Kërko

Trinia e Shenjtë Trinia e Shenjtë 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Në këtë të diel, kur Kisha kremton solemnitetin e Trinisë Shenjte, Ungjilli sipas Gjonit na zbulon fjalët e Jezu Krishtit për dishepujt e vet: Gjithçka zotëron Ati Qiellor është imja; Shpirti i Shenjtë do të marrë nga imja e do t’jua shpallë. Mendja jonë prej njeriu nuk arrin ta kuptojë Misterin e Trinisë Shenjte e megjithatë, Zoti, në tri Vetjet e tij, banon në ne. Me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, jemi për udhë që ta kuptojmë Hyjin, që është “hir, dashuri dhe bashkim”, është Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Ja fjalët e Ungjillit të festës së Trinisë Shenjte nga Gjoni 16, 12-15:

12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. 13 E kur të vijë ai ‑ Shpirti i së Vërtetës ‑ Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. 14 Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. 15 Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Do të marrë prej simes dhe do t’jua zbulojë juve’.”

Të lutemi së bashku

O Zot, Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë,

Hyj që je një i vetëm, një Zot,

e njëkohësisht je Trini,

Misteri yt nuk duhet kuptuar

është marëdhënie për t’u jetuar.

 

Ti je Ati e më do si birin tënd:

portën e shtëpisë e ke gjithnjë hapur për mua.

Je gati të më presësh, edhe kur largohem

duke përplasur derën e duke sharë me të madhe.

Ti je gati të më dëgjosh

edhe kur kthehem pis e copë-copë

edhe kur e harxhoj kot gjithë thesarin, që ma le në dorë.

Je gati edhe të më kërkosh gjithandej

ashtu siç bën bariu me delen e humbur,

për të vetmen arsye se më do fort: ti je Ati im.

 

Ti je Biri, bërë njeri si unë

pra, vëlla me të gjithë njerëzit,

e çdo kohe e të çdo vendi.

Ti je vëllai, që derdhi gjakun

për ta mposhtur një herë e përgjithmonë

të keqen, mëkatin dhe vdekjen.

Ti je vëllai që erdhi tek ne

ashtu siç mund të vinte vetëm vëllai:

i varfër, çarmatosës e i çarmatosur,

duke sjellë me vete vetëm dashurinë, mirësinë e dhembshurinë.

 

Ti je Shpirti i Shenjtë, i mistershëm e i pakapshëm

si era, si fryma e jetës,

por të ndiejmë e të njohim në çdo vend të tokës,

brenda dhe jashtë Kishës.

Ti je Shpirti i Shenjtë e, nuk ka gjest fisnik

që s’është frymëzuar e mbështetur prej Teje.

Ti je Shpirti i Shenjtë e vepron në çdo burrë e në çdo grua

që ta hap zemrën dhe jetën.

Ti je Shpirti i Shenjtë e, në këtë botë të shprishur,

çon drejt plotësimit

planin e Zotit, tokën e re e qiellin e ri. 

15 qershor 2019, 11:36