Cerca

Vatican News
Jezu Krishti thyen bukën para dishepujve të Emausit Jezu Krishti thyen bukën para dishepujve të Emausit 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Lukës – gati për Veprat e Apostujve

I sotmi, është emisioni i fundit kushtuar Ungjillit sipas Lukës. Do të vazhdojmë të përshkruajmë kryeveprat e artit, që krijoi mjeku sirian i Antiokisë për të përshkruar jetën dhe ndodhitë e Jezu Krishtit. Gjithnjë, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

E fillojmë me ekspresionizmin e Zakeut (Lk 19). Një kryevepër bukurie, ku të bën përshtypje kujdesi me të cilin Luka shpreh emocionet. Emocionin e qetë të Jezusit, i cili ka kënaqësinë ta ndajë bukën me dikë, që ka frikë nga turma e fshihet në majë të një peme. Gëzimi i Zakeut burracak, që e pret Jezusin në tryezën e shtruar me hajni, duke shkaktuar një valë zemërimi në gjithë qytetin. Por, butësia e Jezusit, që ha së bashku me hajdutin, pa thënë asgjë, bën të kapitullojë zemërimi dhe koprracia shpirtërore. Zakeu shpëtohet kështu, në një çast, në tryezë. Ai është djali plangprishës, ndërsa Jezusi, ati i mëshirshëm.

Kryqëzimi i njeriut të butë e të duruar (Lk 23). Hajduti i mirë i Lukës e bën skenën e kryqëzimit krejt të ndryshme; duket kthimi në udhën e Zotit, Parajsa nxjerr kryet në një qoshe e, më parë, Jezusi, i gozhduar mbi kryq, i fal xhelatët e vet. Shën Lukës nuk ia mban shpirti të përshkruajë britmën e dëshpëruar, që gjejmë tek Marku e pastaj, tek Mateu, por parapëlqen ta përmbyllë dhimbjen në një frazë ngushëlluese: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim” (Lk 23,46). Shën Luka ungjilltar e njohu mbretërinë e Jezusit të ringjallur e pikërisht këtë dëshiron të na komunikojë, prandaj, gjithë forcën shprehëse që Marku e Mateu e përdorin në polemikën me apostujt e farisenjtë, Luka parapëlqen ta përdorë në mëshirën pa kufi për të varfërit e mëkatarët, që kthehet në kritikë për një popull e për një botë të padrejtë.

Triptiku i Emausit (Lk 24). Për të shpjeguar ringjalljen, Luka vë në skenë gati një pjesë teatrale, plot lëvizje dhe pathos, me surprizën finale. Fillimisht, dy dishepujt që largohen, duke marrë me vete gjithë trishtimin e tyre e duke diskutuar për lajmin se Krishti nuk ishte më në varr, pastaj, Mësuesi që i kap udhës e u bën katekizmin e tij më të bukur, që vetëm sa preket në tregimin e Lukës, ashtu si ajo fytyrë, që dy nxënësit nuk arrijnë ta njohin. Ndjejnë vetëm një si zjarr në kraharor. Së fundi, darka, duart që thyejnë bukën dhe… befasi e befasive… ishte Ai, i Ringjalluri… që tashmë shkon edhe më përtej.

 Tregimtar i madh, deklamues i hollë, piktor i shkëlqyer. Kënaqësi e vërtetë të lexosh Ungjillin sipas Lukës, që e përfundon veprën e tij të parë, i gatshëm të fillojë të dytën. Jezusi i ringjallur e i njohur si Zot, apostujt që e adhurojnë e janë shumë të gëzuar (ndërsa shën Mateu thotë se akoma dyshonin e shën Marku nuk thotë gjë prej gjëje), në fund të fundit kthehen aty ku nisi gjithçka, nga zë fill Vepra e Apostujve:

“Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell. Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit” (Lk 24,50-53).

Takimi me të Ringjallurin, që bëhet Zoti i jetës:

-         na nxit ta braktisim veten në duart e Provanisë Hyjnore: “Mos u shqetësoni për jetën tuaj: çka do të hani… kërkoni Mbretërinë e Zotit e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë” (Lk 12,22.31);

-         na e hap zemrën ndaj një mase të panjohur mëshire, duke na liruar nga urrejtja, nga paragjykimi e nga përçarja;

-         na dhuron gëzimin, duke na shtyrë t’ia kumtojmë pa frikë çdo njeriu Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit.

Dikush e ka quajtur Ungjillin sipas Lukës, Ungjilli i gëzimit, sepse këtë gjendje shpirtërore e gjejmë kudo: në fillim, kur engjëjt i kumtojnë gëzimin Marisë e barinjve e, edhe në fund, kur shohim një grup njerëzish, plot gëzim, gati ta shpallin këtë lajm në gjithë botën. E ndërmjet këtyre skajeve, fjala “gëzim” përdoret edhe 10 herë të tjera. Nëse Ungjilli ka një “mantra”, që duhet dëgjuar e përsëritur pambarimisht, ajo është pikërisht fraza që engjëlli Gabriel i tha Marisë: “Chaire kecharitomene” – Gëzohu o hirplote.

I dashur Luka… kishte të drejtë shën Pali kur të thërriste “i dashur”, ai që i dashur s’ishte kurrë, idhnak e zemërak me të gjithë, i aftë për dashuri, por edhe për zili, që grindet me Barnabën besnik, me Pjetrin, me gjysmën e Kishës së Jeruzalemit, por që në Romë mbërrin pikërisht bashkë me Lukën, sepse ungjilltari nuk e braktisi kurrë, i vetmi që me butësinë dhe me hirin e tij e shoqëroi deri në fund.

18 korrik 2019, 09:41