Kërko

 Kardinali  Iuliu Hossu Kardinali Iuliu Hossu 

Kardinali “in pectore”: “Lufta ime mbaron, jotja vijon!”.

Figura më e njohur ndërmjet 7 të Lumve të rinj rumunë

R. SH. - Vatikan

Iuliu Hossu është, ndoshta, figura më e njohur ndërmjet 7 të Lumëve, shpallur sot nga Papa gjatë një kremtimi të paharrueshëm, në Blaj. Gjatë Luftës I Botërore, Iuliu Hossu ishte kapelan ushtarak. Më pas u emërua  ipeshkëv i Gherla. I famshëm për angazhimin e tij baritor në favor të Transilvanisë, u arrestua së bashku me të tjerët, nga urrejtja për fenë katolike, në të njëjtën natë. Natë vërtet e tmerrshme. Natë kur skëterra ishte ngritur e tëra në këmbë për t’i shpallur luftë Zotit e bijve të Tij. Pas lirimit të parë nga burgu i Sighet, vijoi t’i nxiste besimtarët për ta dëshmuar fenë me guxim e, ndonëse në fshehtësi, u përpoq të riorganizonte strukturat e shkatërruara të Kishës. Me që ndiqej këmbë për këmbë, autoritetet e dënuan menjëherë me arrest shtëpiak. Historia e tij arriti në vesh të Palit VI i cili, më 1969, e krijoi kardinal in pectore (domethënë, pa ia kujtuar emrin, që Papa do ta ruante në zemër të vet, deri ditën kur do të mund ta shpallte, pa e dëmtuar). Kjo ndodh sa herë që rrethanat e rrezikshme e pengojnë Papën ta shpallë botërisht emrin e kardinalit, që vijon misionin në kushte të rënda. Imzotit Hossu i krijohej, kështu, një rast i shkëlqyer për t’u laguar nga vendi i tij, tejet i rrezikshëm e për t’u strehuar në Romë. Po ai nuk pranoi. Deshi të rrinte pranë popullit të vet, deri në fund të fundit!

Fjalët e mbrame, para se të vdiste, në vitin 1970, i dërmuar nga torturat, ishin për ipeshkvin Todea: “Lufta ime mbaron, jotja vijon!”.    

02 qershor 2019, 11:37