Shën Gjoni ungjilltar, Galleria degli Uffizi, Firence Shën Gjoni ungjilltar, Galleria degli Uffizi, Firence 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Gjonit – akrobaci teologjike

Fillojmë sot komentin e Ungjillit të fundit të Besëlidhjes së Re, atij sipas Gjonit. Nëse i imagjinojmë tre Ungjijtë sinoptikë si një patrullë akrobacish ajrore, shkruan meshtari italian, don Federico Tartaglia, librin e të cilit - “Është ora e leximit të Biblës” - po e ndjekim në emisionet tona, Gjoni s’mund të jetë tjetër, veçse solisti, ai që e bën shfaqjen më të bukur, që e lë publikun pa frymë dhe në fund, fiton për vete duartrokitje të stuhishme.

R.SH. - Vatikan

E dimë, Ungjilli nuk duartrokitet kurrë, por shën Gjoni ungjilltar ka famën e atij, që ka shkruar Ungjillin më të rëndësishëm, që është thelluar më tej e na ka bërë të kuptojmë më mirë edhe ungjilltarët e tjerë, që ka fluturuar më lart, si shqiponja, – simboli i tij – dhe e ka trajtuar materialin në dispozicion në një perspektivë krejtësisht të re. Solist e, pikërisht për këtë, shumë thonë se ai i Gjonit është Ungjill teologjik “par excellence”!

Në të vërtetë, kjo është çështje shijesh, prandaj secilit i takon të zgjedhë nëse parapëlqen zhanrin sinoptik, me tregimin e tij të ekuilibruar dhe ritmik, që lëviz si një patrullë ajrore uniforme, ose fluturimin e këtij solisti, që zgjatet në udhë të guximshme dhe përshkon trajektore të paparashikueshme. Secili ka të drejtë të zgjedhë Ungjillin, që i pëlqen. Ka katër në dispozicion!

Dëshmitë për Ungjillin sipas Gjonit

Le të nisemi pra, në rizbulimin e Ungjillit sipas Gjonit, që nga fillimi. Nëse e konsiderojmë të mirëqenë dëshminë e parë, që ka mbërritur deri tek ne, atë të Ireneut të Lionit në fund të shekullit II, nuk ka asnjë dyshim për autorin: “Gjoni, dishepull i Zotit, i atij që ia mbështeti kryet mbi kraharor, e shkroi Ungjillin gjatë qëndrimit të tij në Efes”. E ne i besojmë. Megjithëse, pas tij, shumë të tjerë nga bashkësia vunë dorë mbi këtë vepër.

Ndërsa, nëse duam ta dimë pse u shkrua Ungjilli, kemi fatin ta lexojmë këtë drejtpërdrejt nga teksti:

 “Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe që, duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij” (Gjn 20,30-31).

Shenja, besimi, jeta, emri: kjo është gjuha, në të cilën libri na nxit të hyjmë.

Ungjilli i shën Gjonit është “vepër rezistence”

 Në shikim të parë, puna e këtij solisti mund të duket si ndonjë ushtrim stilistik, por dalëngadalë kuptohet se e gjithë vepra e shën Gjonit është “vepër rezistence” kundër një sërë sulmesh, që e kërcënonin bashkësinë e krishterë:

-   sulmet e jashtme, sidomos nga Sinagoga judaike, nga gnosticizmi, nga docetizmi (për të cilin do të flasim pas pak), si edhe nga perandoria romake;

-   sulmet e brendshme, nga ata që e kishin humbur fenë dhe kishte rrezik ta shpërbënin bashkësinë.

Bashkësia e shën Gjonit

Bashkësia e shën Gjonit formohej më së shumti nga të krishterë judenj, të cilët, pas shkatërrimit të Jeruzalemit, emigruan drejt Sirisë dhe Azisë së Vogël, duke gjetur strehë në Efes.

Që në Palestinë, disa anëtarë të bashkësisë filluan të mbledhin e të organizojnë materiale, në formën e tregimit gojor e të fragmenteve të shkruara për Jezusin e Nazaretit. Kjo përmbledhje e fjalëve të Jezusit, e integruar me përvojën fetare të bashkësisë, pak nga pak, do të formonte tekstin e shkruar të Ungjillit të katërt, hartimi i të cilit përfundoi aty kah fundi i shekullit I, kur apostulli kishte vdekur tashmë.

Gnosticizmi e docetizmi

Bashkësisë së kohës së shën Gjonit iu desh të mbrohej nga gnosticizmi, që pohon se njeriu shpëton në sajë të njohurive fetare sekrete, disi ekzoterike. Gnostikët e konsiderojnë veten të shndritur nga Zoti dhe të lirë nga mëkatet e tundimet e kësaj bote.

Bashkësisë iu desh t’i bënte ballë edhe docetizmit, që e mohon mishërimin e vërtetë hyjnor dhe pranon doktrinën e Jezusit-njeri vetëm në dukje. Prologu i famshëm i Ungjillit të Gjonit duket sikur është shkruar pikërisht për ta!

Kush shkruan këtë Ungjill ka pas shpine një histori kishtare më të ndërlikuar e gjendet para kurtheve teologjike më të holla, në krahasim me ata, që shkruan tre Ungjijtë e parë sinoptikë, prandaj “fluturimi” i këtij Ungjilli shpreh një nevojë të domosdoshme, më parë se një interpretim teologjik. Për të kuptuar forcën e pamjeve dhe fjalët e Ungjillit të katërt, duhet pasur gjithnjë parasysh bashkësia e parë e krishterë, e shqetësuar dhe krenare njëkohësisht, në ndjetin e saj për të dëshmuar fenë në Krishtin si burim i jetës së amshuar.

25 korrik 2019, 10:46