Edvige Carboni Edvige Carboni 

Sot, në Sardenjë, Edvige Carboni është “Benennida” – “e Lume”

Lartohet në nderimet e altarit, në Pozzomaggiore, provincë e Sassarit, Edvige Carboni, laike me thirrje të fuqishme rregulltare. Nuk mundi të bëhej murgeshë, për t’iu përgjigjur nevojave të familjes - por u bë e Lume, pse iu përgjigj nevojave të Zotit! Mistike e madhe, kishte mbi trup shenjat e Mundimeve të Krishtit. Në kremtimin, mbajtur në Hipodromin komunal, “Generale Eugenio Unali”, Papën e përfaqësoi prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu.

R. SH. - Vatikan

Nëse do të mund të pikturohej portreti i së Lumes Edvige Carboni me një fjalë të vetme, kjo do të ishte “e përvuajtura”. Është shenjtorja e përvujtërisë, kjo grua, që diti ta linte mënjanë thirrjen e saj të fuqishme rregulltare, për t’iu kushtuar plotësisht familjes. Këtë nënvizoi, duke përshkruar madhështinë e kësaj figure, kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:

“E kuptoi se çka kishte rëndësi, nuk ishin aq idetë e saj shenjte, por pranimi i vullnetit të Zotit, sepse në fund të fundit të jesh shenjt do të thotë ta kuptosh cili është plani i Zoti për ty e ta jetosh, siç bëri Maria”.

Do të pasqyrosh Mundimet e mia!

Shenjat, që tregonin se ajo ishte e jashtëzakonshme, nuk i munguan që në  foshnjëri. Duke u rritur, u bënë më të dukshme. E Lumja e re qeshte gjithnjë, fliste pak e aspak për vete. Por për të nisën të flasin të tjerët. Meshtarët dhe njerëzit e  tjerë, që i ndihmonte, i shprehnin mirënjohjen, por kur nisën fenomenet e ngritjes pezull në ajër, të pranisë së njëkohshme në dy vende e kur e shikonin si rrëzohej e mbetej e palëvizur për orë e orë në kishë ose gjatë përvojës mistike, shumë nisën t’ia kenë frikën. Ose zilinë. Pastaj, më 14 korrik 1911, Jezusi i foli nga kryqi e i tha se do t’i duhej të vuajë akoma, e shumë. Sepse do t’i dhuronte gëzimin më të madh: do të ndante me të dhimbjet e Mundimeve, përmes plagëve! Edvige i fshehu, por kur prej tyre kullonte gjak, dukeshin menjëherë shenjat. Shumë nisën të flasin keq për të. Në vitin 1925 iu nënshtrua procesit kanonik: për shumëkënd, ky ishte poshtërim i madh, po ajo e jetoi qetësisht, duke ia ofruar dhimbjet e shpirtit e të korpit, Krishtit të kryqëzuar!

Fisnikëria shpirtërore e një gruaje të vogël

Edvige jetoi në periudhën e dy luftërave botërore. Pra, edhe në atë të revolucionit ateist komunist në Rusi. “Kohë për të dikuar ngushëllim e shpresë”- kjo, motoja e saj. Ndërkohë nisi të ndihmojë vejushat e luftës e nuset e ardhshme, pa prikë. Ia kërkoi vetë Krishti, ndërsa Zoja - e cila ndërkaq i qe dukur tre barinjve të Fatimës - i kërkoi të thotë Rruzaren e të ofrojë jetën, për kthimin e Rusisë në rrugën e Zotit. “Kush digjet, ndez”, u thoshte atyre, që e pyesnin si ia delte të kryejë me sukses gjithçka, duke u bërë pararendëse e apostullimit të laikëve, temë që do të trajtohej në Koncilin II të Vatikanit.

Vdiq papritmas, në vitin 1952. Me rastin e lumnimit, reliket e saj u mbartën në Kishën e Shën Gjergjit Martir, në Pozzomaggiore. Prej Edviges mbeti ditari i shkëlqyer dhe shembulli i madh i njeriut – siç përfundoi Kardinali Becciu  “që e jeton mirë Ungjillin, jeton dashurinë e krishterë, përkushtimin ndaj të tjerëve, bashkimin e thellë me Zotin”.

15 qershor 2019, 14:59