Cerca

Vatican News
Samaritani i Mirë, Codex purpureus Rossanensis, shek. VI Samaritani i Mirë, Codex purpureus Rossanensis, shek. VI 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Lukës - skulpturat

Javën e kaluar, përshkruam disa nga tabllotë e Ungjillit sipas Lukës, në të cilat ungjilltari përdor penelin e piktorit e daltën e skulptorit. Vijojmë edhe sot me këto shëmbëlltyra e episode të ngritura në art nga shën Luka. Gjithnjë, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Fillimisht, skulptura e dhembshurisë (Lk 10). Kush mund ta përshkruajë më mirë dhembshurinë se sa shembëlltyra e Samaritanit të Mirë? Shumë më parë se të na e ngulisë në mendje kujdesin e trishtë të levitit e të meshtarit për të ndjekur rregullat, shën Luka ungjilltar na tregon, me një vështrim që mund të barabitet vetëm me atë të Van Gogut, çastin kur i panjohuri mbart mbi supe të panjohurin tjetër dhe e çon në bujtinë. Emocion, dhembshuri, bujari: gjithçka e mirë, që mund të bëjë çdo njeri, nëse nuk e lë veten në dorën e ligjeve të pabarabarta, që u pëlqejnë disa njerëzve e zotave. E pastaj, si për ta plotësuar veprën, shën Luka vendos pranë e pranë dy motra, Martën dhe Marinë, njëra, e shqetësuar për punët e shumta e, tjetra, e palëvizshme, sikur rri kot, si për të na kujtuar se uniteti shpirtëror është i vetmi, që do të na e bëjë dhembshurinë të sinqertë e të pastër.

Triptiku i mëshirës (Lk 15). Dele, monedha e bij. Të humbur e të rigjetur. Kompozimi i paarritshëm i qëndrimit të atit për dy bijtë e vet, mallkimi i tij e falja përtej çdo logjike. Në anën tjetër, besnikëria e hidhur e zemërimi, që shpërthen me furi. Në mesin e një feste, një përqafim që askush nuk e merr vesh, përveç atij babai, protagonist i një dashurie të pakuptueshme e i pakuptuar ai vetë. Vetëm dikush si Rembrandti, që u zhyt në mjerim e vetmi pas një jete plot suksese, arriti ta pikturojë dhimbjen dhe gëzimin e një ati, që më në fund, gjen birin e humbur. Vetëm një Rembrandt ka në tavoloc ngjyrat, që arrijnë të pikturojnë nevojën e atij përqafimi, si ai i shëmbëlltyrës ungjillore.

Diptiku i varfërisë dhe i pasurisë (Lk 16). Dy faqet e medaljes së jetës, i varfëri dhe i pasuri i kënaqur. Bashkuar kaq bukur e pastaj, ndarë sërish. Të afërt, por të largët, njëri në mjerim e tjetri në salltanet; më pas, edhe më larg, në mënyrë të pakthyeshme, të pakorrigjueshme; njëri i ngushëlluar, tjetri i ndëshkuar. Një gjeometri e përsosur, simetri e re e hapësirave njerëzore dhe atyre hyjnore. E pamja e të pasurit, që në mesin e flakëve të ferrit, kërkon gishtin e ngjyer me ujë të Lazrit të lum në krahët e Abrahamit, është më e fuqishme se çdo pamje tjetër për të kuptuar një të vërtetë, që shën Luka na e zbulon gati si me përshpëritje në Ungjill: “Fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara” (Lk 16,9). Janë të varfërit e jo shën Pjetri që, në të vërtetë, kanë në dorë çelësat e Parajsës!

Poliptiku i lutjes (Lk 18). Gjykatësi dhe vejusha: njëri i pandershëm, tjetra e dëshpëruar. Fariseu dhe publikani: njëri hipokrit, tjetri i dëshpëruar. Këmbëngulja dhe përvujtëria i shpëtojnë të dëshpëruarit, shpirtligësia dhe mendjemadhësia i dënojnë arrogantët. Peneli i shën Lukës i bashkon këto tabllo, për t’i dalluar më mirë. Kompozimet e tij nuk lënë hapësirë për dyshime. E, nëse bëjmë një hap mbrapa në këtë galerinë tonë të artit, do të kujtohemi se e kemi vërejtur këtë edhe disa kapituj më parë: për të qenë më i qartë, shën Luka merr lumnitë e Mateut ungjilltar, tepër shpirtërore për të, e i ndan më dysh, duke krijuar kështu:

Diptikun e drejtësisë (Lk 6).

“Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni! Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,

kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell…

Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni e do të qani! Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë” (Lk 6,20-26).

         Besnik ndaj kumtit të tij, që Luka ia vë në gojë Jezusit në fillim të predikimit në sinagogën e Kafarnaumit, Krishti erdhi në botë “t’u kumtojë të vobektëve Ungjillin, t’u shpallë robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshojë në liri të shtypurit, të shpallë vitin e hirit të Zotit” (Lk 4,18-19). Është një Jezus i njëanshëm ky i Lukës e vaj për ata, që rreshtohen nga ana e gabuar!

11 korrik 2019, 09:20