Imzot Bizzeti Imzot Bizzeti  

Kremtime në Turqi, për Shenjtorët Pjetër e Pal

Mëkëmbësi apostolik i Anatolisë, imzot Paolo Bizzeti, përshkruan përgatitjet për kremtimet që do të mbahen në Turqi, me rastin e festës së Shën Pjetrit e të Shën Palit .

R. SH. - Vatikan

Qendra e kremtimeve - që parashikojnë edhe lutjen e përbashkët, Atynën e FalemiMarinë - do të jetë “shpella e Shën Pjetrit”, kisha e lashtë  mbi shkëmbijtë e malit Sipius, rihapur për vizita në vitin 2015, pas një restaurimi, që zgjati me vite të tëra. Për festën, në mikrofonin e Vatican News, Mëkëmbësi apostolik i Anatolisë, imzot Paolo Bizzeti:

Imzot Bizzeti, ç’ndikim ekumenik do të ketë kjo festë?

“Po, do të jetë sidomos festë ekumenike, sepse do ta kremtojmë së bashku me vëllezërit ortodoksë. Kështu, më 28, në mbrëmje, do të kremtohen Mbrëmësoret solemne në Kishën ortodokse, ndërsa të nesërmen, pasdite,  do të kremtohet Eukaristia në Kishën katolike. Por më interesante është se  më 29 do të ketë një kremtim më publik, më laik, ku do të jenë të pranishme edhe autoritetet e komunes së Antiokisë. Është traditë:  edhe kjo kremtohet pranë të ashtuquajturës “Shpella e Shën Pjetrit”, ku do të flasë nunci i Vatikanit, imzot Paul Rusell, autoritetet zyrtare e Patriku ortodoks; edhe unë do të jem i pranishëm. Do të jetë, pra, një kremtim me pjesëmarrje të gjerë, me vlerë ekumenike e civile. Për ne, të krishterët, ka shumë rëndësi t’i kujtojmë Pjetrin e Palin, këto dy njerëz krejt të ndryshëm, me rrugë të ndryshme edhe si dishepuj, e megjithatë, gjithnjë të bashkuar, ndonëse shpesh edhe me mendime të ndryshme. Gjithmonë në bashkim të plotë. E populli i krishterë, me intuitën e tij të pagabueshme, i kremton gjithnjë të lidhur bashkë, në mënyrë të pazgjidhshme. Mesazh i fortë ky, për unitetin, në larmi!”.

Me çfarë fryme mund të shkohet drejt zbulimit të rrënjëve të krishtera në trojet e Shën Palit?

“Ndërkaq themi se nuk ka asnjë problem për shtegtimet. Vendi është i qetë, mund të shkohet pa asnjë problem sigurie. Ajo, që ka rëndësi, është se të krishterët nuk vijnë këtu për të soditur ca gurë të vdekur,  por për të takuar gurët e gjallë, e sidomos, për të dalë nga fryma e turizmit masiv, konsumistik, që në fund të fundit krijon vetëm përçarje e mure ndërmjet popujve, në vend që të krijojë mundësi takimi. Mendoj se turizmi fetar  duhet të ndryshojë rrënjësisht nga ai i zakonshmi. Nuk mjafton kremtimi i një meshe, në një sallë hoteli a në në Kishë. Duhet një stil i ri, i ndryshëm, që shtegtari të takohet me Kishën e gjallë. Turqia nuk është muze i krishterimit; por ka kisha të krishtera plot gjallëri, prandaj shtegtarët janë të mirëpritur; ndonëse, sipas mendimit tim, edhe agjencitë dioqezane duhet ta punojnë me një stil të ri”.

 

27 qershor 2019, 11:36