Kërko

 Toka Shenjte: Bazilika e Lindjes së Krishtit Toka Shenjte: Bazilika e Lindjes së Krishtit  

Bazilika e Lindjes së Krishtit, pas restaurimit, nuk përfshihet më në listën e trashëgimisë kulturore të njerëzimit në rrezik

Siti i vendlindjes së Jezusit, Betlehemi i Palestinës, i deklaruar që nga vitit 2012 Pasuri e Njerëzimit, është shlyer nga lista e vendeve në rrezik, hartuar nga Unesco. Vendimi u mor më 30 qershor, gjatë takimit të 43-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që vijon në Baku të Azerbajxhanit, deri më 10 korrik ’19.

R. SH. - Vatikan

U shlye nga lista e trashëgimisë kulturore të njerëzimit në rrezik, Kisha e Lindjes së Krishtit edhe Udha e shtegtimit drejt saj. Vendimi - siç shpjegohet në një komunikatë, u mor duke pasur parasysh cilësinë e lartë të punimeve të restaurimit, realizuar mbi çati, në fasadat e jashtme, në mozaikët dhe portat e Kishës, që ishin dëmtuar nga depërtimet e ujit.

Një vend i pasur me histori e përshpirtëri

10 kilometra në jug të Jeruzalemit, siti u identifikua që nga shekulli II si vend i Lindjes së Krishtit. Këtu, në vitin 339, me nismën e Perandorit Kostandin, u ngrit një Kishë, që u rindërtua pas zjarreve e plaçkitjeve të shekullit VI, vepër e sulmeve të Justinianit. Prej saj mbetën, pothuajse të paprekur, vetëm  mozaikët e dyshemesë. Në shekullin VII Bazilika doli shumë e dëmtuar, pas sulmit të persianëve. “Në sitin e Lindjes së Krishtit bëjnë pjesë - vijon komunikata - edhe kuvendet e kishat latine, greko-ortodokse, françeskane e armene, përveç kumbonareve, kopshteve me terraca dhe udhëve që ndjekin shtegtarët”.

Lista për monitorimin e gjendjes së trashëgimisë së njerëzimit

Lista e vendeve, që konsiderohen Pasuri apo Trashëgimi e njerëzimit në rrezik, u hartua për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare mbi gjendjen kritike - pasojë e konflikteve të armatosura, fatkeqësive natyrore, urbanizimeve të paplanifikuara, plaçkitjeve, ndotjeve, që dëmtojnë vendet e deklaruara Pasuri Botërore e Unesco-s. Ndërmjet tyre figurojnë qytetet e lashta siriane të Halebit e Damaskut, siti arkeologjik i Leptis Magna në Libi dhe zona arkeologjike e Chan Chan në Peru.

03 korrik 2019, 12:19