Kërko

 Atë Gerard Francisco TIMONER Atë Gerard Francisco TIMONER 

Filipinasi Gerard Timoner III, mjeshtri i ri i Urdhërit të Predikatarëve

Kapitulli i përgjithshëm i domenikanëve, hapur në Vietnam, më 8 korrik, zgjodhi Gerard Timoner III, mjeshtër të ri të Urdhërit të Predikatarëve.

R. SH. - Vatikan

Gerard Francisco Timoner III,  51 vjeç, filipinas, është i pari aziatik, që do t’u prijë domenikanëve. “Esenca e Kishës - tha menjëherë pas emërimit -është bashkimi, që konkretizohet në mënyrë të jashtëzakonshme, kur sivëllezërit kremtojnë së bashku Eukaristinë”.

 Bashkim vëllezërish

“Ne, domenikanët, duhet t’i shërbejmë Kishës me gjithë çka jemi: domethënë, si bashkim vëllezërish. Duhet ta ndihmojmë Kishën të bëhet  bashkim i fuqishëm. Pa shikuar vazhdimisht veten, por Kishën, të cilën duhet ta ndihmojmë të shërbejë e të ndërtojë!”. “Sivëllezërit, kur erdhën të më urojnë menjëherë pas zgjedhjes - shtoi -  më thanë se do të luten për mua, e kjo më mbushi me guxim për ta kryer sa më mirë misionin tim”.

Një vështrim jo evropian

Per Miguel Ángel del Río, mëkëmbës i Mjeshtrit të Urdhërit, Gerard Timoner III mund t’i sjellë shumë gjëra të mira domenikanëve, ndërmjet të cilave, një vështrim jo evropian. “Shumica e mjeshtrave të Urdhërit kanë qenë evropianë, i kanë parë me sy evropian problemet. Ai sigurisht do t’i shikojë me një sy tjetër, aziatik”- kujtoi.

Më 2014-tën mjeshtri i ri i domenikanëve u zgjodh nga Papa Françesku anëtar i Komisionit teologjik ndërkombëtar, themeluar nga  Pali VI më 11 prill 1969, për të ndihmuar Selinë e Shenjtë në shqyrtimin e çështjeve doktrinore më të rëndësishme e më aktuale.

13 korrik 2019, 18:41