Kërko

 Zbritja mbi Hënë e Apollo 11, 1969 Zbritja mbi Hënë e Apollo 11, 1969 

Edhe Kisha shkoi në Hënë

Në intervistën e kozmologut të Observatorit të Vatikanit, atë Gionti, kujtimi i zbritjes së Apollo 11 në Hënë, ndjekur nga Papa Pali VI në Observatorin e Castel Gandolfo-s.

R. SH. - Vatikan

Fragmente shkëmbijsh hënorë të ekspeditës së Apollo 11, që njihen me emrin “gurët e miqësisë”, ruhen akoma në Muzetë e Vatikanit. Gurët e ardhur nga Hëna ua dhuroi presidenti i SHBA-ve, Richard Nixon,  qytetarëve vatikanas, së bashku me Flamurin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që kozmonautët e morën me vete në hapësirë. Historike, kjo ekspeditë, edhe për Observatorin e Vatikanit, Vrojtues astronomik, që ndodhet në selinë verore të Papëve, në Castel Gandolfo. Historike, sepse me një të ftuar të  veçantë: Papën Pali VI. Iu lutëm njërit nga kozmologët e Observatorit, jezuitit  atë Gabriele Gionti, të na e përshkruajë këtë çast.

Pali VI ishte tejet entuziast për atë, që e quajti “fluturim tepër i guximshëm” i tre astronautëve amerikanë. Si e ndihmoi Observatori Papën Montini për ta jetuar fitoren e shkeljes të këmbës së njeriut mbi trojet e Hënës?

“Gjëja më e rëndësishme, për t’u nënvizuar, është se fjalimi që Pali VI u drejtoi astronautëve, të cilët sapo kishin shkelur përsëri mbi tokë, u mbajt nga kupolat e Vilës Barberini të Observatorit Vatikanas, posaçërisht nga kupola, ku është vendosur teleskopi Schmidt, më i madhi, që kemi këtu, në Castel Gandolfo. Pali VI deshi të lidhej me astronautët e me televizionin italian e t’ua drejtonte fjalën, për të dëshmuar interesimin e thellë të Kishës ndaj progresit shkencor, falë të cilit astronautët shkelën në Hënë”.

Kolegët, që në vitet ’70 punonin në Observatorin Vatikanas e që u interesuan, si shkencëtarë, për përgatitjen e kësaj ngjarjeje  të madhe, si e ndoqën, edhe pse nga larg? A patën kontakte edhe me Nasa-n?

“Nuk kishte, me sa di unë, njerëz që lidheshin drejtpërdrejt me misione spaciale, sepse veprimtaraia kryesore e astronomëve të Observatorit Vatikanas asokohe ishte veprimtari thjesht shkencore. Shkelja e njeriut në hënë, më shumë se arritje shkencore, është arritje e madhe teknologjike. Sepse shkenca e dinte që mund të shkohet në hënë, por nuk e dinte ende si shkohet! Nuk dinte të ndërtonte mjetet, për t’u nisur e për të shkelur mbi Hënë”.

Domethënë, e gjithë kjo, që ishte vepër e gjenialitetit njerëzor, është edhe pasuri, që pastaj e trashëgoi mbarë njerëzimi….

“Ashtu është! Mjafton të mendojmë se materialet, që u deshën për të arritur në Hënë, u përdorën, pastaj, për të ndërtuar automobilë, avionë…. Tani në Observatorin Vatikanas, në krahasim me vitet ’60, kemi  edhe një laborator meteoritësh shumë aktiv. Përveç kësaj, kemi edhe lidhje të drejtpërdrejta me Nasa-n, që vite më parë nuk e kishim. E kjo, falë pikërisht këtyre kërkimeve mbi meteoritët…”.

Atë Gionti, nga epoka e uljes në Hënë, kuptuar si sfidë ndërmjet dy superfuqive armike, eksplorimi spacial është bërë prej dekadash fushë bashkëpunimi ndërkombëtar. Janë globalizuar edhe objektivat në këtë sektor?

“Objektivat sigurisht që janë globalizuar. Mjafton të mendosh se stacioni spacial, që sillet rreth tokës, është rus, por përdoret si nga rusët, ashtu edhe nga amerikanët. Përsa i përket më shumë aspektit shkencor, është për t’u nënvizuar se falë këtyre misioneve në hapësirë, u vu në orbitë teleskopi i madh Hubble, i cili krijoi kushtet për vrojtime astronomike jo më nga toka, por nga orbita, domethënë, duke shkuar shumë përtej atmosferës tokësore, gjë që na ndihmon ta zbulojmë universin, të cilin më parë nuk e njihnim”.

Duke u nisur nga këndvështrimi juaj si shkencëtarë, cila është trashëgimia e kësaj zbritjeje në Hënë e me ç’sy e shikoni mundësinë, gjithnjë në këndvështrimin shkencor, për t’u rikthyer në Hënë në vitet, që vijnë….

“Përsa i përket zbritjes në Hënë, trashëgojmë një mori njohurish, gjë që ka krijuar kushtet për të lëshuar në orbitë edhe satelitë të tjerë, e edhe për të skicuar hartat e mbarë universit, kushte që nga toka nuk i kishim. Për të ardhmen parashikohen misione të tjera hënore. Por duhet thënë një gjë tjetër e rëndësishme: hapi i ardhshëm nuk do të bëhet në Hënë, por në Mars. E ashtu si ishte për Hënën, edhe ky do të ketë pasoja të suksesshme për mbarë shoqërinë njerëzore!”.

20 korrik 2019, 15:15