Kërko

Ngjitja e Jezu Krishtit në Qiell Ngjitja e Jezu Krishtit në Qiell 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës

Ungjilli i kësaj së diele sipas Lukës (24,46-53) na çon në çastin e Ngjitjes së Jezu Krishtit në qiell, para syve të apostujve. Në këtë ditë feste bëj o Zot, që zemra jonë të përmbytet nga gëzimi i madh, që provuan apostujt gjatë Ngjitjes tënde në Qiell.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele sipas Lukës (24,46-53) na çon në çastin e Ngjitjes së Jezu Krishtit në qiell, para syve të apostujve. Këtë solemnitet, të Shëlbuemin, kremton sot Kisha Katolike, në të gjithë botën:

         Në atë kohë, Jezusi u tha dishepujve të vet: 46 “Kështu është në Shkrimin e Shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. 49 Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet derisa të visheni me Fuqinë prej së Larti’. 50 Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. 51 E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell. 52 Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem 53 dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit”.

Të lutemi së bashku

Në këtë ditë feste

bëj o Zot, që zemra jonë

të përmbytet nga gëzimi i madh

që provuan apostujt

gjatë Ngjitjes tënde në Qiell.

Dhurona gëzimin e atij, që i kupton

shenjat e mbretërisë, e cila fillon e realizohet

duke filluar nga vdekja dhe ngjallja jote.

Dhurona gëzimin e dëshmitarit

të dashurisë e të mëshirës tënde,

të atij, që përpiqet ta transmetojë me fjalët e veta

mahnitjen para një hiri, gjithnjë të ri.

Dhurona gëzimin e atij, që e ndjen

se Shpirti Shenjt e udhëheq dhe e mbështet

në çdo provë e kundërshti,

që e di se mund të ketë besim

në praninë e tij

ngushëlluese e paqtuese.

Dhurona gëzimin e vëllezërve

që kanë të njëjtën fe

e të njëjtën shpresë

dhe e ndjejnë se dërgohen nga Hyji

deri në skajet më të largëta të tokës.

Dhurona gëzimin e dishepujve

që e ndjekin të lumtur

udhën e Mësuesit

edhe kur ajo bëhet e përpjetë e lodhshme

mbi kodrinën e Kalvarit,

sepse e dinë se asgjë,

as vuajtja e as vdekja,

nuk mund t’i shkëpusin

nga dora e tij e fortë dhe e sigurt.

02 qershor 2019, 12:09