Kërko

Musica: alba sulle Dolomiti tra guerra e pace Musica: alba sulle Dolomiti tra guerra e pace 

Imzot Bruno Forte: pushimi i vërtetë është të mbushesh me praninë e Zotit

Imzot Bruno Forte: Teologjia e krishterë nuk e koncepton kohën e pushimit si periudhë, në të cilën nuk duhet bërë asgjë. Duhet bërë, por ndryshe, duhet bërë diçka që na e pushton krejt zemrën, që na hap përmasa më të vërteta, më të bukura, që na krijon hapësirë të re, për të shijuar përvojën e dëgjimit dhe bukurinë e takimit me Zotin.

R.SH. - Vatikan

Nё kёtё periudhë verore Kisha na fton ta shikojmё kohën e pushimeve, si rast të favorshëm për të vënë në plan të parë dëgjimin e Fjalës së Zotit. Kisha, pra, na fton të dimë t’i përkushtojmë pak më tepër kohë Zotit gjatë periudhës së pushimeve, e atyre që vuajnë t’u sigurojmë “përdëllimin” e “mirësinë” tonë

Rëndësinë e dëgjimit tё Fjalës sё Zotit e nënvizon posaçërisht fragmenti ungjillor i vizitës së Jezusit në shtëpinë e Martës e të Marisë, siç na trego  Luka në kreun 10,38-42 , një faqe në përkim me stinën e ngrohtë. Marta është e mbytur në punë. Zbukuron shtëpinë, për të pritur Mikun e madh. Nuk ka kryer ende punë, kur Miku arrin e Maria, e pushtuar nga prania e tij, i ulet tek këmbët, për ta dëgjuar më mirë. Maria, na kujton se njeriu, mbi të gjitha, ka nevojë për Zotin.

Koncept i thellë biblik ky, siç nënvizon ipeshkvi i Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte:

Në Bibël, që nga rrëfimi i veprës krijuese të Zotit, ndeshemi me temën e pushimit të së shtunës, domethënë me atë kohë, në të cilën edhe vetë Zoti pushon, pas punëve të jashtëzakonshme të krijimit të gjithësisë. Tashti, ashtu si Zoti pati nevojë të pushojë ditën e shtatë, kështu edhe njeriu duhet të pushojë në të shtatën ditë. Atëherë modeli i madh sabatik i traditës hebraiko-biblike bëhet model i një pushimi të pasur me kuptim, me veprimtari, të ndryshme nga ato të përditshmet, por jo më pak të frytshme. Duke pasur parasysh këtë traditë, teologjia e krishterë nuk e koncepton kohën e pushimit si periudhë, në të cilën nuk duhet bërë asgjë. Duhet bërë, por ndryshe, duhet bërë diçka që na e pushton krejt zemrën, që na hap përmasa më të vërteta, më të bukura, që na krijon hapësirë të re, për të shijuar përvojën e dëgjimit e e bukurinë e takimit me Zotin.

Kjo faqe ungjillore e Lukës, përkon shumë edhe me kohën e pushimeve verore e na kujton se njeriu duhet të merret me punë shtëpiake e profesionale, duhet edhe të pushojë, por mbi të gjitha, ka nevojë për Zotin...

Njeriu realizohet me të vërtetë, kur nuk largohet nga Zoti. Kur largohet, është i humbur. Realizohet vetëm atëherë kur zemra e tij, që është mall për Zotin, mbushet përplot me praninë e Hyjit, me hirin e dëgjimit, me Fjalët e tij e me heshtjen e tij. Pushim i vërtetë është ai që të mbush me praninë e Zotit, me gëzimin e dëgjimit të atij zëri të heshtur, i cili të depërton deri në skajet më të fshehta të shpirtit. Të jep atë dritë e atë paqe, që s’mund ta japë asnjë pushim tjetër në botë.

24 korrik 2019, 06:12