Kërko

 Imzot Azuaje Imzot Azuaje 

Imzot Azuaje: “Mirënjohje Papës! Pa ndryshime politike, nuk mund të ketë asnjë ndryshim tjetër”.

Për të dalë nga kriza, duhet shkuar tek kutitë e votimit. Kështu, në një intervistë, José Luis Azuaje Ayala, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore venezuelane i shpreh, në emër të të gjithë ipeshkvijve, mirënjohjen Papës për afërsinë e tij ndaj Venezuelës.

R. SH. - Vatikan

Mungesë ushqimesh e ilaçesh, çrregullime në furnizimin me ujë dhe dritë elektrike e në  transport. Kjo, situata në Venezuelë, ku më se 6 milionë njerëz jetojnë në gjendje dramatike e 4 milionë të tjerë janë larguar nga vendi. Për të flet kryetari i Konferencës ipeshkvnore venezuelane, imzot José Luis Azuaje Ayala, në një intervistë të gjatë, në spanjisht, dhënë Vatican News, menjëherë pas thirrjes së Papës Françesku në lutjen e  Engjëllit të Tënzot. Dje Papa i shprehu përsëri afërsinë e tij popullit të dashur venezuelan, që po vuan kaq shumë, i kapërthyer siç është, nga kriza e rëndë, e gjithanshme. Duke uruar të arrihet sa më shpejt një marrëveshje, për të mirën e vendit. Javën e kaluar, në nxitjen baritore, në përfundim të asamblesë së tyre plenare, edhe ipeshkvijtë venezuelanë kërkuan ndryshimin e shpejtë të situatës, për t’i dhënë fund krizës: ndeshjes ndërmjet presidentit Maduro dhe kreut të opozitës, kryetarit të parlamentit, Juan Guaido. Ndeshje, haraçin tejet të rëndë të së cilës vijon ta paguajë populli i thjeshtë.

Pa ndryshime politike, nuk mund të ketë as ndryshime ekonomike e shoqërore

Pa ndryshime politike, nuk mund të ketë as ndryshime ekonomike e shoqërore. Rruga e vetme është ajo e zgjedhjeve, siç e kujton edhe Kushtetuta. E duhet një proces elektoral me garanci, me të drejtë votimi edhe për të ikurit jashtë vendi, nën mbikqyrjen e rreptë të organizmave ndërkombëtare. Përndryshe gjithçka kthehet në farsë e historia vazhdon! Ky, qëndrimi i imzot Azuaje, i shprehur përmes intervistës. “Paaftësia e regjimit, që qeveris, ka bërë që popullsisë t’i mungojnë edhe shërbimet më të domosdoshme për jetesë - kujton prelati. - Më se një herë - vijon, duke marrë si shembull zonën e Maracaibos, zona e tij - çdo 5-6 orë shuhen dritat e për të gjetur 50 litra benzinë, duhet të humbasësh një ditë të tërë. “Mendojmë se qeveria e mban ilegalisht pushtetin” - pohon akoma - duke theksuar se kjo ka pasoja ligjore. Kujton, pastaj, edhe dramën e atyre, që vendosin të ikin nga vendi, duke mos e duruar më situatën çnjerëzore. Shumë prej tyre, 12 deri në 14% e popullsisë - kujton me dhimbje ipeshkvi -  janë protagonistë të një akti tjetër, që lidhet me probleme të tjera, si ai trafikut dhe i skllavërimit të njerëzve. E ndodh që nënat nuk e dinë ku i kanë fëmijët, të cilët sigurisht përdoren si skllevër”.

Qeveria është e shkëputur nga njerëzit

Prelati  kujton edhe takimin me Komisarin e Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet që, në një raport të paraqitur muajin e kaluar, denoncoi shkeljen e të drejtave të njeriut në Venezuelë. Kundër këtij raporti dje protestuan në sheshe forcat, që mbështesin presidentin Maduro, i cili nuk e pranon akuzën. Sipas imzot Azuaje, qeveria nuk ka kontakte me njerëzit, nuk i bëhet vonë fare për vuajtjet e tyre. Di vetëm çka shikohet në programet televizive! Ka mbetur e burgosur në burgun e ideologjisë së vet! E pikërisht shkelja e të drejtave politike, ekonomike e shoqërore i shtyn venezuelanët të ikin nga vendi  “i shpresave të humbura”.  Ngjarja e fundit - vijon - është vdekja e ushtarëve, duke përfshirë edhe studentët e rinj, siç ndodhi me të riun në Táchira, që u verbua, pas plagosjes nga policia e shtetit.

Mirënjohje Papës, për afërsinë

Lidhur me ndihmat, ipeshkvi nënvizon se nevojat janë shumë më të mëdha. Ndërsa, në përfundim, i shpreh mirënjohjen Papës dhe Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për vëmendjen ndaj Venezuelës e situatës dramatike, që po jeton! “Prandaj - nënvizon - ne, ipeshkvijtë, ashtu si edhe  mbarë venezuelanët, e falënderojmë Atin e Shenjtë për gjithë çka po bën për vendin tonë, gjë që do të mbetet në histori e do të dalë në dritë. E jo vetëm qëndrimi, që po mban për Venezuelën, por edhe për sa e sa vise të vuajtura, të cilat kanë aq shumë nevojë që dikush ta flasë një fjalë, që ta marrë vesh mbarë bota tragjedinë e tyre!”.

15 korrik 2019, 16:08