejtë ndërkombëtare: “Në dy javët e fundit – njoftoi imzot Schevchuk – janë vrarë katër mjekë dhe janë bombarduar ambulancat”.

         “Luftë e harruar”, e quan kryeipeshkvi konfliktin në Ukrainë, duke u bërë zëdhënës i popullit të vuajtur. Ati i Shenjtë, tregoi më pas imzot Schevchuk, u interesua sidomos për fëmijët, që kanë nevojë për kurim dhe rehabilitim”.

Papa, “zëdhënësi ynë në takimin me Putin”

         E gazetarëve, që i vinin në dukje se vizita e Kishës greko-katolike të Ukrainës në Vatikan u bë një ditë pas asaj të presidentit rus, Vladimir Putin, kryeipeshkvi iu përgjigj me ironi: “Takimi ynë ishte njoftuar më parë dhe, gjithsesi, patëm mundësinë të thoshim fjalën e fundit, t’i çlironim njerëzit nga helmi i propagandës. Jemi të sigurt se Papa ka qenë zëdhënësi ynë në atë takim” me Putin. “Morëm vesh - vazhdoi ai - se është arritur një marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe spitalit ‘Bambino Gesù’ për zhvillimin e pediatrisë. Ndoshta, mund të kërkojmë praninë e mjekëve të këtij spitali edhe në Ukrainë”.

         Imzot Schevchuk foli për planin humanitar të dëshiruar nga Papa, që po ndihmon zonën më të prekur nga konflikti, atë të Donbass. “Njerëzit derdhin lot kur mbërrijnë ndihmat, jo vetëm për sendet që u jepen, por pse e ndiejnë se nuk janë harruar”.

Zgjedhjet në Ukrainë dhe eksodi i të rinjve

         Pastaj, kryeipeshkvi ukrainas foli për zgjedhjet e ardhshme në vend: “Nuk mbështesim asnjë parti politike, mbrojmë shtetin dhe vlerat e tij”. Së fundi, eksodi i të rinjve ukrainas: një milion në vit largohen nga vendi. “Trajtojini mirë,  ata janë pjesa më e mirë e Ukrainës e, sidomos paguajini si duhet”: kjo thirrja e zjarrtë e kryeipeshkvit.

09 korrik 2019, 14:23