Kërko

 Bazilika e Shën Françeskut të Asizit Bazilika e Shën Françeskut të Asizit 

Ekumenizëm, Sae në Asizi, nga ana e të varfërve

“Kishat përballë pasurisë, varfërisë e të mirave, që prodhon toka jonë”. Kjo, tema e Sesionit të 56-të të formimit të Sekretarisë për veprimtaritë ekumenike, në vijim, në Asizi.

R. SH. - Vatikan

“Fjala varfëri është kërkuese e me dy kuptime për të gjitha traditat e krishtera e, njëkohësisht, term diskriminues në kuadrin shoqëror e global”. Duke u nisur nga ky pohim, Sekretariati i veprimtarive ekumenike, Sae, shoqatë historike italiane laikësh, që merren me ekumenizmin, lindur me Koncilin, vendosi t’ia kushtojë sesionin e 56-të të formimit, që vijon në Domus Pacis të Asizit, temës: “Kishat përballë pasurisë, varfërisë e begative të tokës”. “Filluam vitin e kaluar me këtë temë kaq impenjative, por njëkohësisht, edhe kaq aktuale, e pamë se nuk do të mund t’i zgjidhnim problemet me një takim të vetëm - shpjegon teologu Piero Stefani, president i Sae, në mikrofonet e Radio Vatikanit Italia. - Prandaj iu rikthyem këtë vit, duke i kushtuar vëmendje të posaçme temave të varfërisë”.

Qëndrime të ndryshme, në Kishat e ndryshme krishtera

“Duhet pasur parasysh se shoqata jonë është ekumenike - shpjegon Stefani - prandaj interesohet kryesisht për marrëdhëniet ndërmjet kishave të krishtera. Siç e prisnim, gjatë kursit 2018, doli në pah fakti se Kishat e ndryshme mbajnë qëndrime të ndryshme, kur flitet për temën e pasurisë. Sivjet menduam të theksojmë temën e varfërisë. Ç’qëndrim mbajnë ndaj saj besimtarët në Krishtin, ardhur nga përvoja e bashkësi të ndryshme të krishtera? Cili është mendimi i konfesioneve të ndryshme për idealin e varfërisë?

Varfëria, parë si ideal ungjillor

Fjala “varfëri”, mund të tingëllojë shumë keq. Mund të ketë kuptim negativ. Varet nga veshi, që e dëgjon. E dimë të gjithë se njerëzimi ndahet në të pasur e të varfër e se fjala varfëri nuk është aspak abstrakte. Mbetet realitet tejet i hidhur, për atë, që e jeton. Pa harruar se është edhe ideal: ideal ungjillor, varfëri e shpirtit, stil jete e perspektivë përtëritëse dhe impenjative, e cila që prej dymijë vjetësh përshkon e shqetëson jetën e kishave.

Zgjedhja e të varfërve mbetet profetike

“Besoj se lidhur me temën e varfërisë, konfesionet e ndryshme të krishtera  duhet të zgjedhin përkrah kujt janë” - shton kryetari i Sae. “Të duket, natyrisht, se Kisha - e Kishat - sot duhet të jenë përkrah të varfërve: por në jetë nuk është gjithnjë kështu. Si në këndvshtrimin gjeografik, lidhur me veriun e jugun e botës, ashtu edhe në këndvështrimin e asaj, që ndodh  brenda bashkësive të veçanta, ndryshimet e tipit shoqëror, por edhe shpirtëror e kulturor, janë shumë të forta. Prej këndej ajo, që është quajtur  gjithnjë zgjedhja apo parapëlqimi i të varfërve, sot, më shumë se kurrë, ka domethënie profetike”.

Ekologjia sot është temë sociale

Sesioni i formimit ekumenik të Sae 2019 po reflekton edhe për mbrojtjen e pasurive të tokës, ndryshimet klimaterike, varfërinë e globit,  kuptuar si mungesë energjie, për ujin e ajrin. “Temat e ‘Lavdëruar qofsh’, janë për ne pika të vazhdueshme mbështejeje. Dukej se ekologjia kishte të bënte me vendet më të pasura, që shfrytëzojnë begatitë e tokës e që u duhet, pastaj, të pësojnë një lloj efekti bumerang. Po sot e dimë se është temë, që ka të bëjë me globalitetin e popullsisë, sepse janë të varfërit e tokës ata, që i pësojnë të parët pasojat e çkujdesjes ekologjike”. “Tema e mbrojtjes së Krijimit” - komenton Stefani - është prandaj, temë shoqërore e përgjithshme, si për ata, që kanë pasuri të pamasa, ashtu edhe ata, që jetojnë në mjerim të thellë”.

Të gjemë unitetin

 “Nuk mund të vihet në dyshim se magjisteri i Papës Françesku po i nxit katolikët  dhe të gjitha Kishat e krishtera  të merren me temat  e varfërisë,  të mirëpritjes së migrantëve, të një sistemi ekonomik i cili, në vend që të shpëtojë, vret” - përfundon presidenti i Sae. “Por këto argumente po krijojnë shumë përçarje. Ndërsa ne, si të krishterë, duhet të rigjejmë unitetin, duke u ballafaquar ndershmërisht, me bindjen se nuk ka ndarje më të madhe në botë, se ajo ndërmjet të pasurve e të varfërve”.

23 korrik 2019, 14:21