Kërko

 Festa për njëqindvjetorin e don Probos, baba i 4 meshtarëve. Festa për njëqindvjetorin e don Probos, baba i 4 meshtarëve. 

Njeriu i rekordeve: prift, me shtatë fëmijë, katër meshkuj, të gjithë priftërinj!

Prift e baba i katër priftërinjve të tjerë: kjo, thënë me dy fjalë, është historia e jetës së don Probo Vaccarini-t, që sot mbushi 100 vjeç!

R. SH. - Vatikan

E thërrasin “burri i rekordeve”! Me shtatë fëmijë. Katër meshkuj e të katërt meshtarë. Ky burrë quhet Probo Vaccarini, prift në Rimini, ku sot, më 4 qershor, në katedralen e ipeshkvit Françesco Lambiasi, kremtoi Meshën, për të festuar 100 vjet jete!

Jetë, që as ai vetë nuk e mendonte se do të ishte kaq e pasur me ngjarje. I lindur më 4 qershor 1919, si shumë bashkëmoshtarë, provoi shijen e hidhur të luftës. U thirr nën armë, duke përfunduar atje, ku as nëpër mend nuk i kishte shkuar; në fushat e pafundme të Rusisë, ku mbeti, pas betejave të humbura e iu desh të mësojë zanatin e bujkut. Si u rikthye në Itali, ushtroi për shumë vjet mjeshtrinë e gjeometrit të hekurudhave.

Në këtë periudhë, u njoh me Anna-Marinë - “të adhuruarën Anna-Maria” - me të cilën themeloi familjen. Familje, që shumë shpejt u shtua me shtatë fëmijë: katër meshkuj e tri femra. Probos iu desh t’i edukonte i vetëm, pasi shoqja e jetës e la të vejë në moshën 51 vjeçare.

Ndonëse i ngatërruar me problemet familjare, që nuk sosen kurrë, vendosi të gjente “një nuse të re”, Kishën, së cilës i pati shërbyer për shumë vjet, me dashurinë e laikut besnik. Atëherë u bë akolit, më pas, diakon. E nisi të drejtojë famullinë e San Matteo in Venti, në Riminin e tij, prej nga, më pas, largohej vetëm për të shtegtuar në San Giovanni Rotondo, kur shoqëronte besimtarët riminezë për t’u takuar me Atë Piun. Mbeti gjithnjë tejet i devoçëm i fratit të Pietrelçinës, don Proboja. E, pasi e njohu edhe personalisht, e pati vizituar shumë shpesh.

Pikërisht gjatë një Meshe në San Giovanni Rotondo, pohon se ndjeu  thirrjen për meshtari, së cilës iu përgjigj, duke u shuguruar meshtar, në vitin 1988, në prag të moshës 70 vjeç. Para shugurimit, mori lejën nga  Vatikani. E edhe nga fëmijët, që i dhanë zemër ta realizonte këtë dëshirë. Madje, pas pak kohe, ecën edhe ata në rrugën e të atit. Kështu Françesku sot është meshtar në dioqezën e Ternit; Gjoni, famullitar në Miramare; Joakini, në Montetauro, gjithnjë në zonën e Riminit; Jozefi, famullitar në Borghi.

Pikërisht ky i fundmi tregon disa hollësira interesante për  thirrjen e babait: “Ka qenë gjithnjë fetar i madh e, kur u bë edhe diakon, nuk u çuditëm aq. Po kur na tha se donte të bëhej prift, mbetëm pa gojë. I thamë: ‘Baba, je në prag të pensionit!’. E ai: ‘dua t’ia kushtoj meshtarisë, vitet që më mbeten!”.

Don Probo jeton sot me njërën nga të bijat, në shtëpinë e vjetër të familjes, ku meshtari i motuar e kalon kohën duke lexuar e duke shkruar. Deri më sot ka botuar më se 15 libra, ndërmjet të cilëve, edhe jetëshkrimin e vet, me titullin domethënës: “Dhëndërr, vejan, Meshtar!”.

E festoi sot ditëlindjen, i rrethuar nga gjithë të bijtë, e, natyrisht edhe nga bashkësia e San Martino in Venti, famullia ku ai punon prej 31 vjetësh:  ku rrëfen, kremton meshë, martesa, pagëzime. .. e, edhe funerale. Nuk ka munguar asnjë ditë në këtë shërbim. As 100 vjetët e mbushura, nuk do ta pengojnë. E përsërit gjithnjë ai vetë: “E ndjej veten si të isha shuguruar pikërisht sot”. E sot - për të tjerët - jo për të, do të thotë “100 vjeç!”. Rekord, edhe ky!

04 qershor 2019, 11:23