Kërko

Vatican News

Vdekja e emigrantëve në Rio Grande. Ipeshkvijtë e SHBA-ve: ajo foto kërkon gjyq para Zotit

Kryetari i ipeshkvijve amerikanë, kardinali Daniel DiNardo, deklaron në një notë se britma e një babai dhe e së bijës së tij, që u mbytën gjatë kalimit të lumit Rio Grande, mbërrin deri në qiell. Prelatët e SHBA-ve bashkohen me dhimbjen e Papës, pasi pa fotografitë e tmerrshme të vdekjes së dy emigrantëve nga El Salvadori.

R.SH. - Vatikan

“Kjo pasojë e papërshkrueshme e një sistemi të dështuar emigracioni, së bashku me sinjalizimet në rritje për kushtet çnjerëzore, në të cilat mbahen fëmijët nga qeveria federale në kufirin amerikan, trondit ndërgjegjet dhe kërkon reagim të menjëhershëm”. Kështu shkruan në një notë, kardinali Daniel N. DiNardo, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, i cili bashkohet me ipeshkvin e Austin, imzot Joe S. Vásquez, kryetar i Komitetit të ipeshkvijve amerikanë për Migracionin, për t’i kërkuar qeverisë federale të SHBA-ve të dëgjojë britmën e të varfërve dhe të të ligshtëve.

Ajo fotografi ia mbyll gojën politikës për emigracionin

“Bashkohemi me Atin e Shenjtë, Papën Françesku, në trishtimin e tij të madh – thuhet në deklaratën e përbashkët - pasi pa pamjet e tmerrshme të Oscar Martinez dhe bijës së tij Angie Valeria, mbytur në Luginën e Rio Grandes, në përpjekjen për të ikur nga problemet dhe për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Kjo fotografi kërkon gjyq para Zotit dhe ia mbyll gojën politikës. Kush mund ta shikojë këtë pamje dhe të mos e kuptojë dështimin tonë për t’i gjetur një zgjidhje njerëzore dhe të drejtë krizës së imigracionit? Fatkeqësisht - vazhdon deklarata – kjo fotografi dëshmon gjendjen e përditshme të vëllezërve dhe të motrave tona. Jo vetëm që zëri i tyre mbërrin deri në qiell, por arrin tek të gjithë dhe tani, duhet të arrijë deri tek qeveria jonë federale. Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës, ose nga statusi i tyre juridik, janë bërë në përngjasim me Zotin dhe duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt”.

Kushte të papranueshme, sidomos për fëmijët emigrantë

“Lajmet e kohëve të fundit mbi kushtet e pasigurta dhe mbipopullimin e qendrave për emigrantët - vazhdon nota - janë të frikshme dhe të papranueshme për çdo njeri, që ndalohet në Shtetet e Bashkuara, por në veçanti për fëmijët, të cilët janë veçanërisht të brishtë. Këto kushte nuk mund të përdoren për t’u kthyer mendjen njerëzve që nisen. Mund dhe duhet të mbetemi vend, që strehon fëmijët dhe familjet në ikje nga dhuna, persekutimi dhe varfëria e skajshme. Kongresi e ka për detyrë të sigurojë fonde shtesë për të plotësuar nevojat e fëmijëve në paraburgim federal. Projektligji i tij plotësues duhet edhe ta shtojë mbrojtjen për fëmijët emigrantë, duke siguruar standarde më të larta dhe kontrollin e strukturave kufitare. Është e mundur dhe e domosdoshme të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve emigrantë dhe të qytetarëve tanë. Duke lënë mënjanë interesat partiake. Një komb i madh si i yni - përfundon nota - është në gjendje t’i bëjë të dyja këto gjëra”.

27 qershor 2019, 16:23