Kërko

Vatican News
I Lumi dom Alfons Trackin,  martir I Lumi dom Alfons Trackin, martir 

Më 18 korrik kujtojmë të Lumin dom Alfon Trackin, martir

I Lumi dom Alfons Trackin, martir, në përvjetorin e pushkatimit. Shkroi në vitin 1928: “Ky vend (Shqipëria), që unë vullnetarisht e kam zgjedhur si atdheun tim të dytë”. Dhe vazhdon: “Që prej ditës së në të cilën kam pasur rastin të njoh popullin shqiptar, popull bujar, por të shtypur e të shkelmuar nga dhuna e mjerimi, dhe kam vendosur, i ndriçuar prej këshillave të drejtuesit tim shpirtëror, t’ia kushtoj forcat e mia dhe jetën time në cilësinë e misionari”.

R.Sh. - Vatikan

I Lumi dom Alfons Tracki, lindi më 2 dhjetor 1896 në një familje, që ishte shumë e ndikuar nga një traditë luftarake në Bleischwitz/, në komunën Leobschutz, sot Glubscyce, që i përkiste prefekturës së Oppeln-it, sit Opol, një fshat i vogël në kufirin çekosllovak, sot Republika Çeke. Ky vend asokohe ishte në territorin gjerman dhe i përkiste dioqezës së Breslavës. Në vitin 1845 i kaloi Polonisë e qyteti dhe dioqeza e Bleischwitz-it morën emrin Wroclaw.

Alfonsi në familje mori formimin e vet të parë e të thellë të krishterë, që plazmoi dhe përforcoi gjallërinë e tij të lindur, e cila do të shndërrohet në veprimtari apostolike, duke e orientuar të vihej në shërbimin e plotë të të afërmit. Formimi e natyra e tij e ndihmuan të zbulonte në zemër dhe të zhvillonte thirrjen për t’u angazhuar tërë jetën për Hyjin, duke u vënë në shërbim të plotë sidomos të fëmijëve e të rinjve, tek të cilët ai shihte një të ardhme të begatë për Kishën dhe Atdheun.

Alfonsi la atdheun e vet për të shkuar në Vjenë, Austri, ku iu drejtua Eprorit Provincial të Kongregatës së Vëllezërve të Shkollave të Krishtera që ta pranonte në këtë Institut, kushtuar kryesisht mësimdhënies dhe edukimit të rinisë. Pasi kaloi periudhën paraprake të formitmit “lasilian” në vitin 1912 mori veshjen fetare, duke marrë emrin Vëlla Gebardi. Pasi bëri kushtet e para të jetës rregulltare në festën e Zojës së Papërlyer të vitit 1914, u dërgua si mësues i gjermanishtes për shkollat fillore në Shqipëri, Shkodër.

Kësaj periudhe i përket edhe dalja e tij nga Kongregata e Vëllezërve të Shkollave të Krishtera. Siç shkruante kryeipeshkvi i Shkodrës, imzot Jak Serreggi, “don Alfons Tracki shfaqte dëshirën ta lindte Institutin rregulltar, që të merrte Urdhrat e shenjtë e t’i kushtohej shërbimit të shpirtrave në cilësinë e Misionarit në ndonjë prej dioqezave shqiptare”. Pasi mbaroi studimet, më 14 qershor 1925 u shugurua meshtar në Shkodër, i asistuar, siç qe dëshirë e tij, nga i Lumi Dom Ndre Zadeja që qe nuni i tij. Menjëherë mori nënshtetësinë shqiptare, e nisi misioni i tij meshtarak në shërbimin të popullit të Zotit.

Shkroi në vitin 1928: “Ky vend (Shqipëria), që unë vullnetarisht e kam zgjedhur si atdheun tim të dytë”. Dhe vazhdon: “Që prej ditës së në të cilën kam pasur rastin të njoh popullin shqiptar, popull bujar, por të shtypur e të shkelmuar nga dhuna e mjerimi, dhe kam vendosur, i ndriçuar prej këshillave të drejtuesit tim shpirtëror,  t’ia kushtoj forcat e mia dhe jetën time në cilësinë e misionari”.

Ishte shumë i ndershëm dhe i zellshëm në ushtrimin e veprimtarisë së tij meshtarake si dhe shumë i ndjeshëm kundrejt problemeve shoqërore, gjithmonë me një shpirt të krishterë. Për ta ushqyer përshpirtërinë e vet mariane, sapo arriti në Shkodër, shumë i ri, hyri në Kongregatën Mariane të Shenjtes Rruzare, që në atë kohë drejtohej nga i Lumi Atë Vinçenc Prennushi ofm, lindur pranë kuvendit françeskan të Arrës së Madhe, dhe në të cilën u formuan aradhe meshtarësh, rregulltarësh e katolikësh laikë të Shkodrës. Dhe nga kjo përshpirtëri shpërthente zjarri i tij apostolik dhe i dashurisë heroike.

