Kërko

Vatican News
Manuel Barrios Prieto Manuel Barrios Prieto 

Comece: don Manuel Barrios Prieto është sekretar i ri i përgjithshëm

Don Manuel Barrios Prieto do të jetë sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i Komisionit të episkopateve të Bashkimit Evropian, Comece. Barrios Prieto nga 1 shtatori do të zëvendësojë Atë Olivier Poquillon; mandati i tij, sipas statutit të ri COMECE, do të zgjasë katër vjet.

R.SH. - Vatikan

Don Barrios Prieto ka lindur në Madrid në vitin 1962. Pasi kaloi fëmijërisë e rininë në Romë duke studiuar në një shkollë angleze, u shugurua meshtar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran në vitin 1988, pasi u formua në Seminarin e Madh Papnor Romak. Barrios Prieto ka studiuar filozofinë dhe teologjinë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë, duke fituar titullin doktor në teologji në vitin 1998, më pas u diplomua në psikologji në një universitet shtetëror spanjoll. Don Barrios Prieto njihet si një psikolog evropian i specializuar në psikoterapi pranë Federatës Evropiane të Shoqatave të Psikologëve.

Që nga viti 2011 ka qenë drejtor i Sekretariatit për Ekumenizëm e Dialogun Ndërfetar të Konferencës Ipeshkëvnore të Spanjës dhe për njëzet vjet ka qenë famullitar pranë komunitetit kishtar të San Catalina de Alejandria në Madrid. Më parë, Don Barrios Prieto ka qenë edhe delegat ipeshkëvnor për kujdesin pastoral të familjes në kryedioqezën e Madridit (2002-2011), kryeprift i dekanatit të Barajas (2003-2012) dhe profesor i teologjisë në institutet e studimeve fetare San Agustín (2000-2011) dhe San Dámaso (2001-2010).

Në dialog me institucionet evropiane

"Me sekretarin e ri të përgjithshëm, COMECE - shkruhet në një deklaratë - do të vazhdojë misionin e saj të dialogut me institucionet e BE-së, duke punuar për të mirën e përbashkët dhe duke promovuar perspektivat katolike mbi tema e çështje brenda kompetencave të vetë Bashkimit Evropian. Sekretari i ri i përgjithshëm do të takohet me gazetarë, më 16 shtator, me rastin e komisionit të përhershëm të COMECE-së, që do të mblidhet në Bruksel, me pjesëmarrjen e Imzot Jean-Claude Hollerich, presidentit të Comece-s dhe të nënkryetarëve Imzot Mariano Crociata, Imzot Noel Treanor, Imzot Franz-Josef Overbeck dhe Imzot Jan Vokál.

26 qershor 2019, 12:38