Kërko

 I Lumi Michal Giedrojc I Lumi Michal Giedrojc 

I Lumi Michal Giedrojć. Becciu: “Madhështia e njeriut, që mbetet i vogël”.

Sot, në Krakovi të Polonisë, kardinali Becciu, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve kremtoi Meshën e falënderimit, me rastin e Lumnimit të murgut lituan, Michal Giedrojć

R. SH. - Vatikan

“Një lule mrekullisht e bukur, mbi altarin e Kishës lituane. E po aq e çmuar, edhe për trojet e Polonisë”. Me këto fjalë kardinali Angelo Becciu  e paraqiti të Lumin gjatë homelisë. Ishte bir i një familjeje fisnike lituane, që u bë i vogël, ndërmjet të vegjëlve, duke “u fshehur” brenda katër mureve të një manastiri polak. Dashuria e krishterë, paqja, shpresa, adhurimi i të Kryqëzuarit, nderimi për Zojën e Bekuar: këto ishin shtyllat kryesore, mbi të cilat mbështetej jeta e murgut, që i preku njerëzit aq, sa fama e shenjtërisë së tij  u bëri ballë shekujve”- kujtoi kardinali Becciu.

Jo sa, po si i shërbehet Zotit e njeriut!

I lindur ndërmjet viteve 1420 e 1421, në gjirin e një familjeje fisnike,  që i vogël Michal-i u dallua për një fe të thellë. Meqë ecte vetëm me njërën këmbë, pasi tjetrën e kishte të sëmurë, shpiku një makinë, që të mund të shkonte e ta çonte Eukaristinë në shtëpitë e të sëmurëve. Më vonë kaloi në Poloni, ku kreu studimet teologjike e, pa marrë fare parasysh rangun e tij të lartë, u bë frat agostinian, pa kushte. Nisi të shërbejë si sakrestan e të  bëjë punët më të përvuajtura. E këtë, me vetëdijen se Zoti zgjedh gjithnjë më të vegjlit. Ata që nuk dëshirojnë të duken, por të zhduken! Brenda kongregatës, iu kushtua dëgjimit të tjetrit, mikpritjes së atyre, që trokisnin në portë, lëmoshëve për të varfërit, ngushëllimit të të munduarve. Nuk kërkonte tjetër, veç Zotit. Atij ia besonte gjithçka, atë e falënderonte për gjithçka!

Urë ndërmjet Lituanisë e Polonisë

Me origjinë lituane, por polak i adoptuar, nëse mund të shprehemi kështu,   të dy popujt e nderuan me të njëjtin devocion, në rrjedhë shekujsh, aq sa Papa Françesku e shpalli Të Lum duke i njohur kultin ab immemorabili, domethënë, pa proces e pa mrekulli të vërtetuara. Prej këndej, në kremtimin e falënderimit, ishin të pranishëm si ipeshkvijtë lituanë, ashtu edhe ata polakë. Madhështia e Shenjtorëve tregohet edhe përmes aftësisë së tyre për t’i kapërcyer kufijtë e kombeve e për t’u bërë “gjithçka në të gjithë”, siç thoshte për vete Shën Pali!

07 qershor 2019, 14:26