Eutanazia e vetëvrasja e asistuar duhen refuzuar Eutanazia e vetëvrasja e asistuar duhen refuzuar 

Don Colombo: vetëvrasja e asistuar duhet refuzuar, njëlloj si eutanazia

Për Don Robert Colombo-n, anëtar i Akademisë për Jetën, nuk është e vërtetë se mendimi i Komisionit Italian të Bioetikës i hap rrugën legalizimit të vetëvrasjes së asistuar: mediat e kanë lexuar shtrembër. Teksti flet vetëm për diskutimin në Komisionin Italian të Bioetikës, në vijim, duke vënë në dukje edhe qëndrimet në favor e kundra.

R. SH. - Vatikan

Nuk ka asnjë miratim lidhur me vetëvrasjen e asistuar mjekësisht! Këtë nënvizon don Roberto Colombo, anëtar i Akademisë për Jetën e profesor i neurobiologjisë dhe gjenetikës njerëzore në Universitetin Katolik të Milanos.

Lexim i ngutur nga mediat

Duke komentuar mendimin e Komitetit Italian për Bioetikën, botuar dje, përmes të cilit vihet në dukje ndryshimi ndërmjet vetëvrasjes së asistuar dhe eutanazisë dhe këshillohet “angazhimi për t’u siguruar mjekimet e përshtatshme të sëmurëve të pashërueshëm, në gjendje të rëndë”, Don Colombo shpjegon: “Është dokument, i cili tregon vetëm në ç’pikë ka arritur diskutimi në vijim. Nuk ka kurrfarë udhëzimi, në asnjë këndvështrim, as nga parlamenti e as nga subjektet e tjera politike, siç lënë të kuptohet disa nga organet e informimit. Kemi të bëjmë thjesht me lexim të shtrembëruar të tekstit”.

Tre qendrimet e Komitetit të Bioetikës

Në fakt, dokumenti synon t’i krijojë ligjvënësit mundësinë për të reflektuar mbi temën, duke i dhënë edhe tre orientimet e dala nga diskutimi: 13 anëtarë të Komitetit janë në favor të ligjërimit të vetëvrasjes së asistuar, në emër të parimit etik të vetëvendosjes; 11 janë kundra, duke e konsideruar  ligjërimin e vrasjes së asistuar “si  fyerje e pandreqshme, që i bëhet parimit  sipas të cilit detyra e parë e mjekut duhet të jetë respekti për të sëmurin”, e së fundi, dy anëtarë janë kundërshtarë të vetëvrasjes së asistuar, por duke nënvizuar se liria e vetëvendosjes mund të manifestohet vetëm “në rrethana konkrete, në të cilat të sëmurët mund të kenë asistencën e duhur shëndetësore, me të gjitha mjekimet e nevojshme kundër dhimbjes, si dhe terapinë mjekësore, psikologjike e psikiatrike”.

Don Colombo thekson se “si vetëvrasja e asistuar, ashtu edhe eutanazia,  pavarësisht nga ndryshimi i termave juridike, duhen refuzuar, sepse si njëra, ashtu edhe tjetra, çojnë në vdekje. Nuk mund të justifikohen, prandaj  as me kërkesën e të interesuarit”.  

 

31 korrik 2019, 16:29