Në Shqipëri vijojnë protestat Në Shqipëri vijojnë protestat 

Ndërmjet dy thirrjeve, drejtuar politikanëve: thirrja e imzot Frendos dhe libri i Luciano Manicardit

Rreziku që të kalohet nga një e keqe, tek një e keqe më e madhe, e shqetëson seriozisht Konferencën Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë. Zëdhënës i saj, kryetari, imzot Frendo, nuk mund të heshtë. Është në rrezik jeta e njerëzve, në rrezik, e ardhmja e vendit, në rrezik liria e fituar me aq flijime. Prandaj u kujton politikanëve se të bësh politikë, do të thotë t’i ndihmosh njerëzit të rrojnë më mirë!”. Të njëjtin shqetësim ka autori i librit: “Përshpirtëria në politikë dhe kuptimi i së ardhmes”.

R. SH. - Vatikan

Rreziku që të kalohet nga një e keqe, tek një e keqe më e madhe, e shqetëson seriozisht Konferencën Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë. Zëdhënës i saj, kryetari, imzot Frendo, nuk mund të heshtë. Është në rrezik jeta e njerëzve,  në rrezik, e ardhmja e vendit, në rrezik liria e fituar me aq flijime. Prandaj u drejton politikanëve thirrjen.

 “Në emër të Zotit, ne, përfaqësuesit e feve të ndryshme në Shqipëri, me shumë besim, ju lutemi të tregoni dashuri më të madhe e të sinqertë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve, duke kërkuar një zgjidhje serioze e paqësore të situatës e duke shmangur çdo rrezik që e keqja të na çojë drejt një të keqeje më të madhe".

Kërkon zgjidhje paqësore, Kryeipeshkvi Katolik. E për zgjidhje paqësore flet edhe një libër, i botuar këto ditë në Itali, nga Eprorit i Bashkësisë murgare të Bose-s, Luciano Manicardi i cili, i shqetësuar nga një situatë e përafërme me tonën, kujton “Kur në hapësirën publike e nga ana e atyre, që përgjigjen për pasurinë publike, e pastaj edhe nga shtypi dhe nga mjetet e informimit, fjala zvetënohet, shpërdorohet, manipulohet, shtrembërohet, përdoret si armë, atëhere terreni i mirëkuptimit demokratik destabilizohet”. “Të bësh politikë, në fund të fundit, do të thotë t’i ndihmosh njerëzit të rrojnë më mirë!”. Kështu shkruhet në librin e  Eprorit  të Bose, Luciano Manicardi, i cili, që në titull propozon edhe rrugëdaljen.  

 “Kur në hapësirën publike e nga ana e atyre, që përgjigjen për pasurinë publike, e pastaj edhe nga shtypi dhe nga mjetet e informimit, fjala zvetënohet, shpërdorohet, manipulohet, shtrembërohet, përdoret si armë,  atëhere terreni i mirëkuptimit demokratik destabilizohet”. “Të bësh politikë, në fund të fundit, do të thotë t’i ndihmosh njerëzit të rrojnë më mirë!”. Një libër i Eprorit  të Bose, Luciano Manicardi

Përshpirtëria në politikë dhe kuptimi i së ardhmes

Pyetja e parë që na lind që në çastin kur lexojmë titullin, pak si të çuditshëm për kohët tona, është: “Ç’kuptim ka sot të flasësh për lidhjen e politikës me përshpirtërinë?”. Sot, kur politika, thënë me dy fjalë, ndiqet çdo ditë përmes mediave tradicionale e rrjeteve shoqërore, që jetojnë me post, transmetime të drejtpërdrejta gjatë 24 orëve e selfie. Ç’vlerë ka leximi, sado i shkurtër, që e inkuadron politikën, e posaçërisht cilësinë e atyre, që e praktikojnë, në dritën e përmasës shpirtërore paradigmatike? Në një kohë kur, duke hyrë ditë për ditë në vorbullën e politikës dhe të mjeteve të saj shprehëse, të gjithë e ndjejnë sadopak veten politikanë. Në mos për tjetër, për ta sharë politikën?

