Kërko

 Ndërhyrjet e para në katedralen "Shën Maria e Parisit" Ndërhyrjet e para në katedralen "Shën Maria e Parisit" 

Imzot Patrick Chauvet: Notre-Dame de Paris nuk do të jetë kurrë muze!

Francë: Intervistë me rektorin e Katedrales të Shën Marisë së Parisit, imzot Patrick Chauvet, tre muaj pas rënies së zjarrit, që dëmtoi rëndë një nga kishat më në zë të botës. Si është Katedralja sot?

R. SH. - Vatikan

Më 15 prillin e kaluar, katedralja e Shën Marisë së Parisit u dëmtua rëndë nga një zjarr i tmerrshëm. Ishte pamje tronditëse, gati-gati irreale, që vijonte, e ndjekur nga sytë e tmerruar të mbarë botës. Nuk mund të mos pyesim, prandaj: “Ku kanë arritur, pas tre muajsh, punimet për t’ia rikthyer katedrales shkëlqimin e parë?

Silueta e saj e fisme e madhështore mbretëron përsëri në mes të Ile de la Cité, edhe pse plagët, që i shkaktoi zjarri, janë të shumta e bien menjëherë në sy. Sheshi para ndërtesës është ende i papërdorshëm ndërsa pamja e brendshme, spektakulare, të krijon përshtypjen e një kantieri vigan. Dy robotë punojnë për të pastruar grumbujt e rrënojave në navatën qëndrore, ndërsa vijon përpjekja për ta siguruar ndërtesën, duke parandaluar rrezikun e rënies së gurëve nga çatia. Punët shkojnë përpara me vrull. Ministri i Kulturës, Franck Riester e vizitoi personalisht katedralen, të nesërmen e miratimit të një projekti për restaurimin i cili, për fat të mirë a të keq, nuk u pëlqen aspak banorëve. Ndonëse për restaurimin nuk mund të bëhet fjalë akoma. Tre muaj pas zjarrit, çka duhet bërë me urgjencë, është të shmanget rreziku i shembjes së qemerit. Prandaj mendohet se faza e restaurimit mund të nisë vetëm në fillim të vitit 2020.

Rektori i katedrales, që i ndjek nga afër punimet, pohon: “Misioni im është prania. Ndërmjetësimi tek autoritetet, në emër të Kishës katolike. E këtu duhet kujtuar se Shën Maria e Parisit, e nisur më 1160, e përfunduar më 1250, e restauruar disa herë, e rrënuar në valën e lëvizjeve revolucionare, e rindërtuar në kohën e Napoleonit, që u kurorëzua solemnisht Perandor i Francezëve para altarit të saj të madh, më 18 prill 1802, sot  është pronë e shtetit, lënë, për përdorim, Kishës Katolike.

E pikërisht në emër të kësaj Kishe, imzot Chauve u kujton autoriteteve se Kisha e Shën Marisë është katedër e kryeipeshkvit të Parisit, por më shumë akoma, “vend që shërben për kremtime, lutje e për të lavdëruar Zotin”, e jo  muze, a thjesht monument kombëtar.

Si rektor i katedrales, imzot Chauvet është edhe garant për “ndjekjen e punimeve të rindërtimit të Shën Marisë”. Në këtë këndvështrim, tërësia  e rindërtimit duhet të respektojë  strukturën e shekullit XII, e cila, për fat ruhet mjaft mirë. Nuk është serioze, prandaj, të mendohet për projekte shpesh ekstravagante, që nuk mund as nuk duhen propozuar në këtë kuadër. Prirja e mundshme për modernizim, nuk mund të  prekë çka nuk duhet prekur. Një çikje moderniste mund t’i bëhet,  për shembull, majës së mprehtë, tipike për stilin gotik, që në frengjisht quhet ‘flèche’, e që e pamë të gjithë, me trishtim të thellë, kur shembej nga zjarri. Qe realizuar nga Eugène Viollet Le Duc, në rrethana po kaq dramatike, si të sotmet, kur me restaurimin e katedrales merreshin personalitetet më në zë të kulturës franceze. Viktor Hugo, për shembull, autori i romanit të famshëm “Shën Maria e Parisit”, poeti Alfred de Vigny, Prosper Mérimée dhe emra të tjerë, të famshëm edhe sot e kësaj dite. “Disa kërkojnë ndërhyrje arkitekturore bashkëkohore”, të tjerë “e duan katedralen e tyre pikë për pikë siç ishte”. Për rektorin e katedrales, ky rindërtim nuk bëhet “për “shihni botë”, por për harmonizimin e restaurimit me atë, që mbetet prej ndërtesës.  E përsa u përket shtatoreve të çatisë, të zhvendosura pak para zjarrit, për t’u restauruar, ato duhen vendosur përsëri pikërisht aty ku ishin.

Një zjarr, që dogji ndërtesën, po rindezi fenë

Më 15 prill 2019, turma pa fund njerëzish shikonin, krejt pa forcë për të ndërhyrë, gjuhët e flakëve që përpinin një pjesë të mirë të katedrales. Te këmbët e saj, parizianët, në gjunjë, i luteshin me zjarrin e zemrës Nënës së Zotit ta shpëtonte shtëpinë e saj pariziane, ndërsa zjarrfikësit përpiqeshin t’ia nxirnin të pacënuara, 850 vjet pasi ishte ndërtuar, thesaret e ruajtura me aq dashuri. Këto skena i pa gjithë bota brenda sekondit. Ishte pamje danteske, apokaliptike, tejet e rëndë për sytë e njeriut të gjallë! Për më tepër, ngjarja ndodhte në Javën e Madhe, në rrethanat kishtare më delikate. Kjo dramë u interpretua si sinjal i zgjimit të fesë - kujton imzot Chauvet. - Dëshmitë e panumërta, që mblodha gjatë e pas kësaj nate tragjike, vërtetojnë plotësisht se ky zjarr, më shumë se Katedralen, ndezi fenë ndër zemra. Jo për t’i djegur. Për t’i ngrohur! Nuk ishte zjarr i madh, por rizgjim i madh!

Ai vetë ruan një kujtim të paharrueshëm të asaj mbrëmjeje; ishte nga të parët që vrapoi drejt ndërtesës në flakë. E i pari, që hyri në Kishë e pa, i mrekulluar, Kryqin, të pacënuar, në mes të flakëve e gërmadhave tymuese. E edhe Zojën e Dhimbshme, gjithashtu të paprekur. Imzot Chauvet rrëfen: “Në ato çaste m’u duk se Zoti na kishte braktisur, se na kishte lënë vetëm, në dhimbjen e papërshkrueshme të atij muzgu. Por kësaj ndjesie shumë shpejt ia zuri vendin besimi i pakufishëm. Ndonëse - përfundon - nuk e kam marrë ende përgjigjen për pyetjen, që e përsërisja papushim atë natë të kobshme, ndriçuar nga Katedralja e kthyer në pishtar vigan: ‘Pse?’. Besoj se do ta marr një ditë!”.

29 korrik 2019, 11:27