Kërko

 Katedralja  e Shën Marisë së Parisit Katedralja e Shën Marisë së Parisit 

Francë: Mesha e parë në Shën Marinë e Parisit, pas flakëve të prillit

Zoja është aty, në pritje të besimtarëve! Dy muaj pas zjarrit, që ra më 15 prill, duke shkatërruar një pjesë të mirë të Shën Marisë së Parisit, dioqeza e Kryeqytetit francez njofton se nesër, e shtunë, 15 qershor, do të kremtohet Mesha e parë brenda katedrales.

R. SH. - Vatikan

Për arsye sigurie – lexohet në komunikatën e kryedioqezës së Parisit - besimtarët nuk mund të marrin pjesë, por mund ta ndjekin kremtimin  drejtpërdrejt përmes ekranit të televizorit në Kto, kanal katolik në Francë (www.ktotv.com). Në kremtimin, kryesuar nga kryeipeshkvi i Parisit, imzot Michel Aupetit – do të kenë lejë ta ndjekin Meshën vetëm 30 vetë (meshtarë, laikë e një grup gazetarësh).

Datë simbolike

Data e zgjedhur është simbolike. Më 15 qershor do të kremtohet festa e kushtimit të Katedrales. Shën Maria e Parisit – lexohet në komunikatë - është, para së gjithash, ndërtesë në shërbim të kultit. Parizianët, turistët dhe besimtarët nga mbarë bota, kanë nevojë të gjunjëzohen përsëri në lutje e, për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, kryedioqeza vendosi të instalojë një kopje të Zojës së Pilar, simbol i katedrales Notre-Dame, në tremen e katedrales, “në një hapësirë të krijuar posaçërisht për lutje, sapo ta lejojnë këtë kushtet e sigurimit”. Në këtë vend do të ketë gjithnjë priftërinj të gatshëm për mikpritje e rrëfime.

14 qershor 2019, 16:40