Kërko

Vatican News
Corpus Domini Corpus Domini  

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Korpit e Gjakut të Krishtit

Solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit, ёshtë festё e Eukaristisë, dhuratë e mrekullueshme e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame deshi të na linte kujtimin e Pashkëve të tij, Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, si peng i dashurisë së pakufishme për ne. Eukaristia është shkollë e dashurisë dhe e solidaritetit.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit, ёshtë festё e Eukaristisë, dhuratë e mrekullueshme e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame deshi të na linte kujtimin e Pashkëve të tij, Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet, si peng i dashurisë së pakufishme për ne. Eukaristia është shkollë e dashurisë dhe e solidaritetit.
Kush ushqehet me Bukën e Krishtit, nuk mund të qëndrojë indiferent para atij të cilit, në ditët tona, i mungon buka e përditshme. Shumë prindër e sigurojnë me mundime të mëdha, për vete e për fëmijët e tyre. Është problem gjithnjë më i vështirë, që bashkësia ndërkombëtare mundohet shumë për ta zgjidhur. Kur Jezusi nisi t’u predikonte turmave u tregoi se Ati e kishte dërguar në botë si ‘bukë e gjallë e zbritur nga qielli’, si ‘bukë e jetës’

Ja fjalët e Ungjillit të festës së Korpit e Gjakut të Krishtit nga Luka, kapitulli i 9,11-17 e flet për shumëfishimin e bukëve e të peshqve.

“Jezusi filloi t’u predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë për shërim. 12 Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të Dymbëdhjetët dhe i thanë: ‘Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës të gjejë strehim e ushqim…’. 13 ‘Jepuni ju të hanë!’ ‑ u tha ai. Ata iu përgjigjën: ‘Ne s’kemi më tepër se pesë bukë e dy peshq…’ 14 E ishin rreth pesë mijë burra.

Atëherë u tha nxënësve të vet: ‘Vërini të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!’ 15 Bënë ashtu: i ulën të gjithë. 16 Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. 17 Hëngrën të gjithë e u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa”.

Të lutemi së bashku

Ti na dhuron këtë Bukë, o Zot Jezu Krisht,

e kjo Bukë është Korpi yt:

Bukë për ne shtegtarët

që ecim drejt shtëpisë së Atit Qiellor,

Bukë për kë ka uri e dëshiron të gjejë

ushqimin, që e ngop vërtet,

përgjigjen për pyetjet e shumta,

mëshirën, që ia shëron plagët më të thella.

 

Ti na dhuron Bukën tënde, o Zot Jezu Krisht,

e kjo Bukë është Korpi yt:

Bukë e thyer për shpëtimin tonë,

Bukë, dhuruar të gjithë atyre

që luftojnë për një botë më të drejtë,

që pranojnë të shërbejnë, që janë gati, si Ti,

të flijohen për të tjerët.

 

Ti na dhuron Verën tënde, o Zot Jezu Krisht,

e kjo Verë është Gjaku yt:

Verë e gëzimit dhe e festës

për të gjithë të varfërit, që presin

dikë, që ua fshin lotët,

dikë, që i ndan me ta peshët e rënda,

dikë, që ua shëron plagët

dhe u kthen buzëqeshjen, besimin, shpresën.

 

Ti na dhuron Verën tënde, o Zot Jezu Krisht,

e kjo Verë është Gjaku yt:

Verë, që i vë vulën një beslidhjeje të re,

Verë, që na bën të dehemi me Shpirtin Shenjt.

22 qershor 2019, 14:45