Ishte një meshtar i guximshëm, i vendosur dhe si sigurt, i përkorë. I rreptë me vetveten  e me të tjerët, jo më koti ishte gjerman, dhe në të njëjtën kohë i shoqërueshëm dhe i dashur sidomos me të rinjtë. Ishte njeri i drejtë, e mbante fjalën e dhënë dhe kishte një fe të patundur në Zotin.

Më 10 tetor të vitit 1926 themeloi shoqatën  edukative, kulturore e sportive “Viribus Unitis”, për t’i mbajtur të bashkuar fëmijët e të rinjtë dhe për t’i formuar për jetë e sport. Mjerisht shoqata u mbyll menjëherë prej qeverisë së Presidentit Ahmet Zogu. Iu bë një tjetër padrejtësi nga qeveria, e cila ishte shumë mosbesuese ndaj çdo nisme që ndërmerrej dhe realizohej. Pastaj hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç. Punoi në Pulaj, ku arriti ta rihapte shkollën në të cilën ishte drejtor, mësues, dhurues, administrator, shërbyes dhe në Reç. Luftoi me ngulm traditat e këqija si hakmarrja dhe marrja e gjakut. Gjithmonë, për këto çështje e probleme, ofronte një zgjidhje të krishterë. Kështu filluan disa prej momenteve të vështira që dom Tracki i jetoi dhe iu desh t’i kapërcente, falë fesë dhe shpirtit të tij nismëtar, që e dallonte.

Zelli i tij misionar nuk pati kufij. Ndër të parët u angazhua për ekumenizëm në Shqipëri, i ndihmuar edhe nga përvoja që sillte nga vendlindja e tij, ku jetohej paqësisht me shprehje e komunitete të tjera të krishterimit. Ndreqte, përtërinte dhe shtonte atë që ekzistonte në planin kulturor, shpirtëror, moral e devocional, interesohej dhe kujdesej për thirrjet e shenjta, restauronte, lyente përsëri dhe ndërtonte Kisha e kambanarë, interesohej për pasuritë e pakta të famullive kishte që ishin nën kujdesin e tij, etj. Krijonte lëvizje të reja, siç qe themelimi i Urdhri të Tretë Françeskan, për të cilin kërkoi e mori lejen si të Ministrit Provincial të Fretërve Minorë, të Lumit Atë Vinçenc Prennushit, ashtu edhe të Kryeipeshkvit të Shkodrës, imzot Lazër Mjedjes.

Historia e dom Alfons Trackit është ajo e një prifti, e për më tepër e një gjermani, që e donte Shqipërinë po aq sa Gjermaninë, dhe përpara gjithçkaje vinte fenë e vet të thellë në Zotin e zellin e tij si misionar i vërtetë. Mësimi i tij mund të përmblidhet në këto fjalë të tija: “Është diçka e mrekullueshme të jesh e të jetosh si i krishterë, por është shumë e vështirë, më e vështirë se sa mund ta përfytyroni, sepse kërkohet shumë sakrifica për ta merituar këtë emër”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dom Alfons Tracki, disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste e komuniste për popullin e besimet fetare në përgjithësi. Shkruante dom Alfons Tracki: “Vendi im është Shqipëria dhe bashkatdhetarët e mi janë shqiptarët, sepse nuk u kam bërë kurrë keq, madje kam punuar për fenë e krishterë dhe kulturën. Kur ujqërit kërcënojnë grigjën e dhenve, a mundet bariut të iki e ta braktisë? Unë dua të vdes këtu”. Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës e të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistët, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë.

Më 28 nëntor 1944, pasi regjimin komunist e mori pushtetin në Shqipëri menjëherë nisi një gjueti të dhunshme ndaj çdo gjermani, Dom Tracki u arratis në mal, andej nga zona e Shllakut, me luftëtarët për liri, që ishin vendosur atje. Po situata ishte rënduar në Shkodër e kudo nga diktatura komuniste, arrestime, konfiskime, dënime, burgosje, tortura e vrasje..

Më vonë u arrestua, në burg pësoi torturat më çnjerëzore dhe poshtërimet më të turpshme, por kurrë nuk e humbi dinjitetin e vet meshtarak. Ishte i vetëdijshëm se gjendej në ato kushte in odium fidei. Pavarësisht prej dëshmive në favor të tij, Gjykata Ushtarake e Shkodrës, më 17 korrik 1946 e dënoi dom Alfons Trackin me vdekje. Gjatë gjyqit, sipas Atë Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”. U pushkatua më 18 korrik 1946.

U shpall i Lum, së bashku me 37 martirë tjerë të Kishës katolike në Shqipëri të periudhës së regjimit diktatorial ateist të komunizmit, më 5 nëntor 2016, gjatë një kremtimi solemn në Katedralen e Shkodrës, kryesuar nga Prefekti (asokohe) i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, në bashkëkremtim me episkopatin e Kishës katolike të Shqipërisë e të gjitha trevave shqiptare

18 korrik 2019, 13:16