Ç’vlerë ka, pra?

Nuk ka pikë vlere - vjen sakaq përgjigjja. Por mjafton vetëm pyetja, për të  tërhequr vëmendjen lidhur me një libër të vogël, e të çmuar, shkruar nga Luciano Manicardi, murg, biblist, që nga viti 2017 epror i Bashkësisë së Bose. Sepse ky libër, i titulluar “Përshpirtëria dhe politika”(botues Qiqajon) mbush një boshllëk themelor: tregon një hapësirë - boshe - ndërmjet njerëzve, ndërmjet meje e tjetrit, ndërmjet meje e tjerit e të tretit, ndërmjet nesh e të tjerëve, në atë, që autori e quan “hapësirë ndërpersonale e shoqërore”: e pikërisht në këtë zbraztësi, politika takohet me “përmasën shpirtërore” e nis  e vepron jo vetëm “me mua”, por edhe “për” të afërmin.

Por duhet pranuar se takimi i pëshpirtërisë me politikën  është ende krejt i huaj, nëse jo i kufizuar, ndër njerëz të cilët, për llogari cinike, “e ngushtojnë botën në rrethin e interesave të veta, duke e deformuar  gjuhën dhe marrëdhëniet, në shërbim të llogarive të veta, më shumë sesa të interesave publike e të përgjithshme. “Demokracia brehet kryesisht, me brerjen e fjalëve” - kujton autori, duke cituar një libër të bukur, botuar më 1997 nga Enzo Bianchi e Carlo Maria Martini (Fjalët dhe Politika). Rrënimi i gjuhës i paraprin çdo rrënimi të ardhshëm!

“Kur në hapësirën publike e nga ana e atyre, që përgjigjen për pasurinë publike, e pastaj edhe nga shtypi dhe nga mjetet e informimit, fjala zvetënohet, shpërdorohet, manipulohet, shtrembërohet, përdoret si armë,  atëhere terreni i mirëkuptimit demokratik destabilizohet”.

Në kushte të tilla, çdo gjest mund të përdoret si mjet komunikativ për të mbushur hapësirën e propagandës e të konsensusit, pa pyetur fare për atë, e cila njihet si “etika e fjalës” (që shqiptohet), e për respektin ndaj vetvetes (domethënë, atij që flet). Jemi, kështu, përballë mungesës së plotë të edukatës politike, e cila në këtë rast, tregon fytyrën e vet më të shëmtuar:   atë të arrogancës e të mendjemadhësisë, të prepotencës e të fyrjes me fjalë, për të kaluar, shpesh, edhe në fyerje fizike. “Të mbrosh demokacinë, do të thotë të mbrosh fjalën, të mos lejosh ta falsifikojnë, sepse me falsifikimin e fjalës tradhtohet gjithçka e, sidomos, minohet në rrënjë besimi i njerëzve në politikën”.

Veç të tjerash - kujton Eprori i Bose - cilësia e politikës “lidhet drejtpërdrejt me cilësitë njerëzore të njeriut, që angazhohet në të.  E sidomos, me aftësinë për të qeverisur në radhë të parë vetveten, pasionet vetjake, ligështitë, hipokrizinë, ambicionet e shfrenuara, për të fituar, kështu, autoritetin e për t’u pajisur me atë virtyt, që quhet koherencë. Një politikan i mirë, ashtu si profetët në kohë të errëta, duhet të dijë t’i tregojë të tjerëve udhën e së ardhmes, udhën e shpresës, jo të humbjes së saj të plotë, duke kërkuar ta bëjë popullin, që ka nderin ta udhëheqë,  të ecë i bashkuar, e duke mos krijuar pabarazi  e diskriminime.

Kur klima shoqërore qelbet nga ilegaliteti i përhapur, nga vulgariteti sundues, nga dinakëria e ngritur në sistem, nga karrierizmi pa skrupuj, nga shërbëtorët e gatshëm për t’i shërbyer zotërisë së turnit në pushtet, atëhere kryerja me ndershmëri e me përgjegjësi  e detyrës sate, pa shikuar askënd në fytyrë, bëhet me të vërtetë tejet e guximshme. Takimi me përmasën shpirtërore, në  shprehjet e ndryshme të saj, lind virtytin. E, në vend që të bëhesh burim i ri frike, të mbjellësh mosbesim e tensione, të krijosh distanca, aftësohesh për të kultivuar guxim, duresë, besim: ushqime të domosdoshme, pa të cilat marrëdhëniet njerëzore japin shpirt!

