Kërko

Corpus Domini Corpus Domini  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit ‘C’

Eukaristia e bën njeriun një gjë e vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë nënvizon Fjala e Zotit e Corpus Domini, të cilën e kremton Kisha.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit. ..

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit

Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për atë mendje njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Jezu Krishti na la tërë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.

Eukaristia e bën njeriun një gjë e vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë nënvizon Fjala e Zotit e Corpus Domini, të cilën e kremton Kisha këtë të diel. Në Eukaristi ndodh shndërrimi i dhuratave të kësaj toke – bukës e verës – që e shndërrojnë, pastaj edhe jetën tonë, për të përuruar shndërrimin e botës.

Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Kisha i fton të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo e Kalvarit që Zoti e përshpejton dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer dhe vera e hedhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udha për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit. Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Zotin e, duke bërë kështu, me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste.

Për dashuri Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë, e shndërroi kryqin në akt dhurimi. E ky është shndërrimi, për të cilin ka nevojë çdo njëri prej nesh e bota mbarë, sepse na shëlbon shpirtin, na i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit. Por këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë, në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë.

Prandaj Zoti i dorëzon botës dhuratën e Eukaristisë, për t’i krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit nga mëkati e për t’i dhënë dhuratën e shëlbimit. Krishterimi nuk njeh udhë të shkurtra, gjithçka kalon përmes logjikës së përvuajtur e durimtare të kokrrës së grurit, që copëtohet, për të dhënë jetë; logjikës së fesë, që luan nga vendi malet me forcën e Zemrës së butë e të përvujtë të Zotit. Prandaj Zoti dëshiron të vijojë ta përtërijë çdo njërin prej nesh, njerëzimin, historinë e kozmosin, përmes këtij zinxhiri shndërrimesh, Sakramenti i të cilave është Eukaristia. Me anën e bukës dhe të verës së shuguruar, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Jezu Krishti na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu mbillen e piqen, në brazdat e historisë, dashuria e vëllazërimi, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë, sipas planit të Zotit.

Për ta bërë më të kuptueshme dinamikën e bashkimit eukaristik, po kujtojmë një fragment nga vepra e Shën Agostinit, i cili na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështuqë bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të”.

Kur marrim Kungimin Shenjtë – Eukaristinë Krishti na shndërron në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të. Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte të Eukaristisë, e pranon në vëllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët.

Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore. Posaçërisht në kohën tonë, kur globalizimi na bën gjithnjë më të varur nga njëri-tjetri, Krishterimi mund e duhet të veprojë në mënyrë që ky bashkim të mos ndërtohet pa Zotin, domethënë, pa Dashurinë e vërtet. Ungjilli synon gjithnjë të krijojë unitetin e familjes njerëzore, duke u nisur nga ndjesia e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, sepse Sakramenti i Elterit, që e ndajmë së bashku, na mësoi e vijon të na mësojë, se dashuria e vëllazërimi janë rruga e vërtetë e drejtësisë dhe e paqes.

Po e përfundojmë reflektimin duke kujtuar fjalët e shën Gjonit Apostull nga Libri i Zbulesës: “Ja, unë jam te dera e po trokas. Në se ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hapë derën, unë do të hyj te ai, do të ha darkë me të e ai me mua”, fjalë që pasohen nga lutja:  “O Bari i Mirë, bukë e vërtetë/, ki mëshirë për ne/ (…). Ti që di e mund të bësh gjithçka/ e që na ushqen mbi këtë tokë, udhëhiqi vëllezërit në tryezën e qiellit/ në gëzimin e shenjtorëve”. Amen

Po e mbyllim me këtë lutje të bukur që zakonisht lutët nga besimtarët gjatë Meshës pas Kungimit të Shenjtë në Kishë.
Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua. 
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të vdekjes sime, Ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te Ti,
që me shenjtër të të lëvdoj Ty, 
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!
Kjo është një lutje e përpiluar nga shën Injaci i Lojoles

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Zan 14, 18-20
Melkizedeku ishte një meshtar pagan, që përfaqësonte kultin e hapur ndaj të gjitha kombeve. Nuk njihet origjina e tij e për këtë mendohej se origjina e tij vinte nga Hyji dhe për këtë ishte ndërmjetësi i vërtetë mes Hyjit dhe popullit. Ai ishte mbret, sepse kujdesej për popullin e tij. Duke i ofruar Abrahamit bukën dhe verën, paraprin ofertën e Krishtit në Darkën e fundit.

Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Melkizedeku, mbreti i Salemit, prifti i Hyjit tejet të lartë, i solli bukë e verë, e bekoi dhe tha: “Qoftë bekuar Abrami prej Hyjit tejet të lartë, që krijoi qiellin e tokën! Qoftë bekuar Hyji tejet i lartë që i lëshoi armiqtë e tu në duar të tua!” Abrami i dha të dhjetën e të gjithave. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 109/110
Ti, o Krisht, je meshtar për amshim

I tha Zoti Zotit tim: 
“Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e 
tu shtrojë për këmbët e tua!”

Skeptrin e pushtetit tënd 
Zoti do ta shtrijë nga Sioni:
sundo midis armiqve të tu!

Ty të përket më i larti pushtet 
në ditën e fuqisë sate,
në shkëlqime të shenjta:
nga kraharori para Yllit të Dritës 
unë të linda.

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:
“Ti je prift për amshim 
në mënyrën e Melkizedekut.”

Leximi i dytë 1Kor 11,23-26

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja

Ungjilli Lk 9, 11-17
Shumëzimi i bukëve bën të lindë në turmë shpresën që Jezusi të jetë me të vërtetë Mesia i shumëpritur që do të kishte çliruar popullin në planin politik dhe shoqëror. Por Jezusi nuk është ky tip Mesie. Për këtë, pas shumimit, tërhiqet në një vend të izoluar për të ungjillëzuar apostujt. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.” “Jepni ju të hanë!” – u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra. 
Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vëni të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” Bënë ashtu: i ulën të gjithë. Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. Hëngrën të gjithë dhe u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa. Fjala e Zotit.  Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

21 qershor 2019, 18:06