Takimi i  47-të i Sekretarëve të përgjithshëm të CCEE Takimi i 47-të i Sekretarëve të përgjithshëm të CCEE 

CCEE: reflektime për hjerarkinë dhe karizmën në Kishë

Përfundoi, këto ditë, takimi i 47-të i Sekretarëve të përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE). Në qendër të vëmendjes së ipeshkvijve, lidhja ndërmjet dhuratave hjerarkike me ato karizmatike.

R. SH. - Vatikan

Jetike, për Kishën, “shqyrtimi i dhuratave” të pranishme në gjirin e saj,  me kusht që të mund të ushtrohet në marrërrëdhëniet me horizontet më të gjera kulturore dhe fetare, posaçërisht me një vështrim mbi “bashkëjetesën  ndërmjet dhuratave hjerarkike e dhuratave karizmatike, që burojnë nga Shpirti Shenjt”. Mbi këto tema u përqendrua takimi vjetor  i Sekretarëve të përgjithshëm të CCEE, mbajtur nga 1 deri më 4 korrik, në Birmingam të Anglisë, pranë St. Mary’s College Oscott.

Rëndësia e përmasës karizmatike

Maria Voce, kryetare e Lëvizjes së Fokolarëve, solli, gjatë këtij takimi, dëshminë mbi karizmat e ndryshme brenda Kishës, në një relacion me titull: “Profili petrin e profili marian: së bashku për Rrëshajë të reja” . Relatorja nënvizoi ekzistencën e njëqenësishme ndërmjet dhuratave hjerarkike e atyre karizmatike në Kishë. Të ngjallura nga i njëjti Shpirt – kujtoi - të dyja kanë të njëjtën zanafillë e të njëjtin qëllim, ndonëse me role e detyra të ndryshme”. Për kryetaren e Fokolarëve, realitetet e larmishme,  që lindin nga një karizmë, kanë nevojë të jetojnë të shartuara mirë në tërësinë e strukturës kishtare, në të cilën bëjnë pjesë e të kultivojnë një shkëmbim të frytshëm me të gjitha realitetet e tjera”.

Por edhe Kishat lokale “kanë nevojë t’ia hapin zemrën e portat larmisë së karizmave, që lulëzojnë në gjirine  tyre”. Maria Voce saktësoi se “të sigurosh  natyrën kishtare të karizmave, nuk do të thotë t’i mbyllësh brenda kishës. Përkundrazi, duhen nxitur të dalin përjashta, secila sipas natyrës së vet”. Nuk duhet të bëjmë të gjithë të njëjtën gjë, të mbyllur në shtëpi, “por të vihemi për udhë në drejtime nga më të ndryshmet, të frymëzuar nga  dëshira e përbashkët për të arritur deri në kufjtë më të largët të tokës”. Së fundi referuesja përshkroi portretin marian të Kishës, si përmasë, që na mëson si duhet punuar për një baritori krijuese.

Roli i shqyrtimit  

Referatin e dytë në takim e mbajti kryeipeshkvi i nderit i Southawark, imzot Kevin McDonald, ish-sekretar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Prelati u pëqendrua mbi temën “Karizma dhe Institucioni”. Kujtoi, kryesisht, përvojën personale të Papës Françesku me “Përtëritjen karizmatike”, në kohën kur ishte Kryeipeshkëv i Buenos Ájres. Papa e pati përshkruar “Përtëritjen karizmatike” si “një përrua hiri ekumenik”. Një  mendin me vlerë themelore - sipas McDonald - ngaqë të lë të kuptosh se Përtëritja  “është hir ekumenik, dhuratë  e dikuar mbi gjithë të krishterët, që duhet të krijojë frymën e pajtimit ndërmjet bashkësive të krishtera, akoma të ndara”.

Kryeipeshkvi i nderit i Southwark analizoi, më pas, Letrën Iuvenescit Ecclesia që ua pati dërguar Kongregata për Doktrinën e fesë ipeshkvijve, në vitin 2016 e që trajtonte pikërisht temën e lidhjes së dhuratave hjerarkike me ato karizmatike për jetën dhe misionin e Kishës. McDonald kujtoi edhe Koncilin II të Vatikanit si dhe disa sprova, shkruar në dhjetëvjeçarin pas Koncilit, për të pohuar se kjo temë nuk mund të trajtohet thjesht si problem i brendshëm i Kishës katolike, sepse, kur flitet për çështjen e karizmave, horizontet zgjerohen. “Fjala  kyçe - përfundoi - duhet të jetë sigurisht shqyrtim. E pikërisht këtë fjalë thekson më shumë Papa Françesku. Shqyrtimi i dhuratave brenda Kishës është jetik, por duhet ushtruar edhe në marrëdhënie me horizontet më të gjera kulturore dhe fetare, që formojnë botën e globalizuar, në të cilën jetojmë”.

Punimet e takimit vijuan më tej, për të përfunduar me paraqitjen  e veprimtarisë së katër Komisioneve të CCEE (Ungjillëzimi e Kultura; Familja e Jeta; Të rinjtë; Baritoria Shoqërore), organizuar vitin e fundit. Një vëmendje e veçantë, në përfundim, iu kushtua edhe shkëmbimit të përvojës dhe informacioneve ndërmjet Sekretarëve të përgjithshëm, që folën për veprimtaritë e Konferencave të veçanta Ipeshkvnore dhe paraqitën angazhimet për vitet e ardhshme, sipas kalendarit.

08 korrik 2019, 17:08