Të bësh politikë, në fund të fundit, do të thotë t’i ndihmosh njerëzit të rrojnë më mirë! T’i ndihmosh të gjithë të fitojnë vetëdijen e të drejtave e të detyrave, për të gëzuar së bashku, atë që quhet “pasuri e përbashkët”. Shkruan Manicardi: “Kom-unitas - është tërësia e njerëzve, që nuk i bashkon pasja, por mungesa; nuk kanë diçka më shumë, por diçka më pak,  e së fundi, që i kanë borxh njëri-tjetrit. Prej këndej mund të themi se përgjegjësia për të tjerët, është përgjegjësi për breznitë, që do të vijnë. Prandaj politikani duhet të ruhet shumë nga tundimi i kotësisë, domethënë, nga prirja për të ngjallur shpresa të kota, të parealizueshme. E sidomos, duhet të ketë kujdes të mos përpiqet ta shndërrojë veten në idhull, duke harruar se s’është tjetër, veçse shërbëtor, në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Dritat e telekamerave të ndezura në një studio televizive, ashtu si dhe objektivi i fotokameras,  që e “pavdekëson” liderin e turnit, ndërsa rroket e puthet me ndonjë nga simpatizantët, në radhë për një selfie, kalojnë. Zhduken. A ndoshta-ndoshta edhe duken përsëri, për të kujtuar kohë, që nuk meritojnë të kujtohen. Sepse krejt të padëshiruara, me funde tragjike. Nga ato, për të cilat populli thotë: “Mos ardhshin kurrë më!”. Çka mbetet, është shërbimi që i bëhet vendit e njeriut! Jeta e mirë, që iu sigurua popullit. Ëndrrat, që iu dhuruan breznive të reja, duke u ngjallur dëshirën ta realizojnë deri në fund, edhe ëndrrën e prijësit. Kjo është e vetmja gjurmë, që duhet të lërë politikani në shtigjet e kohës.

“Në rrënjët e idhujtarisë është paaftësia për të pritur, për të pasur durim. Prirja jo vetëm për t’u dukur. Për ta bërë gjithçka dëshiron menjëherë!”.  “E kjo, sepse politika, që kërkon të duket e suksesshme menjëherë, shpejt e shpejt, pa i hapur kurrëfarë horizonti shpresës, nuk di të krijojë ardhmëri”. Faktet na tregojnë, e na mësojnë, se politika e mirë nuk jeton vetëm në të sotmen. Kjo përmasë theksohet nga propaganda vetëm atëhere kur synon t’i shërbejë idhullit të çastit, “por të çon sigurisht në shteg të verbër”.

Përshpirtëria mund ta ndihmojë politikën të rigjejë lidhjen e shëndoshë ndërmjet kohës e veprimtarisë - vëren eprori i Bose - lidhje, që synon “krijimin durimtar të konsensusit përmes ballafaqimit të opinioneve të kundërta dhe punon për ta konkretizuar ndërmjet palëve në konflikt”. Përshpirtëria mund t’i propozojë politikës dëgjimin, si praktikë e demokracisë, autokritikën dhe gatishmërinë për t’i rishikuar opcionet tuaja, përballë qëndrimeve, që duken më të mira e më të frytshme. E akoma, t’i ofrojë qëndrimin krijues, mrekullimin përballë risive, që sjell çdo ditë në jetën njerëzore, me të cilat bota është përplot. Këto qendrime e mbushin boshllëkun ndërmjet nesh e të tjerëve, duke e shndërruar në hapësirë të takimit të vërtetë e të shëndoshë, në të cilin mund të merremi me politikë, duke e bërë shumë më të mirë, se kjo që është sot!

21 qershor 2019, 17:12