Kërko

Santa Trinità, affresco di Luca Rossetti da Orta, 1738-9 - Chiesa di San Gaudenzio ad Ivrea Santa Trinità, affresco di Luca Rossetti da Orta, 1738-9 - Chiesa di San Gaudenzio ad Ivrea 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte

Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe përkon me festën e Trinisë Shenjte. Pas festën së Rrëshajëve, kremtuar të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte

Kështu pra, edhe kësaj here jemi të bashkuar përmes valëve të radios, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, për ta dëgjuar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini. E tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vehtje ( në tre persona).

Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie. Ndërmjet analogjive të misterit të Njënisë e të Trinisë së TynZot, mund të përmendim në mënyrë të veçantë familjen e cila, është e thirrur të jetë bashkësi dashurie e jete.  Besimtarët mund të krijojnë, në se mund të shprehemi kështu, marrëdhënie të ngushta me vetë Zotin, duke zbuluar se Ai nuk është vetmi e pafundme, por bashkim drite e dashurie. Është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini.

Në këtë botë, askush nuk mund ta shohë Zotin, por Ai vetë na ka bërë ta njohim në atë mënyrë, sa së bashku me Shën Gjonin Apostull, mund të pohojmë: “Zoti është dashuri!”. Kush e takon Krishtin dhe bëhet mik me të, krijon në shpirtin e vet miqësi me vetë Bashkimin e Trinisë, sipas premtimit që Jezusi u pati bërë apostujve: ‘Në se ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë e tek ai do të banojmë”. Atij që beson, mbarë gjithësia i flet për Njëninë dhe Trininë e Hyjit.

Nga hapësirat ndëryjore e deri tek grimcat më mikroskopike, gjithçka që ekziston të shpie drejt një Qenieje që komunikohet në shumëllojshmërinë dhe larminë e elementeve, si në një simfoni të pafundme. Është një dinamizëm i harmonishëm që analogjikisht mund ta thërrasim “dashuri”. Megjithëkëtë vetëm tek njeriu i lirë dhe i arsyeshëm, ky dinamizëm bëhet shpirtëror, bëhet dashuri plot përgjegjësi, si përgjigje që i jepet Hyjit e të afërmit në një dhurim të sinqertë të vetvetes.

Në këtë dashuri qenia njerëzore gjen të vërtetën e lumturinë. Ndërmjet analogjive të ndryshme të misterit të pagabueshëm të Njënisë e Trinisë së Hyjit, që besimtarët janë në gjendje ta parandjejnë, ta kujtojmë atë të familjes. Ajo është e thirrur të jetë bashkësi e dashurisë dhe e jetës, në të cilën ndryshimet duhet të bashkërendohen për të formuar një “parabolë bashkimi”.
Kryevepër e të Shenjtnueshmes Trini, ndërmjet të gjitha krijesave, na kujton Kisha, është Virgjëra Mari. Në zemrën e saj të përvuajtur, plot me fe, Zoti përgatiti një banesë të denjë, për të përmbushur misterin e shëlbimit. Dashuria hyjnore gjeti në të përkim të përkryer e në kraharorin e saj Biri i vetëm i Hyjit u bë njeri. Prandaj, me besim bijnor, t’i lutemi Virgjërës Mari që të na ndihmojë të ecim gjithnjë në rrugën e dashurisë e ta bëjmë gjithë jetën tonë këngë lavdërimi lartuar Atit përmes Birit në Shpirtin Shenjt Zot. O Zot, Ti je Dashuria, e Vërteta e Jeta. 

                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Fu 8, 22-31
Qysh në Besëlidhjen e Vjetër flitet në mënyrë të mistershme për Trininë e Shenjtë. Dituria e Hyjit është paraqitur si një person që vepron në momentin e krijimit dhe në ngjarjet e historisë njerëzore. Ajo i jep një kuptim botës sipas planit të Hyjit. Kur Biri i Hyjit bëhet njeri dija merr një emër: Jezu Krisht. 

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta
Urtia e Zotit flet kështu: “Zoti më kishte krijuar që në fillim të veprave të veta, qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send. Kam qenë shuguruar prej amshimit, qysh në kohet më të lashta, para se të krijohej toka. 
Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur, ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta, para se të viheshin themelet e maleve, para se të ishin kodrat, unë linda. Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat, as elementet e para të pluhurit të tokës. 
Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë, kur e kufizoi me ligje të sigurta rrethin e humnerës, kur në lartësi i dendi retë, kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës kur ia vuri kufirin rrethues detit dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet, kur tokës ia qiti themelet, unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor: kënaqësia ime është të jem me bijtë e njerëzve. Fjala e Zotit.

Psalmi 8/9, 4-9
O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt!

---- ---- ----
Kur e sodis qiellin, veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti u dhe qendër,
çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
---- ---- ----
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
---- ---- ----
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit.
---- ---- ----

Leximi i dytë Rom 5, 1-5
Jeta jonë është e gjithëpërfshirë në misterin e Trinisë së Shenjtë. Gjithçka na dhurohet nga Ati nëpërmjet Birit në Shpirtin Shenjt; por gjithçka ngjitet përsëri te Ati me anë të Shpirtit Shenjt nëpërmjet Birit. Themeli i shpresës së krishterë është dashuria e Hyjit derdhur në zemrat tona nga Krishti mbi kryq dhe nga Shpirti Shenjt i cili vepron në ne.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar, e besnikëria e sprovuar sjell shpresën. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja. 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:
Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 16, 12-15

Jezusi na zbulon se Ati i ka komunikuar jetën dhe të vërtetën e vet Birit. Biri na e komunikon neve nëpërmjet Shpirtit Shenjt. Fjala e Hyjit vazhdon akoma tu flasë zemrave të njerëzve edhe pas largimit të Jezusit. Akoma sot, nëpërmjet profetëve, gra dhe burra të ndriçuar nga Shpirti, Ungjilli nuk mbetet një libër i së shkuarës, por një forcë jetësore që shndërron historinë. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” Fjala e Zotit.

14 qershor 2019, 16:42