Zemra e Krishtit Zemra e Krishtit 

Sot kremtohet festa e Zemrës së Krishtit

Me solemnitetin e sotëm nderohet Zemra e Jezusit, e bashkuar në mënyrë të pandarshme me hyjninë e Tij e simbol i dashurisë së Shëlbuesit për njerëzit. “Jezusi na shikon, na do, na respekton. Eshtë i tëri zemër, i tëri mëshirë! Të shkojmë plot me besim te Krishti. Ai na fal gjithnjë” – shkruan Papa Françesku në një Tweet, në atomoferën e kremtimit të festës.

R. SH. - Vatikan

“Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju çlodh. Merreni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë e do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë”.(Mt 11,28-30)

Të kurorëzuar me ferra e të mbërthyer mbi kryq, për të përjetësuar gjestin më të madh që bëri Jezusi për ne: flijimin e jetës, për shpëtimin e njerëzimit. E të rrethuar nga flakët, simbol i zjarrit të dashurisë së Zotit për mëkatarët. Kështu na e paraqet ikonografia Zemrën e Shugurueshme të Jezusit, festa e së cilës kremtohet sot, në tetëditshen e Korpit të Krishtit!  

Zanafilla e festës

Gjurmët e para të devocionit ndaj Zemrës së Krishtit i gjejmë që në   mesjetë, në mendimin e disa mistikeve gjermane, si Matilda e Magdenburgut, Matilda e Hackenborn e Gertrude di Helfta si dhe në shkrimet e domenikanit të Lum, Enrico Suso. Po lulëzimi i vërtetë i këtij kulti nisi sidomos në shekullin XV, përmes veprës së Shën Margherita Alacoque e Shën Gjonit Eudes. I pari që, me lejën e ipeshkvit të Rennes, mundi ta  kremtojë  festën  e Zemrës së Krishtit në gjirin e bashkësisë së tij, në vitin 1672. Më pas, e pikërisht në vitin 1765. Klementi XIII lejoi Poloninë dhe Sivëllazërinë romake të Zemrës së Krishtit, ta kremtonin këtë Solemnitet. E, pikërisht në këtë shekull, u ndez edhe një debat  i zjarrtë. Kongregata për ritet pohoi se objekt i këtij kulti është zemra prej mishi e Jezusit, simbol i dashurisë së Tij për të gjithë njerëzit, po zhansenistët   nisën ta interpretojnë këtë si akt idhujtarie. E vetëm në vitin 1856, me Piun IX, solemniteti u shtri në mbarë Kishën universale e u radhit edhe në kalendarin liturgjik. Është festë e lëvizshme, e fiksuar në të premten, tetë ditë pas Corpus Domini, pasuar menjëherë nga e shtuna, kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë.

Shën Margherita Alacoque: lajmëtare e Zemrës së Krishtit 

Margherita Alacoque, murgeshë Vizitantine, jetonte në kuvendin francez të Paray-le-Monial, mbi Loira, që nga viti 1671. Kishte fituar famë si mistike e madhe kur, në vitin 1673  Jezusi  e vizitoi për herë të parë. E gjatë kësaj vizite të mrekullueshme, e ftoi të ulej, në Darkën e Mbrame, në vendin e Gjonit, apostullit të vetëm, që mbështeti fizikisht kryet mbi kraharorin e Zotit. “Zemra ime hyjnore i do njerëzit me aq pasion sa, duke mos mundur t’i mbyllë brenda vetes flakët e kësaj dashurie, ndjen nevojën t’i shpërndajë anekënd. Të zgjodha ty për këtë plan të madh” - i tha.

Një vit më pas Margherita pati dy vegimet të tjera; në të parin, e pa Zemrën e Jezusit mbi një fron flakësh, më të ndritshme se dielli e më transparente se kristali, të rrethuar me kurorën e gjembave. Në tjetrin, pa Krishtin të rrethuar me dritën e lavdisë. Nga të katër anët e kraharorit i shpërthenin flakët, aq sa ajo zemrër, që deshi aq shumë e vuajti edhe më shumë, dukej si të ishte furrë e ndezur. Jezusi i foli e i kërkoi të kungohej çdo të premte të parë të muajit, për nëntë muaj me radhë e të përmbysej përdhe për një orë të tërë, natën ndërmjet së enjtes e të së premtes. Lindën, kështu, praktikat e nëntë të premteve dhe Orës së Shenjtë të Adhurimit. 

Në vegimin e katërt, pastaj, Krishti i kërkoi themelimin e një feste, për të nderuar Zemrën e Tij e për shpërblim të fyerjeve, që i bëhen kësaj Zemre, e cila vijon të ndizet flakë nga dashuria për të gjithë njerëzit! Pa përjashtim!

“Jezusi na shikon, na do, na respekton. Eshtë i tëri zemër, i tëri mëshirë! Të shkojmë plot me besim te Krishti. Ai na fal gjithnjë” – shkruan Papa Françesku në një Tweet, në atomosferën e kremtimit të festës.

28 qershor 2019, 12:25