Cerca

Vatican News
Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh 

Atë Leonard de Martino, françeskan arbëresh, në përvjetorin e vdekjes

Atë Justin Rrota: françeskani Atë Leonardo de Martino është “poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri.."

R.SH. - Vatikan

Më 12 korrik 1923 u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino, françeskan. De Martino (1830-1923, nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos, që i ri u nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri.

Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino.

Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E De Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923.

I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Filologu i shquar, Justin Rrota, autor i tekstit “Letratyra shqype për shkollat e mjesme” (1925), shprehet: Leonardo de Martino është “poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri..

Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe.

Një tjetër vepër e Atë Leonardo De-Martino është: “Breve compendio dell avita e delle gesta  di GIOGRIO CASTRIOTA SKANDERBEG, principe dell’Epiro e dell’Albania”, botuar në Greci më 1882. (Përmbledhje e shkurtër e jetës dhe veprave të GJERGJ KASTRIOTIT SKANDERBEUT, princit të Epirit e të Shqipërisë).

Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.

Atë Leonard de Martino: Udha e Kryqit

Pushimi XIV
Jezu Krishti âsht vorruem
 
O Vorr, qi mbrend ké ndrymun
Dekun tem Zot per mue,
Der qi mos t’jét njâllue
Pranë zemra po i rri.

At-hér po i qes trimnue
Dekës pa -insaf levdimin:
Ku e ké, po i thom, fitimin?
Krishti t’ká mújt, ti e di!

L'Arpa di un italo-albanese’, Venedik 1881 (Harpa e një arbëreshi), fq 69.

12 korrik 2019, 11:34